E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një dilemë për dialogun

Është fakt i padiskutueshëm se prej vitesh, të gjithë qytetarët e vendit tonë janë përpjekur pa ndërprerje që të kapin atë që regjimi i kaluar na kishte grabitur nga jeta, nga lumturia, liria dhe krijimtaria. Dhe, me gjithë këto përpjekje, qytetarët tanë e ndiejnë veten më të lehtësuar për të udhëtuar dhe hulumtuar Europën, botën, si për të treguar, veç të tjerash, nevojën e nxitimit për të fituar gjithçka që kishin humbur gjatë izolimit të ndërsjellë në periudhën e kaluar disadekadëshe.
Por, koha kaloi dhe më të shumtët e njerëzve kanë mbetur përsëri pa dalë jashtë këtij shteti, aq sa u veçuan nga qytetarët e vendeve fqinje, të cilëve të gjithëve tani, përfundimisht dhe pa dallim, do t’u jepen vizat e zonës ‘Shengen’. Prandaj, ne kemi të drejtë të emocionohemi kur dëgjojmë nga Parlamenti Europian, se edhe Shqipërisë, ashtu si Bosnjë– Hercegovinës nuk do t’i mungojë ky avantazh. Nuk do t’i mungojë as gjithë Europës, të paktën zgjerimi i bashkimit shpirtëror, pa fshirë një herë e mirë traditat kulturore të secilit popull, pa zhdukur menjëherë nivelet e ndryshme ekonomike, pa mundur të unifikojë çdo dispozitë të legjislacioneve të çdo shteti të këtij kontinenti...
***
Megjithatë, te ne edhe kohët e fundit po vërtetohet përsëri e përsëri, se dëshirat e njerëzve drejt Perëndimit nuk varen vetëm nga bujaria, nga ndikimet e faktorit të jashtëm, veçse sidomos nga brenda vendit, nga zhvillimet e tij jo vetëm ekonomike, por edhe nga luhatjet dhe përpjekjet e tij politike. Parë nga ky këndvështrim, deklaratat e personaliteteve të strukturave politike europiane, që liberalizimi i vizave për shtetasit shqiptarë mund të arrihet aty nga mesi i vitit të ardhshëm, nuk janë qartësisht të prera dhe të fiksuara. Të tilla ndjehen edhe ato që bëhen këto ditë për fitimin (shpejt apo vonë?) nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për anëtar i Bashkimit Europian.
E pra, edhe institucionet europiane në lidhje me Shqipërinë janë të ballafaquara me një krizë politike, që është ngjizur dhe ka rrjedhur te ne pas shpalljes së rezultateve të dyshimta të zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare të 28 qershorit të këtij viti. Edhe këto institucione shprehin vazhdimisht shqetësimin për ta amortizuar këtë krizë, duke kërkuar që të ndërpritet bojkoti parlamentar nga ana e opozitës, dhe duke kërkuar gjithashtu fillimin e dialogut midis saj dhe maxhorancës, një dialog që mund të efektojë në mirëkuptimin midis të dyja palëve, për të realizuar dendërisht dhe intensivisht reformat e domosdoshme për t’u mirëpritur në vendet dhe strukturat europiane.
Sidoqoftë, edhe brenda Parlamentit Europian po marrin tone të larta zëra që, duke iu përgjigjur disa deklaratave të Doris Pack, Tanja Pajon etj, që janë të njohura për mbështetje ndaj qeverisë së djathtë të Berishës, nuk po rrinë pa u shprehur se është e nevojshme që ta shqyrtojnë nga afër dhe objektivisht situatën politike në Shqipëri. Ashtu sikurse përfaqësues të Komunitetit Europian nuk kanë ndenjur pa bërë të qartë se, Shqipëria duhet të kapërcejë formulimin e strategjive, por të shquhet për një pjesëmarrje aktive, me çka nënkuptohet ndërmarrja e reformave të mëdha që do ta afronin vendin tonë gjithnjë e më tepër me vendet e zhvilluara të kontinentit.
