Ushtria shqiptare akuzohet se ka përgjuar opozitën
Deputetët e opozitës akuzojnë agjencinë e inteligjencës së ushtrisë për përgjime ilegale dhe trafik armësh dhe theksojnë se Ministria e Mbrojtjes po pengon një hetim parlamentar për këto akuza
Nga Besar Likmeta
BIRN
Deputetët socialistë në Komisionin e Sigurisë Kombëtare në parlament kanë nisur një hetim, duke kërkuar dokumente nga Ministria e Mbrojtjes në lidhje me akuzat për trafik armësh dhe përgjim të paligjshëm nga Shërbimi Informativ i Ushtrisë.
Disa elementë në ministri janë shmangur nga kuadri ligjor dhe janë angazhuar në praktika korruptive dhe trafik armësh, madje edhe në aktivitet të paligjshëm si përgjimi i paligjshëm i telefonave, deklaroi deputeti socialist, Ilir Gjoni.
Gjoni akuzoi ministrin e Mbrojtjes, Arben Imami se ka bllokuar një kërkesë për informacion nga parlamenti, duke e quajtur një shkelje të kontrollit civil mbi forcat e armatosura.
Është alarmant fakti që Ministria jonë e Mbrojtjes, që përfaqëson vendin tonë në NATO… vepron si një institucion abuziv dhe i korruptuar, shtoi ai.
Kreu i SHIU, koloneli Ylli Zyla, dha dorëheqje më 5 korrik, pasi mediat raportuan lidhjet e gruas së tij me trafikantë armësh. Media po ashtu ka ngritur pikëpyetje në lidhje me blerjen e pajisjeve për përgjim telefonatash nga agjencia.
Të dhënat e publikuara nga Autoriteti për Kontrollin e Eksporteve, që licencon shitjen e armëve, tregojnë se Shqipëria ka shitur qindra ton municione, eksplozivë, raketa artilerie, murtaja, antitanke në vende si Mali i Zi, Jemen, SHBA, Burkina Faso dhe Republika Demokratike e Kongos.
Duke folur në parlament të enjten, ministri Arben Imami tha se ai mirëpret çdo hetim që ndjek procedurat ligjore, duke shtuar se opozita duket më e interesuar që të krijojë konflikte sesa të sjellë fakte.
Nuk mund të ketë trafik armësh në një vend anëtar të NATO-s dhe këto akuza janë një amatorizëm politik, shtoi ministri.
Imami tha se ministria ishte nën sulm dhe se opozita po mbledh prova në mënyrë të paligjshme.
Nga deklaratat e deputetëve të PS mund ta kuptosh se kush po bën përgjime, deklaroi ai.