E Diel, 1 Nëntor 2026

Xhamajka, aty ku i shpëtojnë varfërisë duke vrapuar

Fara e shpejtësisë hidhet këtu për t‘u rritur mes kallamsheqerit të pemëve të kakaos dhe bananeve jeshile. Pikërisht këtu në këtë pyll tropikal. Xhamajka është djepi i përbashkët i Ben Xhonsonit, Veronika Kempbëll Braun, Asafa Pauell. I atyre që lahen me ar nëpër olimpiada dhe konkurse sportive, që vrapin e kanë pjesë të jetës. Por, mbi të gjitha është vendi i Bob Marlit dhe Husein Boltit, njeriu më i shpejtë në botë, që sapo e ka përshkuar 150 metërshin në Evropë në kohë rekord. "Ne jemi xhamajkanë", këndonte Bob Marli. Gjithmonë në qendër të vëmendjes për flokët, vathët, unazat, mënyrën e tyre të kërcimit. Yjet e këtij vendi në Lojërat Olimpike të Pekinit arritën deri në kufijtë e çmendurisë: fituan 11 medalje, nga të cilat gjashtë të arta. Bluza e verdhë e Xhamajkës shkëlqen si dielli në mes të natës dhe rekordeve pa fund: 9"69‘ në 100 metra, 19"30‘ në 200 metra, 37"10‘ në stafetë. Asafa Pauell, Marlene Otei, Donavan Bailei, Lindford Kristie, Don Quarrie, Lenoks Miller, MekKenlej, jo më kot janë quajtur si një përzierje "vdekjeprurëse" brezash këmbëshpejtë. Një vend i vogël dhe i varfër, me 2 milionë e 700 mijë banorë, që Bolt dhe shokët e tij të "skuadrës" ia kanë ndryshuar përgjithmonë imazhin. Sprinti është produkti kryesor për eksport, aq sa në aeroportin e vendit në Kingston, sheh postera gjigantë të sportistëve, sikur të ishin ata të qeverisë. Pothuajse 60 për qind e popullsisë është nën 30 vjeç. Pyetja që lind natyrshëm është se si ia bëjnë këta djem që kërcejnë në ritmet e muzikës rege, pemëve të bananeve dhe kakaos, ta ndalin kronometrin në shifra të paimagjinueshme. Mjafton të shkosh të shohësh shkollat fillore ku kanë studiuar: janë shumë kilometra larg vendeve ku jetojnë. Nxënësit vijnë me vrap nga fshatrat fqinjë dhe shkolla më e afërt është rreth 5 kilometra larg. "Për pesë vjet me radhë kam përshkuar rreth 6 milje për të shkuar në shkollë. Në fillim lodhesha shumë, pastaj nuk e kisha më problem ta përshkoja këtë distancë", tregon miliarderi xhamajkan, që tani jeton në Amerikë, Garfild Planket. Pas shkollave ka gjithmonë fusha të mëdha prej bari, ku mësuesit i kushtojnë më shumë rëndësi vrapit se sa orëve të tjera të mësimit. Aty çdo ditë zhvillohen gara mes nxënësve. Nga janari në dhjetor, në Xhamajkë vetëm vrapohet, sepse ky ishull i vogël, i vendosur në detin e Karaibeve, nuk e njeh fare dimrin si stinë. Për t‘i shpëtuar varfërisë së skajshme të gjithë vrapojnë për të marrë një bursë dhe një mundësi për t‘u larguar jashtë vendit, sidomos në Amerikë. Rivaliteti është i madh. Çdo fundjavë zhvillohen gara, ku marrin pjesë rreth më shumë se 180 të rinj. Të vraposh aty është njëlloj si të shënosh një gol, motivi i vetëm për të cilin ia vlen të ëndërrosh. Houard Harris, presidenti i atletikës në vend, tregon se sekreti qëndron te klima e mirë, një sistem edukativ i trashëguar nga dominimi anglez i vitit 1911, që nuk u fshi as nga pavarësia e vendit në vitin 1962, një program që ka