E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një ëndërr me disa episode dhe zhgjëndrra në fillimet e vitit 2011

14/01/2011  Shqipëri, të dua shumë, por ndonjëherë më vjen aq turp për ty, sa do të doja të mos ekzistoja

Është disi e çuditshme, por meqë ka vite që nuk ëndërroj, e përpunova mendjen për të parë një ëndërr. Jeta, megjithatë, nuk mund të kuptohet pa ëndrra. Të jesh i vetëdijshëm për realitetin dhe vështirësitë e jetës, nuk do të thotë që të mos ëndërrosh dhe të zhytesh në projekte optimiste, domethënë fantaziste. Kohëve të fundit unë tallesha me veten time ëndërrtare të dikurit dhe thosha se mosha e ëndrrave ka perënduar. Por mrekullia ndodhi. Vërtet pashë një ëndërr të rrallë. Po e rrëfej, edhe pse është vështirë, ashtu si ndodh me të gjitha gjërat jomateriale.

Isha diku. Ëndrra nuk e përcaktonte vendin, por në sytë e mi xixëlloi fjala Arbëri, me shkronja të arta, të vendosura mbi trupin e saj, si në hartat e vjetra. Në të vërtetë hapësira ishte e gjerë. Si në paradë kaluan episodet historike të këtij trualli me një kthim pas në histori. Mbase më iku ndonjë fragment, por unë shquajta shekullin VII p.e.r. kur u kolonizuam nga grekët dhe kjo tokë u përfshi fillimisht në mbretërinë e Epirit dhe pastaj në atë të Maqedonisë. Episodet ia linin kështu vendin njëri-tjetrit. Shikimin tim e gjallëroi Iliria antike; gravurat e mbretërve ilirë Bardhyl, Agron, Teuta, Gent dolën qartë. Kjo kohë sidoqoftë mbaroi keq se vendi u bë provincë e perandorisë romake. Vetëm pas rënies së perandorisë pati një lulëzim të përkohshëm. Ëndrra u ndal paksa te dyndjet barbare. E vrarë në shpirt pashë si shkatërrohej qyteti i bukur ilir Bylis që e kishte ruajtur autonominë nga Roma edhe në kohën e lulëzimit të saj. Pas shekullit VIII shumë troje të këtij vendi kaluan nën zotërimin e mbretërve bullgarë. Ishte shekulli IX, sepse kështu u shkrua dhe hapësira u mbulua me mjegull. Unë mezi dalloja një trup abstrakt që përpëlitej në terr. Në ëndërr ndodhin gjëra të çuditshme! Dhe e gjora, ajo që do të quhej më vonë disa kohë rex Albaniae, u rimor nga Bizanti. Në fillim të shekullit XIV u pushtua nga Serbia. Nga gjysma e dytë e shekullit XIV nisën fushatat e ushtrive pushtuese osmane,- shifrat arabe u zhdukën menjëherë, por historia e re na ndihmon me kujtesën e saj, duke shënuar vitin 1379. Sido që ëndërr, unë isha një protagoniste aktive dhe shihja si u shndërruan fushatat ushtarake të sulltanëve Murat II e Mehmet II (i mbiquajtur al Fatih, d.m.th Ngadhënjyesi) në beteja të përgjakshme dhe humbëse gjatë kohës që Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i ngriti trimat në luftë për liri. Gjergji siguroi fitore për 25 vjet rresht. Në këtë kohë pashë Krujën, jo atë të sotmen, të shpërfytyruar. Pashë Krujën e Skënderbeut! Çfarë lumturie e papërsëritshme! Flamuri kuq e zi valëvitej nga flladi. Kjo lumturi u zëvendësua pastaj me pikëllimin tim më të thellë, kur në ëndërr u shfaq si një film vdekja e kryetrimit. Shqiptarkat e shqiptarët u veshën në zi dhe kjo dhimbje e madhe pati domethënien e vet. Pas vdekjes së heroit kombëtar hordhitë osmane e pushtuan këtë vend. E fundit ra Kështjella e Rozafës, më 1479. Në këtë kohë shumë trima «morën detin» (i pashë si mbyteshin me qindra dhe si zbritnin të meruar ata që mbërrinin gjallë në tokë të huaj). Pushtuesit qëndruan pesë shekuj mbi këtë truall. Pesëqind vjet! Tmerr i gjallë! Këtë e dimë nga historia, por ëndrra e dha me skena të ngadalësuara. Ashtu si në fushatat e konsullit romak Pal Emili (Lucius Aemilius Paulus), flakët përpinin herë pas here qytete e fshatra, duke shkretuar gjithçka. Kuptohet që pushtuesit u bënë zot në vendin e stërgjyshërve të mi. Ah, ç’vuajtje shpirtërore përjetova! Pashë në ëndërr pastaj si u zhvesh ky vend pak nga pak nga fytyra e vet. Së pari u ndërrua feja e krishterë me fenë e re islame. Disa të paktë që nuk u nënshtruan, duruan terrorin e pushtuesit që shoqërohej edhe me terrorin e vendësve, me fjalë të tjera të sivëllezërve të tyre. E pabesueshme, por e vërtetë. Ia behën pastaj zakonet anadollake. Nga emrat Gjergj, Mamica, Donika, Mara, Marin, Fotiola, Arnisa, Rina, Arianit, Ilir, Iliriana, Genti, Teuta, Arbër, Arbana e të tjerë, foshnjat zunë të pagëzoheshin me emrat Sherefedin, Mahmud, Sherife, Islam, Qazime, Dervish, Jalldyz e të tjerë, që duke mos ardhur nga një gjuhë indoevropiane, shumica paraqisnin vështirësi në shqiptim. U drodha në ëndërr kur gratë shqiptare i mbuluan flokët e bukur dhe fytyrat me ferexhe e, kur vajzat e vogla filluan t’i mbyllnin për martesë që në moshën dhjetë vjeçe. Mamica, motra e Gjergjit, kishte luftuar si trimëreshë majë kalit, krahas trimave të tjerë dhe të shihje këtë ndryshim të sendërtuar?! Ky ishte një poshtërim mizor. Për habi, në mes të ëndrrës që ishte me subjekt mesjetar, u shfaq i filmuar rrëfimi «Ferma e qenve» me subjekt modern, i shkëputur prej tregimit satirik «I ringjalluri i penduar», i shkrimtarit Rexhep Qosja. Unë desha të largohesha, sepse sado që isha larg, lukunia e qenve po më afrohej dhe befas u zgjova. Kështu që ëndrra u ndërpre.

