E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apeli i të verbërve: Krijoni infrastrukturën e përshtatshme



Me dhjetëra qytetarë të verbër u mblodhën në sheshin “Skënderbej” në kryeqytet për të manifestuar në mënyrë paqësore Ditën Botërore të Shkopit të Bardhë. Me këtë rast Shoqata e të Verbërve të Shqipërisë ka kërkuar nga pushteti vendor që të merren masa për të krijuar lehtësira për lëvizjen autonome dhe të sigurt në rrugë të personave të verbër. Sinan Tafaj, kryetari Shoqatës e të Verbërve në Shqipëri, u ka bërë thirrje institucioneve gjatë zhvillimit të aktivitetit të zhvilluar, ku tha: “Duhet të merren masa dhe të vendosen në rrugë semaforë akustikë, sinjale dhe tabela të posaçme, në mënyrë që të kuptojmë se ku jemi dhe se në ç’drejtim po shkojmë në rrugë". Sipas z. Tafaj, aktualisht, asnjë nga këto masa nuk janë marrë për të lehtësuar lëvizjen e personave të verbër në rrugë, por pavarësisht vështirësive, Shoqata e të Verbërve ka vlerësuar se ka një përmirësim të marrëdhënieve më pjesën tjetër të shoqërisë, të cilët tregojnë më shumë vëmendje dhe respekt ndaj personave të verbër. Ndërkohë, aktivitetet e djeshme kishin për qëllim sensibilizimim e shoqërisë në drejtim të njohjes dhe respektimit të shkopit të bardhë, objektit dhe fenomenit që ai përfaqëson. Përdorimi i shkopit të bardhë erdhi si domosdoshmëri për të shmangur aksidentet ndaj personave të verbër, por dhe identifikimin lehtësisht të tyre në mjediset ku lëvizin. Personat e verbër në Shqipëri, për arsye të mungesës së semaforëve akustikë dhe mjeteve të tjera të posaçme për ta, shoqërohen gjithmonë nga një person i dytë. Gjatë aktivitetit të djeshëm, ata demonstruan përdorimin e shkopit të bardhë, ndërsa u shpërndanë materiale informuese dhe sensibizilizuese për të gjithë qytetarët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›