Arian Beqaj: “Objektivi, vendi i katërt”
Dash Frashëri
Portieri Arian Beqaj është njëri nga gjashtë lojtarët kosovarë të përfaqësueses kuqezi të thirrur për përballjet e dyfishta kundër Hungarisë të shtunën e Danimarkës katër ditë më pas në transfertë. “Mbrojtësi ekstrem” do të ketë përpara tij në të gjithë gjatësinë e fushës një “pemë kosovare”, pasi në mbrojtje luajnë Armend Dallku e Debatik Curri, në mesfushë Lorik Cana dhe në sulm Besart Berisha. Pasuesi i denjë i rekordmenit absolut përsa i përket numrit të ndeshjeve ndërkombëtare Foto Strakoshës (73 ndeshje), por dhe një plejade të shquar portierësh që kanë mbrojtur katërkëndëshin e Shqipërisë në arenën ndërkombëtare, si Perlat Musta, Jani Kaçi, Qemal Vogli, Sulejman Maliqati, Mikel Janku, vlerësohet si një nga pikat më të forta të Kombëtares, çka i jep një siguri edhe lojës së skuadrës në prapavijë. 32-vjeçari Arian Beqaj (37 ndeshje me përfaqësuesen), falë edhe karrierës së tij në Greqi (Ionikos, Ofi Kretë) e Qipro (Anorthosis Famagusta), ku me ekipin qipriot luajti edhe në fazën e parë të grupeve të Ligës së Kampioneve, ka një përvojë të çmuar, që e tregoi edhe me mospësimin e golave nga lojtarë të kalibrit botëror si Kristiano Ronaldo i Portugalisë apo Zlatan Ibrahimoviç i Suedisë. Beqaj është aktivizuar vetëm në katër nga pesë ndeshjet e Shqipërisë pasi ka munguar për shkak të dëmtimit në barazimin e Maltës (0-0), duke ia dorëzuar çelësat e portës Isli Hidit, i cili pati edhe një të kaluar në Qipro me Alki Larnakën. Në fakt, dy golat e vetëm që ka pësuar Shqipëria (dhe Beqaj, jo për faj të tij) janë ato në humbjen 2-0 kundër Hungarisë.
Beqaj, munguat në ndeshjen kundër Maltës për shkak të një dëmtimi. A e ndieni veten 100 për qind gati për ndeshjen kundër Hungarisë?
Sigurisht. Ishte një dëmtim, që më la larg fushave për një kohë të gjatë. Ishte hera e parë në karrierën time që ngela kaq gjatë. Janë gjëra që ndodhin në futboll. E rëndësishme është që tani jam rikthyer. Jam 100 për qind.
Në takimin e parë kundër Hungarisë kemi humbur 2-0, ku kemi pësuar edhe humbjen e vetme në këto eliminatore. Çfarë duhet të ndryshojë Shqipëria, sipas jush, në takimin e kthimit?
Mendoj se nuk duhet t’i rikthehemi gjatë atij takimi. E rëndësishme është që tani ne kemi rastin t’ua kthejmë reston. Kemi një ndeshje tjetër kundër tyre, një ndeshje, që, për mendimin tim, është ndeshja më e rëndësishme në këto eliminatore për Shqipërinë. Në rast fitoreje, sigurisht që objektivi i parë, ai i vendit të katërt, do të ishte më i afërt. Në rast se do të arrijmë fitore, atëherë edhe gjërat e tjera do të shkonin më mirë.
Në Kombëtare mungon Bogdani.
Ju e dini që ai është një nga miqtë e mi më të mirë. Është një lojtar me potencial, një futbollist që ka dhënë gjithmonë maksimumin për ekipin kombëtar. Është profesionist. Unë e konsideroj si pjesë të ekipit përfaqësues. Në të vërtetë, për këtë do të ishte më mirë të pyesnit për këtë vendim që ka marrë. Unë besoj se në ndeshjet e tjera do të jetë, pasi mendoj se është shumë i nevojshëm për ekipin.
Ju ishit në Maltë, por nuk luajtët, ndërkohë që Shqipëria nuk arriti të merrte një rezultat. Nisur nga ky fakt, çfarë vështirësish mendoni se ndodhën me ekipin?
Po të shohësh në të gjitha ndeshjet, kur Shqipërisë i është kërkuar të kontrollojë lojën, të krijojë volum loje kemi vështirësi. Është më e lehtë për ne të luajmë me ekipe, që i presim (të na sulmojnë) e të luajmë në kundërsulm. Gjithsesi, mendoj se nuk ia vlen më të ndalemi te kjo gjë (te Malta). E rëndësishme është të futemi në lojë e të marrim maksimumin, të jemi të përqendruar 100 për qind. Të japë secili nga ne maksimumin. Në rast se ne do të japim ato çfarë ne kemi si lojtarë, mund të arrijmë te suksesi.
Kombëtarja vjen pas dy ndeshjesh pa shkëlqim, kur kemi parasysh barazimin me Azerbajxhanin (1-1, miqësore) dhe me Maltën (0-0, zyrtare). A mos ndodheni në presion rezultati?
Është normale që përsa kohë luan futboll ke presion rezultati. Kjo ndodh edhe në ekipet ku luajmë, por dhe në ekipet kombëtare. Nuk ma do mendja se ka futbollist që të luajë futboll për të mos fituar. Dhe kur luan për të fituar, gjithmonë presioni është më i lartë.