Unë pastaj e sugjestionova veten të sajoj një tjetër ëndërr, por tani me sy hapur. Përsëri ndodhi një çudi. Isha diku më afër, por sipër, mbase qëndroja në ajri si në shportën e Sokratit kur e shtiri Aristofani për ta tallur, në një komedi. Dhe që lart m’u gëzua zemra. Pashë sërish Shqipërinë. Tërë Shqipërinë të bashkuar, me të gjitha tokat shqiptare që nga Veriu, Jugu, Verilindja, e Lindja, me të gjithë shqiptarët në Shqipëri e Kosovë, në Mal të Zi, në Serbinë Jugore, në Maqedoni, në Greqi e kudo që janë në botë. Një bukuri e papërshkrueshme! Shqipëria kishte marrë formën e një zambaku të çelur. Ishte një tokë e begatë, me gjithçka që duhet: male e pyje që u rrinin si mushkëri e gjelbër qyteteve e fshatrave; fusha të kthyera në tokë buke, ku rritej sidomos grurë; kopshte e pemë frutore; shkolla; spitale; pika turistike në mal e në bregdetet e bukur Adriatik dhe Jon; qytete dhe fshatra, njëri më i bukur se tjetri; rrugë që dukeshin si gjymtyrë elegante; qendra kulturore ku diskutohej kryesisht për të bukurën dhe shpirtin e botës; librari që nuk kishin libra grafomanësh; lule e shëtitore në çdo anë; njerëz që kishin fytyra të qeta dhe dukej se ishin të lumtur. Ditët dhe netët aty vinin dhe iknin plot ngjarje të këndshme. Të mëdhenjtë mëngjeseve shkonin në punë nëpër fabrika e në shërbime shoqërore; të vegjlit shkonin në kopshtore; pleqtë shëtisnin nëpër kopshtijet e shtëpive të pleqve. Pensionistët bëheshin gati të dilnin nëpër lulishte. Të rinjtë vraponin për në shkollë të magjepsur nga bukuritë e peizazhit. Të dashuruarit putheshin si zogjtë.

