Një foto në zyrën e republikanit Madhi
Të zhgënjyer nga aleati i tyre PD, që as nuk e shqyrtoi kërkesën për rishikim të sistemit zgjedhor, republikanët. do të rishohin koalicionin. Pavarësisht se proporcionali rajonal, që u la në fuqi edhe me ligjin e ri zgjedhor, favorizon koalicionet me partitë e mëdha, kreu i republikanëve, Fatmir Mediu deklaron prerë se nuk ka një bashkëpunim apriori me demokratët. Do të shikojmë çdo lloj mënyre që ka të bëjë me jetën dhe rezultatin e Partisë Republikane, pastaj të tjerat janë krejt sekondare, deklaroi Mediu për televizionin AS. Por, – shtoi menjëherë ai, – janë të gjitha mundësitë “për rishikimin e sistemit edhe në shtator nëse ekziston vullneti”. Pse jo… Vullneti është gjë e madhe. Vullneti (i Berishës në këtë rast) mund t’ia rikthejë buzëqeshjen zotit Mediu si në këtë fotografinë që një fotograf i mençur i agjensisë LSA ka kapur në murin e zyrës së nënkryetarit të PR-së, zëvendësit të Mediut, Arjan Madhi. Ky i fundit ka dhënë një konferencë për shtyp dje ku ka deklaruar se Partia Republikane është kundër marrëveshjes PD-PS për reformën zgjedhore. Ka ftuar gazetarë e fotografë në zyrën e tij dhe njëri prej tyre veç pamjeve të zakonshme nga këto konferenca ka shkrepur dhe këtë foto të bukur ku duket profili i zotit Madhi dhe në sfond, e varur në murin e zyrës së tij, fotoja e nënshkrimit të marrëveshjes Berisha-Mediu pas zgjedhjeve të fundit. Zoti Berisha duket sikur po nënshkruan çeqe dhe zoti Mediu me një buzëqeshje të përhapur njëtrajtësisht në fytyrë e ndihmon (me vullnet) të ndërrojë fletët që firmos .
http://respublica.al/artikuj/2012/07/15/nje-foto-ne-zyren-e-republikanit-madhi