E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prifti-prokurorëve Ilirin e përgjova me kamera-stilolaps

14/01/2011  Kaseta origjinale 13-minutëshe në Prokurori

TIRANE- Dritan Prifti ish-ministri i Ekonomisë njëkohësisht dhe ish-ortaku më i ngushtë i kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, ka dëshmuar kundër këtij të fundit në Prokurorinë e Tiranës, duke e akuzuar për korrupsion dhe pazare të ndryshme me njerëz të biznesit. Për katër orë me radhë Prifti është “ngujuar” në zyrën e shefit të njësisë antikorrupsion Dritan Rreshka, i cili ka drejtuar seancën e pyetjeve, ndërkohë që prokurori Genti Osmani mbante shënim përgjigjet në kompjuter. Deputeti i Fierit ka pranuar para prokurorëve se ka qenë ai autori që ka regjistruar bisedën me ministrin Meta, duke pohuar se ka qenë i detyruar për shkak të presioneve për disa tendera të marra nga shefi i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Mësohet se Prifti ka përdorur një stilolaps me kamera dhe aparat përgjimi “alla Sajmir Tahiri”, të cilit ju kap në kombinat gjatë zhvillimit të procesit të votimit në datën 28 qershor 2010. Nëpërmjet këtij stilolapsi, Dritan Prifti ka arritur të regjistrojë një bisedë prej 13 minuta e 30 sekonda, të cilën bruto ja ka dorëzuar dje njësisë antikorrupsion në Prokurorinë e Tiranës. Ndërkohë burime jo zyrtare konfirmuan se në dispozicion të organit të akuzës ish-ministri Prifti ka paraqitur dhe një kasetë të dytë në të cilën ai dhe Ilir Meta shfaqen duke kryer biseda korruptive. Mirëpo një gjë e tillë u përgënjeshtrua nga prokurorët e çështjes. Gjatë qëndrimit prej katër orësh në zyrën e prokurorit Rreshka, Dritan Prifti ka dhënë sqarime e detaje të vlefshme për personazhet e përfolur në video. Ish-ministri i Ekonomisë i ka treguar hetuesve rolin që kishin shtetasit Artur Hajdari dhe Agim Çupi, të cilët përfliteshin që të merrnin tenderin e koncesioneve të disa HEC-ve në vend. Po kështu detaje janë dhënë edhe për kryetaren e Gjykatës së Lartë, z. Shpresa Beçaj. Vetë Prifti ka pohuar pas daljes nga Prokuroria se ai është i gatshëm të bashkëpunojë me organet e drejtësisë. “Sot u thirra nga Prokuroria dhe reagova menjëherë pozitivisht për të dhënë dëshminë time për videon e transmetuar nga “Fiks Fare”. I kam sjellë prokurorisë videon origjinale dhe shpresoj që ata që deklarojnë se janë kristal, t’u thonë të vërtetën shqiptarëve. U qëndroj deklaratave të mia dhe jam dhe do jem në dispozicion të drejtësisë gjithmonë”,- ka deklaruar ish-ministri Prifti. Ky i fundit gjatë mbërritjes në Prokurori dhe largimit nga ky institucion, ka qenë i shoqëruar nga një oficer policie. Prej disa kohësh Dritan Prifti është marrë në mbrojtje nga Policia e Shtetit, për shkak se ndaj tij gjatë muajit tetor-nëntor mbërritën nëpërmjet internetit disa mesazhe, ku ish-ministri kërcënohej me vdekje madje deri në largim nga detyra e ministrit të Ekonomisë. Lidhur me këtë çështje Prokuroria për Krime të Rënda është duke kryer veprime hetimore, për të zbardhur identitetin e personit që ka dërguar mesazhet kërcënuese.

Hetim si “Mulkurti”

Hetimi i çështjes së skandalit Meta-Prifti, mbi bazën e një përgjimi të paautorizuar nga gjykata, duket se vështirëson paksa Prokurorinë për administrimin e provave materiale sipas ligjeve në fuqi. Për këtë rast burimet thanë se do ndiqet precedenti i rastit të prokurorit të Kavajës Musa Mulkurti, i cili u përgjua nga një qytetar. Këtë rast gjykata e ka njohur si provë dhe çështja penale aktualisht është në proces gjykimi.

Neni 245, korrupsioni aktiv

Premtimi, propozimi ose dhënia, drejtpërdrejt ose tërthorazi i çfarëdo përfitimi të parregullt, funksionarëve të lartë shtetërorë ose të të zgjedhurve vendorë, për vete ose për persona të tjerë për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga një deri në pesë vjet dhe me gjobë nga pesëqind mijë deri në dy milion lekë.

Neni 260, Korrupsioni pasiv

Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij dënohet me burgim nga 4 deri në 14 vjet dhe me gjobë nga një milion deri në pesë milionë lekë.

Do ballafaqohen dëshmitë

Akuza: Pas verifikimeve radhën e ka Ilir Meta

Procesi i verifikimit të thënieve të ish-ministrit Dritan Prifti, si dhe sekuestrimi i disa prej dokumentacionit në Ministrinë e Ekonomisë, do të sjellë më shumë të dhëna për grupin e hetimit. Pas studimit të tyre, burime pranë Prokurorisë së Tiranës thanë se do i dërgojnë fletë-thirrje ministrit aktual të Ekonomisë, Ilir Meta, i cili do pyetet si person që ka dijeni mbi ngjarjen. “Dëshmia e Metës do ballafaqohet me atë të ish-ortakut të tij Dritan Prifti dhe se në rast se këta dy dëshmitarë kanë mospërputhje atëherë, do bëhet ballafaqimi i tyre në Prokurori”,-thanë anëtarët e grupit të hetimit. Paralelisht me këta persona në njësinë antikorrupsion do thirren dhe dhjetëra shtetas të tjerë, që tashmë janë përmendur në dëshminë e gjatë të deputetit Prifti. Disa muaj më parë, ai ka përgjuar një bisedë mes ish-ortakut të ngushtë Ilir Meta, ku të dy së bashku shfaqen duke biseduar për dhënin e një tenderi hidrocentrali, nga i cili ata do të përfitonin shumën prej 700 mijë eurosh që ishte premtuar nga biznesmeni Agim Çupi. Gjatë bisedës diskutohet edhe për disa çështje të ALPETROL-it, ARMO-s, si dhe emërimin e militantëve të LSI-së në punë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›