Mirëpo, në kundërshtim me këtë frymë konstruktive, edhe një pjesë e mediave tona lëshojnë një fllad destruktiv, kur pas ndonjë deklarate dashamirëse nga institucionet europiane në drejtim të Shqipërisë, menjëherë u drejtohen lexuesve, shikuesve dhe dëgjuesve, se në 6-mujorin e parë të vitit të ardhshëm këta mund të bredhin kudo, se mund t’i përgjigjen kujtdo që vendi i tyre është kandidat për t’iu bashkuar Bashkimit Europian etj.
Ndërkohë që shumëkush e merr vesh, se gjatë vitit 2009, nën këtë qeverisje Shqipëria zbriti edhe 10 vende më poshtë nga një vit parë me treguesit e korrupsionit, duke mbetur pas edhe disa vendeve të varfra të Afrikës, se nën këtë qeverisje borxhet e jashtme dhe të brendshme po rriten ndjeshëm dhe do të shtohen me shpejtësi, se ekonomia e tregut është duke u cenuar dukshëm, për rrjedhojë papunësia po i nënshtrohet perimetrave sa më të gjerë dhe varfëria rezeve të gjata etj, etj.
***
Atëherë, a mund të shtrohen gjakrat së shpejti në klasën politike shqiptare? Ç’është e vërteta, opozita reflektoi menjëherë pas përfundimit të votimeve më 28 qershor, duke akuzuar Qeverinë për manipulime skandaloze të numërimit të votave, dhe prej këtej, të rezultateve përfundimtare të tyre. Por, Qeveria, me të njëjtën arrogancë të liderit të pandryshueshëm të saj nisi Legjislaturën e re me vetëshpalljen e maxhorancës nëpërmjet një koalicioni të dyshimtë.
Grupi parlamentar i opozitës ende sot nuk ka shkelur në sallën e Kuvendit të Shqipërisë, duke shpallur në mënyrë të vendosur kërkesat e veta, ndër të cilat vendimtarja është hapja e kutive të votimit, për të mos u përsëritur – sipas saj - manipulime të tilla në të ardhmen. Kurse maxhoranca vazhdon t’i bëjë thirrje opozitës që të hyjë në Parlament, por me përgjigjen gjithashtu të vendosur që kutitë nuk do të hapen.
Kjo vendosmëri e opozitës është shprehur me këtë frymë edhe gjatë ditëve të fundit, nëpërmjet protestave masive në sheshet e Korçës, Vlorës, Fierit etj, ku kanë buçitur thirrjet: “Të ballafaqohemi në Tiranë me Berishën!”, “Ai është përgjegjës për bojkotin!”, “Le ta zbardhim krimin elektoral së bashku!”. Kurse maxhoranca po këto ditë vazhdon t’i bëjë thirrje opozitës të miratojnë së bashku në Parlament reformat e domosdoshme, ndonëse duke përdorur një gjuhë më të butë, deri–diku lutëse, sikur të ketë harruar termat kërcënues në formulimet e deritanishëm. Opozita përgatitet për një protestë jo vetëm masive, por edhe maratonike, në qendër të kryeqytetit. Ndërsa, maxhoranca u thekson forcave policore nevojën e shpërndarjes së shpejtë të protestuesve me të gjitha mënyrat.
Në këto kushte, vështirë të shkoqitet e vërteta për momentin historik të Shqipërisë, që po proklamon propagandisht Qeveria. Pra, një moment historik, që përbëhet nga vendimi i ministrave të Jashtëm të Bashkimit Europian për t’ia kaluar Komunitetit Europian shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për t’u miratuar si vend kandidat i BE? Apo një moment historik, që përbëhet nga kuraja e mijëra politikanëve dhe qytetarëve të të gjithë vendit për të manifestuar kundër Qeverisë, mu në mes të kryeqytetit, mu përpara selisë së vet, për t’i kërkuar asaj hapjen e kutive të votimit, dhe pa reflektimin mbi këtë kërkesë, largimin e saj nga pushteti?
Në këto kushte, me gjithë përpjekjet e Brukselit për t’i dhënë fund në Shqipëri bojkotit të Parlamentit nga opozita, për të filluar sa më shpejt një dialog i efektshëm midis forcave politike kundërshtare, çdo ditë e më shumë përhapet një dilemë, nëse mund të realizohet kjo kërkesë apo jo. Madje, edhe nëse do të përdoret këtej e tutje forca e arsyes apo arsyeja e forcës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›