I vënë benzinën shkollës për inat të mësuesve, arrestohen 4 të mitur
DURRËS – Një zënkë krejt e rëndomtë mes nxënësve të një shkolle 9-vjeçare dhe mësuesve është pasuar me djegien e mjediseve shkollore. Ngjarja ka ndodhur në fshatin Xhafëzotaj, pikërisht në lagjen “Nerjaku”, ku shkollës 9-vjeçare “Hidër Koka” i është hedhur benzinë nga 4 të mitur. Më pas ata i kanë vënë zjarrin dhe janë larguar, por ndërhyrja në kohë e banorëve në zonën përreth, ka bërë të mundur që të shpëtohet shkolla. Burimet zyrtare të policisë së Durrësit bëjnë të ditur se disa minorenë të shkollës 9-vjeçare Xhafzotaj janë mbajtur për katër orë në policinë e Durrësit. Pas hetimeve të para, rezultoi se shtetasit K. K., Sh. B., D. N., dhe B. T., janë autorë të vënies së zjarrit dhe po hetohen në lidhje me këtë ngjarje.
Ngjarja
Vetëm pak ditë pas djegies së shkollës së mesme të përgjithshme “Gjergj Kastrioti”, një tjetër shkollë është djegur në rrethin e Durrësit. Flakët kanë përfshirë mjediset e shkollës 9-vjeçare “Hidër Koka” në komunën Xhafëzotaj. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e dy ditëve më parë. Të premten, afër mesnatës, banorët përreth kanë parë flakë në mjediset e brendshme të shkollës. Ata kanë ndërhyrë menjëherë, duke shmangur shkatërrimin e plotë të saj nga zjarri. Shkolla “Hidër Koka” ka vetëm pak vjet që është ristrukturuar përmes fondeve të dhëna nga Ministria e Arsimit.
Arrestimi
Për zbardhjen e ngjarjes kanë punuar gjithë natën punonjësit e policisë së rajonit të Shijakut dhe drejtuesit e shkollës 9-vjeçare. Janë dashur vetëm pak orë që policia të zbulojë autorët e vënies së zjarrit. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Durrësit, autorët e zjarrvënies janë shtetasit K. K., Sh. B., D. N., dhe B. T., të gjithë të moshës 11 deri në 13 vjeç, të cilët mësonin në këtë shkollë. Nën shoqërimin e prindërve dhe në praninë e psikologut, ata kanë dëshmuar në polici. Sipas të dhënave zyrtare, të miturit kanë patur konflikte me mësuesit. Për tu hakmarrë, ata kanë planifikuar djegien e mjediseve të brendshme. Të katër fëmijët kanë marrë një bidon me benzinë dhe kanë hyrë të premten në mbrëmje në mjediset e shkollës, ku fillimisht kanë spërkatur kabinetin pedagogjik dhe disa klasa të tjera me benzinë, dhe më pas iu kanë vënë zjarrin. Burimet zyrtare policore nuk kanë thënë nëse fëmijët e kanë pranuar zjarr-vënien, por nga ana tjetër, ata janë lënë të lirë pasi janë marrë në pyetje nga oficerë të policisë gjyqësore.
Shpërthejnë bombolat e gazit, digjet banesa
SHKODËR - Një banesë u përfshi nga zjarri në fshatin Plezhë të komunës Bushat, rreth 25 km larg Shkodrës, si pasojë e shpërthimit të dy bombolave të gazit, por nuk ka shkaktuar të lënduar vetëm dëme materiale. Përgjegjësi i sektorit të zjarrfikësve të prefekturës së Shkodrës, Ilir Kopliku, tha se " zjarri ra të shtunën në banesën e shtetasit Gjekë Kopsari, si shkak i keqpërdorimit të dy bombolave të gazit, të cilat u gjetën brenda dhomave të banesës të shpërthyera". Ai nënvizoi se fatmirësisht njerëzit kanë mundur të dalin nga banesa në momentin e rënies së zjarrit, ndërkohë që ka patur vetëm dëme materiale.
2 Qershor 2008