Platini: “Bastet ilegale, të rrezikshme”
“Bastet ilegale mund të vrasin futbollin”. Presidenti i UEFA-s, Mishel Platini, e konsideroi çështjen si të dorës së parë në Kongresin e 33-të të UEFA-s në Kopenhagen. Ish-kampioni francez i rezervoi një pasazh të rëndësishëm gjatë fjalimit të tij lojës klandestine me topin, duke pohuar se “nëse rezultatet e ndeshjeve do të vendosen më përpara, futbolli nuk do të ketë më kuptim”. Sezoni i ardhshëm do të nisë me një sistem kontrolli kundër mashtrimeve në kampionatet e niveleve të para dhe të dyta të 53 federatave që bëjnë pjesë në UEFA.
Dopingu, “WADA” kërcënon futbollin
Agjencia botërore e antidopingut, “WADA”, kërcënoi se do ta përjashtonte futbollin nga Lojërat Olimpike nëse nuk do t’u përshtatet normave të reja. FIFA e UEFA janë bashkuar për të hedhur poshtë kontrollet e shpeshta të kërkuara nga WADA. “Janë duke injoruar realitetin e dopingut”, - tha presidenti Xhon Fahej. “Sportet e tjera kolektive nuk i kanë avancuar kritikat. Nëse futbolli do të vazhdojë me to, do të na duhet të hapim një procedim, që mund të çojë përjashtimin e tij nga olimpiadat”.
Robinjo: “Pele, tërhiq akuzat!”
Sulmuesi brazilian, Robinjo, kërcënoi se do ta kthente në një çështje nëse Pele nuk do të tërheqë akuzat se Robinjo ka përdorur drogë. “Nëse ajo që ka thënë nuk është keqinterpretuar nga media, - shkruan lojtari i Mançester Sitit në faqen e tij të internetit, - do t’i kërkoj Pelesë një tërheqje formale, përndryshe do ta çoj në gjykatë”. Robinjo është shprehur i zëmëruar dhe i indinjuar nga sjellja e Pelesë, i cili gjatë ditëve të fundit e kishte përcaktuar atë dhe Ronaldon si shembuj të keq.
Bufon, “Ok” Amaurit “axur”
“Nëse Amauri do të vendosë të bëjë pjesë në grupin ‘axur’, do të jetë i mirëpritur. Do ta ndihmojë dhe mirë se të vijë”. Portieri i Kombëtares italiane, Xhixhi Bufon, i jep rrugë të lirë një thirrjeje të mundshme të sulmuesit të Juventusit, brazilianit me pasaportë, Amauri. Bufon flet edhe për sulmuesin e Sampdorias, Antoni Kasano. “Për të fituar duhen kampionë dhe nëse një nga këta si Kasano vendosen në dispozicion të skuadrës dhe skuadra në dispozicion të tij, atëherë krijohet një mishelë eksplozive”.
26 Mars 2009