E Shtunë, 31 Tetor 2026

Delina e Çesk Zadesë, rikthehet në TKOB pas 46 vjetësh

Delina, mes vegimesh legjendare dramatike lartësohet dueti i dashurisë

Delina do të jetë baleti me 2 akte, i cili do të vijojë sezonin artistik në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit. Me muzikë të artistit të madh Çesk Zadeja dhe koreografi nga Agron Aliaj, kjo vepër do të vijë në skenë premierë më 5 mars, për të vijuar dhe në datat 6 dhe 7. Dirigjimi i veprës i është besuar dirigjentit të njohur Bujar Llapaj. Këtë pjesë shqiptare

do ta sjellin në skenë solistët Enada Hoxha, Gerd Vaso e trupa e baletit, ndërsa skenografia dhe kostumet janë përgatitur nga Taulant Pustina. Ky balet rikthehet në skenën shqiptare pas 46 vjetësh. Për herë të parë është shfaqur në skenën e TKOB në vitin 1964 me koreografi të Panajot Kanaçit. Libreti është shkruar po nga Kanaçi, bashkë me Çesk Zadenë. Solistët e parë të këtij baleti kane qenë Agron Aliaj në rolin Arbanit dhe Zoica Haxho në rolin e Delinës. Delina konsiderohet si një nga baletet më të njohur të repertorit shqiptar. Në libretin e ri, historia e Delinës rri në triptik bashkë me legjendat e Norës së Andrea Skanjetit, dhe me legjendën e Doruntinës.  Libreti është ndërtuar në një ndërthurje te personazheve, simboleve dhe zhvillimeve që ndodhin në botën e rapsodive dhe legjendave arbërore, të cilët zbërthejnë veti të larta të një kulture autentike e të lidhur drejt për së drejti me faktorët historikë dhe ata të konstitucionit shpirtëror. Këto legjenda kanë lënë gjurmë të pashlyeshme përmes krijimtarisë artistike të popullit, shprehje e shijes së hollë estetike, e përgjithësimit historik të lashtë sa ekzistenca e tij. Brenda unitetit të motiveve dhe personazheve legjendarë gërshetohen tri prej tyre. Ngjarjet e dashurisë së madhe të dy vëllezërve Arbanit dhe Shotit për të bukurën Delinë, Rikthimi i Doruntinës për të mbajtur besën, Nora që lindi vajzë kundër dëshirës së përbetuar të atit, që e donte djalë deri në marrëzi dhe që e transformoi vajzën në trimëreshë. Kjo kryevepër shqiptare vjen në vijim të shfaqjeve të suksesshme që janë shfaqur në skenën e TKOB. Drejtuesit e këtij institucioni ashtu si dhe në sezonet e mëparshme kanë sjellë për publikun vepra me mesazhe të forta njerëzore, por që kanë sjellë dhe emocione tek publiku. Në vijim të tyre vjen dhe Delina, e cila premton për emocione të fuqishme në skenën e TKOB.

Delina, një mjedis i hershëm arbëror
Në mes dallojmë Delinën, Arbanin, Shotin. Ata janë të lidhur me një miqësi të fortë nga fëmijëria deri në moshën e rinisë, çaste kur lind dashuria e madhe e të dy vëllezërve për Delinën-njëkohësisht dhe xhelozia mes tyre. Lind një njeri, të gjithë kthejnë vështrimin drejt legjendës së Norës të bukur që lind në mes të shkreptimave dhe të dramës së madhe ku i ati vret nënën që i lindi vajzën. Nora rritet jetime, e bukur dhe e fortë. Delina, Arbani, Shoti kthejnë kokat pas dhe para tyre si në vegim shfaqet për të kaptuar larg, Duruntina e hipur mbi kalë bashkë me të vëllain, Kostandin. Mes vegimesh legjendare dramatike lartësohet dueti i dashurisë së dlirë të Delinës dhe Arbanit. Shoti vuan.
Sa lind dashuria e dlirë, ajo përgojohet nëpër thashethemet e fjalëhapësve që në festën e pranverës përfitojnë nga maskat. Të dashuruarit presin që dielli të ndrisë dhe ti ngrohë me shkëlqimin e tij të zjarrtë. E kush nuk e dëshiron Shotin, kreshnikun e maleve! Papritur, fjalëhapësi, transformohet në Mbret të detit dhe fton Shotin ta ndjekë nga pas në mbretërinë e ujit, ku shpirti i tij do të qetësohet mes sirenave dhe bukurive të papara të fundit të detit. Shoti fton Delinën dhe Arbanin ta ndjekin. Njëra pas tjetrës vallëzojnë shtojzavallet e ujit dhe sirenat e në mes tyre Shoti lumturohet, por gjithçka është iluzive. Zgjimi e sjell në realitet dhe e dëshpëron Shotin. Më në fund Delina me vendosmëri i pohon dashurinë për Arbanin. Gjithçka errësohet. Armiqtë shkelin mbi tokën arbërore. Dërgatat plaçkitin dhe bëjnë raprezalje. Më i madhi i tyre, dashurohet me Norën, por zemra e saj i përket trimit Pal. Martohet Delina dhe Arbani. Shoti shtiret se dashuron Zogën, për të mos prishur gëzimin që ka Arbani. Në thellësi të shpirtit, atij i vlon dëshira për tu hakmarrë për dashurinë e parealizuar. Dërgatat me interesat e tyre, përpiqen të përçajnë kreshnikët. Kështu dhe Shoti, pak nga pak, bie viktimë e intrigave. Delina i premton Arbanit se do ta dashurojë deri në fund të jetës. Lufta nuk lë të qetë të lulëzojë dashuria e tyre. Mizoritë gërshetohen me vdekjen e Palit dhe legjendën e kthimit tragjik të Doruntines. Delina nuk duron dot vuajtjet dhe masakrimin e popullit. Kur ajo shikon se Arbani kthehet i plagosur nga beteja, tronditet rëndë, megjithatë vendos të luftojë dhe ajo deri në fund. Drama e madhe e atyre që nuk ndihen në dashurinë e tyre. Në beteja gjejnë vdekjen dhe shtatë vëllezërit e Doruntinës, e cila kur i sheh plas  nga dhimbja si dy poçe bashkë me të ëmën. Nora hakmerret kundër kreut të dërgatës për vrasjen e njeriut që i vrau njeriun më të shtrenjtë. Delina nuk duron dot dhe në kllapinë e saj, kërkon të hidhet nga shkëmbi. E shpëton Arbani që në zgrip të jetës vuan gjendjen e saj të pashpresë.Atje ku mbaron dashuria e tyre ngrihen tre qiparis dhe legjendat ndjekin njëra tjetrën. Pafund thuret historia e tyre.

Nga Julia Vrapi

Last Updated on E Marte, 02 Mars 2010 19:41

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›