Shpallen në kërkim 3 të rinj, nuk dëshmuan për plagosjen
DURRËS - Tre perona janë vënën nën kërkim nga policia e shtetit pasi ata kanë qenë dëshmitarë si dhe njëri prej tyre edhe autor në akisdentin që i ka ndodhur shtetasit Renato Pashalliu në vendin e quajtur Shkëmbi i Kavajës. Të premten pasdite në kohën që i riu nga Peqini ka dalë nga një lokal, ku ka argëtuar buzë deti së bashku me tre bashkëqytetarë të tjerë peqinas, i është drejtuar makinës, por në këtë kohë, në rrethana të pasqaruara mirë, ka ndodhur plagosja e tij. Një breshëri plumbash nga një armë automatike tip kallashnikov ka dalë nga mjediset e brendshme, ku njëri prej tyre ka plagosur këmbën e Pashalliut. Shërbimet e Seksionit Kundër Krimeve të Rënda Durrës bëjnë të ditur se flitet për një plagosje aksidentale. Policia shpalli në kërkim shtetasit A.V., lindur në vitin 1990, akuzuar për veprat penale të plagosjes së rëndë nga pakujdesia dhe mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake; E. Sh., lindur në vitin 1991, dhe Belino Kasa, lindur në vitin 1989; që të tre nga qyteti i Peqinit. Shtetasit në fjalë akuzohen për veprat penale të “moskallëzimit të krimit” dhe të “mbajtjes pa leje të armëve e municioneve luftarake”. Procedimi penal ndaj këtyre shtetasve filloi për arsye se si rezultat i hetimeve të deritanishme të kryera lidhur me këtë ngjarje rezultoi se ditën e krimit, teksa është plagosur rëndë në këmbë me dy plumba shtetasi nga Peqini Renato Pashalliu, këta tre shtetas së bashku me të plagosurin janë larguar nga vendi i ngjarjes. Pas hetimeve të para, u bllokua arma dhe u gjetën gëzhojat e fishekëve. Më pas është marrë dëshmia e të plagosurit. Tre të rinjët nga Peqini janë shpallur persona në kërkim.
2 Qershor 2008