Një ditë kthese, në një histori të trazuar
Po ta vlerësojmë gjendjen e Shqipërisë sipas informacionit të shumicës së mediave, atij që nuk i lind dëshira të arratiset nga ky vend ose, në pamundësi, të vrasë veten, nuk është në rregull nga mend e kokës. Faji nuk është i qytetarëve, por i prodhuesve të informacionit, të cilët e kanë gojën të madhe, ndërsa u mungojnë pjesa tjetër e shqisave dhe truri tërësisht.
Një retrospektivë e shkurtër historike mund t’i ndihmojë shqiptarët e sotëm të shikojnë se, krahasuar me paraardhësit, ata janë brez i bekuar.
Paraditen e 28 nëntorit (1912) Shqipëria ishte një cep i largët i Perandorisë Osmane, mbasdite shtet i pavarur. Në terren nuk kishte ndryshuar asgjë, përveç se në një ballkon shtëpie në Vlorë ishte shtuar një flamur. Sidoqoftë, qytetarët ishin të lumtur prej mendimit të shtetformimit kur realisht nuk kishin shtet, madje ishin më të lumtur se shqiptarët e sotëm, të cilët kanë jo një shtet shqiptar por dy të tillë.
Atë mbasdite e kohë më vonë shteti shqiptar ishte veç gjendje mendore për shqiptarët dhe një pikë reference në diskursin diplomatik ndërkombëtar, por jo realitet shtetëror. Në kujtimet e Marie Amalie Frein von Godin, e cila asokohe ndodhej në Vlorë, një nga ministrat e përshkruan kështu qeverinë ku bënte pjesë: “Çfarë maskarade që jemi!”
Pas Ismail Qemalit erdhi Vidi, qeveria e tij nuk kontrollonte as Durrësin ku u vendos. Sipas këshilltarit të mbretit, skocezit D. Heaton Armstrong, qeveria “përbëhej në pjesën më të madh nga “të huajt”, burra të cilët nuk kishin qëndruar kurrë në vend dhe dinin pak për të; disa nga ministrat nuk mund të flisnin madje edhe gjuhën e tyre dhe puna duhej bërë në turqisht”. Ndërsa një ministër ankohej: “Nuk e kuptoj se ç’kanë nacionalistët kundër meje; nuk ka një njeri në vend që mund të thotë diçka të keqe për mua, përveç se unë nuk di të lexoj dhe të shkruaj”.
Edhe gjatë Luftës së Parë Botërore Shqipëria vazhdonte të ishte gjendje mendore për shqiptarët dhe referencë bisedimi për kancelaritë e Evropës. Fqinjët ishin realistë, ata shikonin një territor dhe jargoseshin.
Mbarësia e punëve nisi me Qeverinë e Lushnjës (1920), por Esad Toptani i rrinte si gur në këpucë. Vrasja e tij ishte një vepër e çmuar kombëtare, veçse zgjidhjet e dhunshme janë me telashe. Kjo çoi në vrasjen e Avni Rustemit (1924) ose u përdor si pretekst për të larë hesape politike të ditës. Sidoqoftë, vdekja e tij fryu valët e urrejtjes që sollën nga Vlora në Tiranë grushtin e shtetit dhe Fan Nolin – “këmbëtersin e politikës”, siç e quante Sotir Peci.
Dhuna prodhoi dhunë. Ashtu siç e larguan nga pushteti, ashtu, me ushtri, i përzuri dhe Ahmet Zogu pas gjashtë muajsh. Tani ai kishte argumentin e duhur të zbatonte, në një formë tjetër, planin që i kishte shfaqur Sejfi Vllamasit më 1920. Për të nisur, sipas kujtimeve të Vllamasit, ndërtimin e një shteti modern me një “rrugë praktike e radikale, por barbare”.
Dhe ashtu ndodhi: kundërshtarët e tij politikë ose u vranë, ose u larguan nga Shqipëria; një pjesë u vranë në mërgim. Zogu ishte sundimtari që u përshtatej “nevojave të vendit”, siç arsyetonte Marie Amalie Frein von Godin më 1913, por edhe disa patriotë shqiptarë të kohës kanë patur të njëjtin mendim. Ngritja e shtetit modern nisi vërtet, por u ndërpre nga pushtimi italian më 1939.
