Një ditë në perandorinë e të rinjve
A mund ta mendojë një fëmijë sot botën pa teknologjinë? Pa pasur një televizion, pa mundur të ndjekë programet e preferuara, pa përdorur ilaçet në këmbën e tij të vrarë, duke besuar se gjithçka është në lëvizje edhe përtej vdekjes. Ky është veçse sfondi në të cilin regjisori suedez Linus Torell i ka vendosur ngjarjet e filmit Misa dei Lupi-Misa Mi(Misa, mikja e ujqërve). Këto pyetje godisnin natyrshëm mendjen e një të rrituri, ndërkohë që dëgjonte të gumëzhinin të qeshurat e fëmijëve që dje paradite e ndiqnin këtë film, ulur në teatrin Petro Marko të Vlorës. Misa, mikja e ujqërve dhe Ikingut, ishin filmat që çelën dje Prolog Giffonin në Vlorë, qyteti i dytë ku ky format u ndal pas Sarandës. Banderolat në rrugë dhe fëmijë të shkollave 9-vjeçare që shtyhen para derës së teatrit në mungesë të një kinemaje, e bëjnë të dukshme atmosferën. Misa (Kim Jansson), protagonistja e filmit nuk është vetëm një fëmijë, është tipizim i fëmijëve të kohëve moderne. E ndier e braktisur nga i ati, i cili pas vdekjes së nënës së saj vendos të rimartohet, vajza vendos të shkojë te gjyshja në Laponinë suedeze. Aty është rritur edhe mamaja e saj, që tashmë është përtej. Por Misa, 10-vjeçarja e rritur në Stokholm, gjen atje një botë thuajse pagane. Gjyshja e saj, e ashpër në pamje e me një të folur që e përforcon më shumë dukjen, i shpërfill rregullat e rrepta me të cilat rritet sot një fëmijë. Ajo nuk është nga ato që të përkëdhel, nuk ngulmon të shkosh në krevat se shkoi ora apo të mos pish kafe se je një vajzë e vogël. Në shtëpinë e saj nuk ka një televizor dhe të vetmit idhuj që mund të shihen, janë yjet e qiellit. Në rrekjen e saj për tu bërë pjesë e kësaj jete të re, Misa njihet me Gustavin, një djalë vendas. Fëmijët në sallë, individë të një brezi që i njohin shumë pak privime, qeshin kur ai shtriqet të pijë ujë në një rrëkezë mali. Të tjerë aprovojnë me ndonjë pasthirrmë reagimin e Misës e mësuar që uji pihet vetëm nga rubineti. Por shqetësimi më i madh i këtij komuniteti, pjesë e të cilit bëhet edhe vajza 10-vjeçare, është prania e ujqërve. Gjuetarë pa leje punësohen për ti zhdukur. E shtyrë nga kureshtja, njëkohësisht e frenuar edhe nga frika, Misa vihet në ndjekje të një ujkonje që i afrohet shtëpisë së gjyshes së saj. Ajo që zbulon e ngazëllen: në strofën e saj janë dy këlyshë të vegjël që rrezikojnë të zhduken. Misa, e cila darkave kërkon një shenjë nga e ëma për praninë e saj, takon gjyshen e Gustavit, përmes së cilës njeh kulturën arkaike nomade, sipas së cilës, gjithçka është në lëvizje edhe pas vdekjes. Të shtënat e një nate e zgjojnë vogëlushen. Të nesërmen mësohet se ujkonja ishte vrarë. Teksa rend drejt strofullës së të vegjëlve, ajo ka vetëm një mendim: ti shpëtojë nga gjuetarët. I merr në çantë dhe largohet pa ditur se ku, ndërsa qentë shkojnë pas erës e gjuetarët pas tyre. Gustavi e ndihmon që ajo tu shpëtojë gjuetarëve e të arrijë ti çojë këlyshët e vegjël te babai i tyre ujk. Fëmijët janë shumë entuziastë në përfundim të filmit.