Mendja ime sajonte gjëra pafundësisht të mrekullishme, aq sa u përhumba dhe sajesën apo trillimin e kujtova të vërtetë. Megjithatë, nuk ndodhi ashtu si thotë Luis Borges-i i verbër: «Ëndërro, ëndërro se një ditë ëndrra do të bëhet realitet». Të gjitha u fshinë me përdhunë në një çast të vetëm. Prandaj thotë populli: “Mos shih ëndrra me sy hapur!”. Ishte zëri i hoxhës që po më shkundte nga imagjinata. Prej xhamisë ushtoi zëri i tij i lartë, i qartë, lajmues. Me magnetofon, kuptohet, se hoxha i ngrënë e i pirë, i çlodhur e i nderuar nga gjynahqarët (besimtarët e vërtetë), flinte për shtatë palë qejfe në shtëpi. Meqë magnetofonin duhet ta vejë dikush në punë, zërin e hoxhës na e dërgoi peshqesh (dhuratë) që në sabah (ag, agshol, agim), një shërbyes i kësaj bote ku mbretëron kaosi. Pastaj i vajta çezmës; nuk është shkruar së koti që në Bibël dhe Kuran se “uji është jeta”. Gjithsesi ujë nuk kishte. Nëpër çezma nuk pati ujë më 31 dhjetor e më 1 apo 2 janar që kishim gjoja festë, jo këto ditë që Viti i Ri është vjetruar. Kësi përrallash të vërteta po zgjatin që kur s’mbahet mend, që në shekullin e kaluar e unë pandehja se viti 2011 do të kishte ardhur tjetërsoj. (Le të bjerë shi sa të dojë dhe le të përmbytet Shkodra ime, - unë atje e kam parë dritën e diellit,- ujë nëpër çezma nuk ka. Mbeta e heshtur kur kujtova një grua, simotrën time, e cila duke parakaluar me një varkë gati në të rrëzuar, i ngriti dy gishtat lart si sfidë se po bëhej fli për demokracinë. Ashtu në heshtje unë u luta: «O natyrë, jepu sy të gjorës e të gjorëve si ajo që mos të mbeten tërë jetën të verbër!»). Dinjitarët tanë në çdo fushatë elektorale çirren nëpër tribuna e mejdane (sheshe betejash në këngët legjendare): “Ujë 24 orë, punë, rregull, qetësi!». Sigurisht, duke qenë të imunizuar, ata mund të thonë çfarë t’u pëlqejë. Punë s’ka, qetësi e rregull s’ka. Ujë jo e jo. Sigurisht disa njerëz kanë bërë derman (kanë gjetur zgjidhje) të paktën për këtë të fundit, duke vënë ujëmbajtës teneqeje, pa ditur që uji bakterial është armiku i shëndetit të tyre; në jetën e përditshme në gjithçka, edhe për t’u larë, duhet ujë i rrjedhshëm.