Si është gjendja në skuadër?
Sigurisht, është një moment që duhet të bëjmë kthesën e duhet fituar. Duhet të bëjmë një ndeshje të mirë, pasi, siç dihet, kemi dhe një ndeshje tjetër të vështirë kundër Danimarkës. Besoj se do të jemi në një ditë të mirë. Atmosfera është shumë e mirë në ekip. Ka optimizëm në skuadër. Por këtë duhet ta shprehim në fushë.
A mendoni se skuadra duhet ta kthejë më shumë vëmendjen nga krijimtaria në lojë për të shënuar?
Këto janë gjëra teknike për të cilat flet vetëm trajneri. Megjithatë, për mua e rëndësishme është që ekipi të fitojë. Pastaj, se si fiton, me më shumë lojë sulmuese apo me më pak lojë sulmuese, ka pak rëndësi. Në rast se i bën të dyja, edhe të fitosh, edhe të dhurosh spektakël, kjo do të ishte ideale. Por, e rëndësishme, e përsëris, është që ekipi të fitojë.
Cili është objektivi i Shqipërisë në këto eliminatore?
Fillimisht, objektivi i Kombëtares ka qenë vendi i katërt. Dihet që përveç Maltës e Hungarisë, kundërshtarët e tjerë janë skuadra shumë të forta dhe me eksperiencë të madhe jo vetëm se janë kualifikuar, por dhe kanë marrë pjesë edhe në finalet e kampionatet botërore e europiane. E përsëris, objektivi i Shqipërisë është vendi i katërt, pastaj çdo gjë që mund të arrihet më tepër është sukses i madh. Pas Maltës, nëse do të arrijmë vendin e katërt, do të ishte një sukses.
A do të arrijë Shqipëria të grumbullojë pikë me dy shifra në këto eliminatore?
Unë mendoj se gjërat duhet t’i shohim realisht. Duhet theksuar një gjë, se jo vetëm në Shqipëri, por dhe në Ballkan, njerëzit duan të arrijnë një gjë, nga një ditë në tjetrën. Nuk është e lehtë. Do kohë. Do shumë punë. Pastaj, nëse do të grumbullojmë pikë me dy shifra, apo vendi i tretë, apo të pretendojmë të kualifikohet në finalet e një Europiani, apo Botërori, do të vijë në kohën e duhur. Duhet të punohet me një strategji. Me një objektiv.
Cilat janë, sipas jush, avantazhet e Shqipërisë në ndeshjen kundër Hungarisë?
Në radhë të parë, ne luajmë në fushën tonë. Do të kemi mbështetjen e tifozëve tanë. Ky është një avantazh për çdo ekip kudo në botë. Nëse ne futemi dhe japim maksimumin tonë e vlerat më të mira që kemi si grup e si futbollistë, mund të arrijmë fitoren. Fakti që edhe Cana e Lala luajnë (munguan kundër Maltës) është një tjetër avantazh. Po të shohësh ndeshjen e parë kundër Hungarisë, unë mund të them se ishte e barabartë. Nuk ishte një ndeshje për t’u humbur. Pas pësimit të golit të parë, morëm një goditje dhe aty humbëm si ekip. Megjithatë, ndeshja a parë tashmë i përket të kaluarës. Kjo është një ndeshje e re.
A keni frikë se mos e humbisni ndeshjen?
Në ekip po punohet çdo ditë. Gjendja është e mirë. Gjërat e tjera do t’i shohim në fushë. Duhet ditur një gjë, se sot gjërat në futboll kanë ndryshuar shumë. Nëse nuk do të luash me motivimin e duhur, nuk do të jesh në një ditë të mirë, mund të humbasësh edhe me ekipe të vogla. Rasti më i mirë është i Shqipërisë me Portugalinë në Bragë. Luajtëm për rreth 60 minuta me dhjetë futbollistë dhe e dimë të gjithë se çfarë futbollistësh ka Portugalia dhe arritëm një barazim. E rëndësishme është që të gjithë shqiptarët të mbështesin Kombëtaren. Është prezantimi i vlerave të Shqipërisë në botë. Të gjithë ne duhet të japim më të mirën, futbollistët, drejtuesit e tifozët, që Shqipëria të paraqitet sa më mirë në arenën ndërkombëtare.
Beqaj për...
... FITOREN
E rëndësishme është që ekipi të fitojë. Pastaj, se si fiton, me më shumë lojë sulmuese apo me më pak lojë sulmuese, ka pak rëndësi.
... OBJEKTIVIN
Objektivi i Kombëtares ka qenë vendi i katërt. Përveç Maltës e Hungarisë, kundërshtarët e tjerë janë skuadra shumë të forta.
... AVANTAZHET
Luajmë në fushën tonë. Do të kemi mbështetjen e tifozëve tanë. Ky është një avantazh për çdo ekip kudo në botë.
... MOTIVIMIN
Nëse nuk do të luash me motivimin e duhur, nuk do të jesh në një ditë të mirë, mund të humbasësh edhe me ekipe të vogla.
... TIFOZËT
E rëndësishme është që të gjithë shqiptarët të mbështesin Kombëtaren. Është prezantimi i vlerave të Shqipërisë në botë.
... BOGDANIN
Është një lojtar me potencial. Futbollist që ka dhënë gjithmonë maksimumin për ekipin Kombëtar. I nevojshëm për ekipin.
26 Mars 2009