Patos, 300 punëtorët e Albpetrol-it bllokojnë rrugën
Protesta e punëtorëve, pas afishimit të listave me 420 emrat e pushuar. Ndërhyn policia
Fier-Punëtorët e ndërmarrjes së prodhimit të naftës në Patos kanë protestuar dje kundër vendimit për pushimin e tyre nga puna. Këtë radhë protestës i janë bashkuar 300 vetë, të gjithë të larguar, ndërkohë që në listat e asistencës, të afishuara në muret e ndërmarrjes numërohen 420 vetë. Protesta nisi në zyrat e administratës, ku thirrjes për sqarime nuk iu përgjigj askush, e më pas për 30 minuta, të gjithë të përjashtuarit kanë bllokuar rrugën nacionale.
***
Të gjithë punëtorë të vjetër me 40 vite pune në ndërmarrje e që tani flaken në rrugë në prag të pensionit. Shumë prej tyre edhe burrë e grua të pushuar. "Kam 35 vite në këtë punë, por kjo nuk është reformë. Ky që kanë bërë drejtuesit është fashizëm, pasi na heqin ne, e mbajnë njerëzit e tyre që nuk kanë përvojën tonë",- tha dje Lili Kane, duke e quajtur këtë një lojë të ndyrë politike. Selime Kondakçiu punon prej 37 vitesh në naftë dhe tani nuk ka asnjë mundësi të mbahet gjallë, pasi është hedhur në rrugë. "Kam një jetë në këtë punë, burrin e kam invalid dhe tani ku të mbytem",- thotë ajo. I njëjti hall dhe të njëjtat pakënaqësi. Bilbil Xhezaj, numëron 45 vite pune dhe i duheshin edhe 4 të tjera për të gëzuar pensionin. "Më prenë pensionin dhe mbajtën ata që kanë ardhur para 6 muajsh. Më thoni ju a është e drejtëkjo?",- ankohet ai.
***
Më pas protestuesit iu drejtuan rrugës Patos- Ballsh, duke e mbajtur të bllokuar. Nisur nga situata problematike në qarkullim, që u krijua, në vend mbërritën forca të shumta policie që nisën negociatat me punëtorët për të liruar rrugën. Pas kësaj, protestuesit janë larguar nga rruga, por kanë deklaruar se nuk do të tërhiqen nga rruga e tyre, pasi kërkojnë drejtësi. Para 4 ditësh, punonjësit e uzinës së naftës në Ballsh që i përket kompanisë së Armos u përfshinë në një proteste të madhe lidhur me nxjerrjen në asistencë të punonjësve të saj.
L.Çeçoaliaj