Sidoqoftë dola në rrugë. Takova njerëz me fytyra të trishtuara, të papunë. Por takova edhe të njohur të mi, miq të qeverisë tërë shëndet e me fytyra që u qeshnin vesh më vesh, duke më thënë se «pasaportat biometrike ishin suksesi më i madh i këtij dhjetëvjeçari heroik të Shqipërisë». M’u kujtuan kështu agjitatorët e zjarrtë të partisë së Enverit që thoshin se «në gojë të ujkut hedhim valle». Kjo gjendje e pakëndshme, kuptohet që më krijoi depresion (ligështim, kapitje, humbje të forcave e të humorit) e më solli afër kujtimet e hidhura të vitit që shkoi. Para sysh më dolën mitingashë që e harxhonin kohën me thirrje përpara ndonjë shtetari të madh, në një kohë kur ky vend duhet t’i futet punës dhe të heqë dorë njëherë e përgjithmonë nga militantizmat e vjetëruar. Sa e sa gjëra të tjera që ma skuqin faqen m’u kujtuan?! Po përmend më të voglën e tyre. Bie fjala, gjatë gushtit 2010 shoqëroja dy franceze për në Orikum. Në Vlorë ato shprehën dëshirën të njihnin qytetin historik se kishin lexuar në internet. Por furgoni që na solli nga Tirana, e kishte qëndrimin në një zgëq aq të shëmtuar, sa m’u errën sytë nga turpi. U ngushëllova disi e mendova: “Le ta shohin zonjat Shqipërinë tonë evropiane! kur të dalim në një rrugë kryesore”. Nuk qe e thënë. Rruga ishte gropa-gropa, e pluhurosur, e zbërdhulur, pa gjelbërim e me trotuare (anësore) si zhele të ngrëna nga qentë. Ato heshtën dhe nuk kërkuan të shkonim më tej. Thanë: “Pamë mjaft”. Dhe unë nuk pata fatin të mburresha me Sheshin e Flamurit. Si të gjithë qytetet tona edhe Vlora ka vetëm copëza vendesh të rregulluara dhe në pjesë të tjera duhet të fshehësh sytë për të mos parë. Në atë rrugë të vajtueshme një tabelë e madhe nuk harroi të na përshëndeste me parullën “Sot në NATO, nesër në BE”, si dikur “Çajmë rrethimin imperialisto-revizionist”. Asimetria e tyre shpie në një simetri të përkryer metaforike. Pyetjes së njërës prej tyre se çfarë ishte shkruar, i dredhova se nuk mund t’i thosha që ne e quajmë sukses pranimin në një organizëm ushtarak, kur grupe dhe organizata joqeveritare në vende të ndryshme të Evropës e kanë kundërshtuar atë me forcë. Por Shqipëria jonë ka qenë gjithnjë prapa botës!

Po e vazhdoj edhe pak historizën. Për Orikumin ku zonjat kishin zënë një hyrje, unë kisha pretendime, se më kishin thënë është një plazh “i jashtëzakonshëm”. Përgjithësisht fjalët mbeten fjalë, madje ai ishte më pak se i zakonshëm. Disa ditë para se të largoheshin, njëra prej tyre tha: “Nuk është një vend, i cili të tërheq për të ardhur prapë”. Unë ula kokën dhe nuk fola. Kishte të drejtë se pallatet me qira të larta, ishin rrethuar nga plehrat dhe mbeturinat e ndërtimit. Asgjëkund në botën e qytetëruar nuk dorëzohen objektet ndërtimore, pa mbaruar tërë projekti, me strukturë dhe infrastrukturë. Në vend që të bënim plazh (se ujë deti dhe diell vere na jep natyra pa para), ne duhet të mjekonim këmbët e çjerra nga telat, gozhdët, tullat dhe gurët që duhet të kapërceje për të dalë në rrugë. Aty nga fundi i pushimeve ato vendosën të provonin edhe ushqimin e restoranteve buzë detit, domethënë specialitetet e vendit. Duhet të shënoj se me tregun e qytetit ato u ndanë të kënaqura. Por në restorant hoqën dorë të shkonin për herë të dytë, kur dy lugë me kos në një pjatë të çallatuar kushtonin 150 (1500) lekë, kurse një gotë ujë çezme kushtonte 60 (600) lekë; amvisa e mbante ujin në frigorifer dhe “kushton energjia” (?!). Nëse nuk ka kontroll për ata që marrin licenca për të ushtruar veprimtari private, kështu do të ndodhë përherë. Por, a ka shtet, domethënë a funksionon shteti? Kjo është çështja. Përgjigjen gjithsesi e jep saktë dhe bindshëm një kamera e fshehtë e “Fiksit”, e shfaqur më 11 janar 2011, në të cilën është regjistruar një bisedë “e shtruar” midis dy qeveritarëve të lartë ku argumentohej në mënyrën më transparente (të tejdukshme) dhe më të sinqertë hajdutëria pushtetare e radhës.

Por le të kthehemi te historiza. Në ikje, sidoqoftë zonjat planifikuan të shihnin Orikumin e lashtë, rrënojat e qytetit antik dhe e dinin këtë gjë më mirë se unë. Vajtëm atje, por një rojtar me fytyrë serioze dhe qesharak ( i viktimizuar), u përgjigj me ton të lartë dhe të egër se “është zonë ushtarake”(?!). Kundër kujt luftojmë ne tani?! Ja, pra, dhe “turizmi i shkëlqyer”!

