E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një enciklopedi për Kosovën

Puna e filluar para tre vjetësh ka sjellë të parin botim të natyrës monografike-enciklopedike. Në të janë përfshirë fushat më të rëndësishme të njohurive për Kosovën: nga gjeografia, historia, zhvillimet politiko-juridike, ekonomia, arsimi dhe shkenca, shëndetësia dhe kultura.

Libri, për hartimin e të cilit kanë punuar 56 autorë, u përurua të enjten në sallën e Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, ku të pranishëm, përveç akademikëve dhe njerëzve të shkencës dhe të dijes, qenë edhe politikanë, deputetë e ministra, përfshirë edhe Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Kryetari i ASHAK-së, Besim Bokshi, ka thënë se përpilimi i kësaj monografie nga akademia ka plotësuar një nevojë të shprehur pas luftës për një vepër të karakterit enciklopedik për Kosovën, për një vepër që do të sillte një prezantim të gjithanshëm e gjithëpërfshirës të Kosovës.

Në fjalën e tij, akademik Rexhep Ismajli, bashkëkryeredaktor i monografisë, tha se kjo monografi është fryt i një pune intensive kolektive të zhvilluar me shumë vullnet e përkushtim në mjediset e pamjaftueshme për punë të ish-ndërtesës së ASHAK-së.

“Motivi që kishte shtyrë nismëtarët për hartimin e një projekti të tillë ishte evident. Në dy dekadat e fundit, paralelisht me rritjen e qëndresës dhe të luftës për çlirim, me çlirimin dhe luftën për pavarësim të plotë të vendit, botimet për Kosovën, për aspekte të ndryshme të jetës, të së tashmes e të shkuarës, për kulturën e historinë, për përpjekjet për liri, për politikën, për zhvillimin ekonomik e vështirësitë që po ndesh ai, për raportet brenda vendit dhe me fqinjët, për impaktin ndërkombëtar të Kosovës, në vend dhe në botë kanë qenë më të shumta se kurrë ndonjëherë më parë”, tha Ismajli.
/Start/

                                                                                             2011-07-02 15:04
   

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›