investuar për 75 trajnerë dhe faktit se atleti mund të zgjedhë nëse do të emigrojë ose të qëndrojë. "Edhe në vend mund të ecësh shumë, nëse nuk merresh me doping. Nuk detyrojmë askënd të qëndrojë ose të iki. Kjo është zgjedhje individuale". Thuajse çdo atlet ndiqet nga ish-sportistë dhe trajnerë, që e ndihmojnë për të ecur para. Xhamajka është e para, edhe për sa i përket të rinjve. Djemtë e së ardhmes, si Dekster Li nuk kanë frikë nga asgjë. Të vrapojnë e kanë pasion, e kanë motivin e jetës. Bolt është shembulli i mirë i asaj që djemtë e Xhamajkës mund të arrijnë shumë lart në këtë sport. Djaloshi që sapo ka mbushur 22 vjeç dhe shëtit rrugës me dy truproja, do të jetë sprinteri i parë që do të kalojë kufirin e 10 milionë dollarëve fitimesh në vit. Bolti tregon se ka ndërmend që kohën e 100 metrave ta përshkruajë për 9"40‘ sekonda. Sigurisht nëse jeta e natës, ku çdo ditë vallëzon nga ora dy deri në pesë të mëngjesit, nuk do t‘ia "marrë" frymën. Aktualisht, ish-kampionët e fshatrave të vegjël shkojnë për të jetuar në lagjet më të bukura të Kingstonit. Një kodër njihet me emrin "Beverly Hills", ndërsa një tjetër ku jeton kampioni Asafa Pauell, quhet "Large Mauntin". Përpara stadiumit të vendit është një murale gjigante, ku shkruhet "Wall of Honour" dhe ku gjenden portretet e kampionëve aktualë të sprintit. Afër tij statujat e Oteit dhe Quarrie. Xhamajka nuk i shpërblen në të holla atletët e saj për fitoret olimpike, por i është mirënjohëse që e ndihmojnë kombin të ndryshojnë imazhin e tij në botë. Por vendi nuk shquhet vetëm për emra të tilla si Bolt, Pauell, Quarrie. Pas nuk qëndrojnë edhe gratë, që te ky lloj sporti shohin mundësi të barabarta me meshkujt. Njëra prej tyre është Veronika Kempbëll Braun që ka fituar në 200 metërsh në Olimpiadën e Athinës dhe Pekinit. Kur e pyet se si është kaq në formë, atletja tregon se prezervativi ndihmon për të mos pasur asnjë sëmundje. "Kam një bashkëshort, Omar Braun, edhe ai atlet, por nuk kam ndërmend të kem fëmijë deri kur do të jem garuese në pistë. Sigurisht që Omar është më xheloz se unë, megjithatë nuk do të heq dorë nga vrapimi". Veronika është nga ato atlete që është transferuar në Amerikë dhe kthehet në Xhamajkë vetëm për pak kohë. Prindërit jetojnë në një fshat të vogël kodrinor në Uarsop. Janë gjithsej tetë fëmijë, madje edhe mamasë së saj, Pamelës, i duhen më shumë se 45 minuta për t‘ua mbajtur mend moshën dhe emrat. Vendi ku jetojnë është i bukur, ashtu si vetë Xhamajka, një ishull i mahnitshëm, sidomos në veri, drejt gjirit Montego. Një parajsë ku njerëzit janë të varfër, por të qetë, të çlodhur dhe punëtorë, ashtu si atletët e saj që arrijnë të fitojnë nën tingujt e muzikës rege. Ndoshta sepse e kanë shpejtësinë në gjak, ose sepse ushqehen me qumësht kokosi, banane jeshile, supë, kallamsheqeri, fruta e perime, që nga anët tona nuk ekzistojnë. Të tjerë mendojë se sekreti qëndron tek ADN-ja, te një gjen i trashëguar, që i lejon të vrapojnë më shpejt se të tjerët.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›