Kështu erdhi dita e kthimit për në kryeqytet. Kaluam Fierin, Vlorën nëpër një rrugë që është si shumë gjëra te ne, ashtu si nuk duhet të jetë dhe dolëm në rrugën kombëtare. Anash saj sidoqoftë fshatarët e ngratë, në ca baraka të shëmtuara si kotece pulash të braktisura, të pluhurosur e të keqosur si ata, të pjekur nga dielli, bënin me shenjë nga prodhimet e tyre të ekspozuara si mos më keq. Dhe kulmi arriti kur njëra prej mikeshave të huaja tha: “Ua, si qenka këtu, si Indi”. Unë vetëm buzëqesha hidhur. Çfarë të bëja tjetër. Këto imazhe i largova nga kujtesa jo lehtësisht dhe ajo zuri të ushtonte nga të tjera gjëra. Për shembull nga thëniet foshnjarake që kinse “ne ua paskemi kaluar edhe vendeve të zhvilluara”(?!). Pikërisht në këtë çast më dolën para syve nxënësit e disa fshatrave, të cilët i kapërcejnë lumenjtë me mjete rrethanore të blera vetë për të shkuar në shkollë. Qëkur vdiq Enveri nuk kujtohet kush për të ndërtuar një kalim të thjeshtë për fshatarët. Meqë kam qenë mësuese në Veri, më vjen keq për gjendjen katastrofike të arsimit në zonat e thella dhe më dhimbsen vitet e punës time e të gjithë brezit tim; përkushtimit tonë tashmë nuk i duken as gjurmët. Mendova edhe për fëmijët e ngujuar dhe për rikthimin tinëzar të kësaj mendësie që e dinim të zhdukur. Ka sidoqoftë forca dhe individë që u intereson të ruhet kjo statu quo. Marksi thoshte se në kapitalizëm gjithçka shitet e blihet. Sigurisht edhe fati i të ngujuarve tashmë është kthyer në biznes. Pastaj u ligështova kur mendova të burgosurit politikë, të cilëve plagët nuk u janë shëruar ende (e kam fjalën për ata që i mbyllën në qeli nga tmerri i fjalës së tyre të lirë dhe jo për keqbërësit). Mendova të rinjtë e papunë, të diplomuar me të vërtetë, dhe të punësuarit me diplomat e rreme të partisë, të blera. O, tempora! O, mores! Mendova gratë e dhunuara, që detyrohen të rrinë në shtëpi, skllave të kohëve moderne. Mendova edhe të pafajshmit, që kjo kohë i bën të fajshëm. Pastaj më vloi koka nga konstatimet e turpshme dhe cinike për ata që vuajtën pasojat e tmerrshme përjetësisht të pariparueshme të disa përmbytjeve, se Shkodra e përmbytur është “Venecie”. Dhe më frigoi thënia e rrezikshme e me shumë pasoja për demokracinë shqiptare se “opozitës po i vjen fundi”. Sigurisht, mendova edhe veten time që shkruaja duke u vetëcensuruar, se mendimi i kundërt, parimi numër një i demokracisë në këtë vend nuk pranohet. Pastaj kujtova shkrimet e dhjetorit 2010 kur disa gazeta “të pavarura” partiake demokratike shkruanin me një marrëzi trashanike “Bie drejtshkrimi i 72-shit!”. Në raste të tilla imazhi ndjek imazhin dhe tërë hapësirën e mundshme për një vështrim e zunë disa pamje nga emisionet “Shqipëria tjetër” dhe “Fiks”: familje të varfra që jetojnë mes një mjerimi të paimagjinueshëm. Dhe janë me dhjetëra e qindra të tilla. Kjo është e Bota e askundit, thashë, një prodhim qind për qind shqiptar. Më erdhi turp që kisha kaluar edhe një çast të vetëm të gëzuar natën e Vitit të Ri. Vështrimi i humbur i fëmijëve pa fëmijëri që jetojnë në këtë vend, duhet të bëjë që shoqëria jonë të vejë në një pikëpyetje të madhe konceptet e ndërtimit dhe të funksionimit të saj. Edhe një fëmijë i vetëm të jetojë në atë gjendje, ne duhet të shpallnim alarm, një SOS që ta dijë Evropa se jemi pjesë e padenjë e saj. Duhet të falënderojmë emisionet “Shqipëria tjetër” dhe “Fiks”, që ashtu si thotë Migjeni, ndihmojnë të mos jemi të gjithë si një “derr i kënaqun”.

Tiranë, janar 2011

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›