Lufta e Dytë Botërore krijoi terrenin që, për herë të parë në histori, jugosllavët t’i përmbushnin interesat e tyre në Shqipëri pa nevojën e mashave. Ata erdhën vetë, krijuan Partinë Komuniste, nxitën luftën civile, instaluan pushtetin komunist dhe, kur e panë që bima antishqiptare që mbollën mund të rritej vetë, u tërhoqën ta drejtonin Shqipërinë nga Beogradi.
Krimi njerëzor, ekonomik, politik, shoqëror, arsimor, kulturor etj i pesëdhjetë viteve komunizëm nuk mund të krahasohet me asnjë periudhë tjetër në historinë e Shqipërisë.
Historia e derikëtushme e Shqipërisë është interesante për t’u lexuar, e mbushur me intriga, kurthe, vrasje, sakrifica të mëdha dhe ëndrra të dalldisura, por kur mendon pasojat, dëshiron që t’i kishte ndodhur një vendi tjetër.
Për këto arsye duhet të reflektojmë. Para vitit 1990 në Shqipëri fjala demokraci, megjithëse është përdorur, asnjëherë nuk ka qenë realitet. Pavarësisht mangësive, demokracia e sotme është periudha më e begatë politike dhe ekonomike në historinë e Shqipërisë. Të mos e teprojmë me anëtarësimet e saj në organizatat ndërkombëtare, le të themi thjesht që respektohet në botë si kurrë më parë dhe ka mundësi të mbrojë më mirë interesat e shqiptarëve brenda dhe jashtë saj.
Po qe se interesat e grupeve dhe individëve brenda vendit i copëzojmë, të gjithë kemi diçka për t’u ankuar: komunistët se kanë rënë nga pushteti, antikomunistët se nuk kanë patur pushtetin që mendojnë se e meritonin, ish-pronarët se nuk kanë marrë pronat, ish të përndjekurit se nuk janë kompensuar, bijtë e komunistëve se nuk vijnë dot në pushtet, bijtë e antikomunistëve se ua kanë bllokuar rrugën dhunshëm komunistët e rinj, shkrimtarët e artistët se nuk ua var kush kur shkojnë rrugës, moralistët se nuk ka rend të vlerave morale, hajdutët se po u ngushtohet terreni, antishqiptarët se po u njehsohet fati me fatin e hajdutëve, ish-spiunët se mos hapen dosjet, të tjerë se nuk po hapen dosjet e ish-spiunëve, socialistët se pushtetin e kanë demokratët, demokratët se socialistët “përbëjnë rrezik për demokracinë”, të djathtët tradicionalë se qeveritë e deritanishme kanë patur vetëm orientime të majta, të rinjtë se nuk kanë lekë për pub-e apo se kanë diploma e mastera e doktoratura dhe jo vende pune, të tjerë pse të rinjtë kanë diploma e mastera e doktoratura, ndërsa nuk u kanë dirsur ende qimet në faqe, banorët pranë pub-eve për zhurmën e pub-eve, kryebashkiakët se qeveria nuk i lë të japin leje pub-esh, mediat se politikanë janë të korruptuar, politikanët se mediat janë shërbëtore të korrupsionit, e kështu me radhë. Por nuk duhet të harrojmë gjënë më të rëndësishme: se jemi në demokraci të gjithë kanë mundësinë të punojnë për përmbushjen e qëllimeve të tyre, veçse jo me dhunë, por duke vënë peshore argumentet dhe pa i cenuar rregullat ligjore dhe morale të lojës.
Prej 8 dhjetorit 1990, ama, në Shqipëri buroi diçka e shenjtë për të gjithë qytetarët: liria. Këtë s’duhet ta harrojmë kurrë. Sado të begata të jenë ëndrrat, nëse ato cenojnë lirinë që na mundëson demokracia kur zbatohen, atëherë kthehen në vepra të dëmshme. Sistemi duhet të jetë kategorikisht i paprekshëm. Vetëm ata që nuk e dinë vlerën e lirisë janë të justifikuar të mungojnë në festën e të martës.