Apeli lë në burg të përjetshëm Aldo Baren
I konsideruari si kreu i Bandës së Lushnjës, Aldo Bare, do të qendrojë përjetë në burg. Vendimi është dhënë nga ana e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, e cila ka lënë në fuqi vendimin e Shkallës së Parë.
Vendimi I sotëm është dhënë pa praninë e mediave, ndërkohë që procesi ndaj tij ka kaluar nëpër një sërë kalvaresh. Gjykata e Lartë e cilësoi të pavlefshëm vendimin e Shkallës së Parë, pasi gjeti shkelje të rënda, por tashmë Apeli e ka gjetur sërish fajtor Baren dhe e ka lënë në burg përjetë atë.
Aldo Bare (Alfred Shkurti) akuzohet për katër vrasje, dy tentativa vrasjeje, shkatërrim të pronës me zjarr, si dhe krijim të organizatës kriminale. Të gjitha akuzat bashkë grumbulluan dënimin me 247 vite burg, që do të thotë: burgim i përjetshëm.
Katër të vrarët janë: Genci Kashari, Xhevat Demiri, Nimet Zeneli e Masar Aliu. Sipas gjykatës, vrasja e Genci Kasharit shërbeu si zanafilla e krijimit të bandës, në shenjë hakmarrjeje për vrasjen e të vëllait ndaj gjithë kundërshtarëve të tij.