Një histori Krishtlindjesh
Nata mes 24 dhe 25 dhjetorit, si në gjithë botën, edhe në Shqipëri ka qenë e veçantë. Mijëra besimtarë të krishterë kanë kremtuar lindjen e Krishtit, apo siç njihet ndryshe Krishtlindjet. Ndërsa e gjithë dita e djeshme ka qenë një festë e veçantë për të krishterët. Simboli kryesor i festës, pema e zbukuruar, nuk ka munguar në asnjë vitrinë dyqani, ambient shtëpie, pune dhe baresh. Gjithashtu dhe dhuratat nuk kanë munguar, të cilat janë të ndryshme për çdo xhep e për çdo shije.Por në një moment, secili nga ne mund të pyesë veten: Si është e festës së Krishtlindjeve, si është festuar në antikitet? Cila është simbolika e pemës dhe pse ka ngjyrë të gjelbër? Po dhuratat, si e kanë zanafillën? Cilat janë ushqimet që duhet të kemi në tavolinë gjatë këtyre festave, të cilat sipas traditave dhe besimeve të ndryshme sjellin fat?!
Tradita e dhuratave
Në ditën e Krishtlindjeve, secili nga ne bën dhurata për njerëzit e dashur. Por a keni menduar ndonjëherë me vete pse jepen dhurata ditën e Krishtlindjeve?
Tradita e të bërit dhurata Krishtlindjesh është shumë antike.
Në besimin kristian, praktika e të bërit dhurata konsiston në dhënien e dhuratave prej ari, temjani dhe mirrë (lloj parfumi i bërë nga zambakët), dhurata këto që ju dhanë Krishtit kur lindi nga tre magjistarët.
Tre magjistarët ishin mbretër nga Lindja, burra të zgjuar, të cilët udhëtuan nga një distancë shumë e gjatë, për të gjetur fëmijën Krisht dhe për ti çuar atij dhuratat e tyre.
Tradita e të bërit dhurata gjatë Krishtlindjeve për njerëzit e dashur u bë popullore në mesjetë dhe në epokën moderne. Vende dhe njerëz të ndryshëm nisën të bënin dhurata dhe e kthyen në një traditë dhe pjesë të festimeve.
Në ditët e sotme ne të gjithë japim dhurata, sipas arsyeve tona. Për disa ëhstë një mënyrë për të festuar ditën e gëzueshme të Krishtlindjeve, ndërsa për disa të tjerë ëhstë një kohë e çmuar për tu kaluar me familjen dhe miqtë dhe për tu bërë atyre dhurata në shenjë vlerësimi dhe dashurie.
Krishtlindja në traditën krishtere
Në traditën e krishtere, Krishtlindja feston lindjen e Jezusit në Betlehem nga Maria. Kuptimi i kirshterë i festës, qëndron në festimin e prezencës së Zotit. Me lindjen e Jezusit, Zoti për të krishterët nuk është më një Zot i largët, që mundet të mendohet në largësi, por është një Zot që shpallet dhe hyn në botë për të qëndruar deri në fund të kohëve.
Për sa i përket liturgjisë, në Kishën latine, dita e Krishtlindjes është e karakterizuar nga katër mesha: mbrëmja e vigjilies, ad noctem (do të thotë mesha e mbrëmjes), në lindjen e diellit, in die ( në ditë).
Si të gjitha ditët solemne, Krishtlindja ka një kohëzgjatje më të gjatë se ditët e tjera të kalendarit liturgjik dhe fillon qysh nga mbrëmja e vigjilies.
Koha liturgjike e Krishtlindjes llogaritet të fillojë nga orët e para të mbrëmjes së 24 Dhjetorit, për të përfunduar me Pagëzimin e Jezusit.
Krishtlindja jashtë krishtërimit
Në vijim të shekullit të fundit, me laicizmin progresiv të Perëndimit dhe në veçanti të evropës veriore, Krishtlindja ka vazhduar të përfaqësojë një ditë feste megjithëse për jo krishterët, merr një kuptim tjetër nga ai fetar. Në këtë qëllim, Krishtlindja është përjetuar përgjithësisht si një festë e lidhur me familjen, solidaritetin, me shkëmbimin e dhuratave dhe me Babagjyshin e Krishtlindjes.
Përtej kuptimit të saj fetar, Krishtlindja ka marrë kohët e fundit një kuptim të veçantë komerçial dhe ekonomik, lidhur me traditën e ndërrimit të dhuratave. Për shembull në Shtetet e Bashkuara është vlerësuar se një e katërta e shpenzimeve personale kryhet në periudhën e Krishtlindjes.
Krishtlindje “të paligjshme”
Në shekullin XVII, një valë reformash fetare ndryshuan mënyrën se si Krishtlindjet festoheshin në Evropë. Kur Oliver Kromuelli dhe forcat e tij puritane morën kontrollin e Anglisë në 1645, ata u betuan që të hiqnin qafe dekadencën në Angli dhe si pjesë e kësaj përpjekjeje, shfuqizuan festimin e Krishtlindjeve. Me kërkesë popullore, Karli II u rikthye në fron dhe bashkë me të u rikthye edhe festa popullore.
Separatistët pelegrinë anglezë që erdhën në Amerikë në 1620 ishin edhe më ortodoksë në besimet e tyre puritanë se sa Kromuelli. Si rezultat, në fillim në Amerikë Krishtlindjet nuk ishin ditë feste. Nga viti 1659 deri në 1681, festimi i krishtlindjeve ishte në fakt i paligjshëm në Boston. Çdokush që shfaqte frymë Krishtlindjesh gjobitej me pesë shilinga. Në të kundërt, në vendbanimin e Xhejmstaun, kapiteni Xhon Smith raportonte se Krishtlindjet festoheshin dhe kalonin pa asnjë incident.
Pas Revolucionit amerikan, traditat angleze dolën nga moda, bashkë me festën e krishtlindjeve.
Në fakt, Kongresi ishte në seancë në 25 dhjetor 1789, Krishtlindjet e para pas Kushtetutës amerikane. Krishtlindjet u shpallën festë federale vetëm në 26 qershor 1870.
Simbolika e pemës së Krishtlindjeve
Edhe përgatitja e pemës së Krishtlindjeve është një traditë që shtrihet në kohë më të hershme se Krishterimi. Pema e Krishtlindjeve është përdorur fillimisht nga popujt gjermanë dhe keltë. Duke qenë se ajo pemë ishte e gjelbër, në stinën e dimrit, besohej se ajo kishte fuqi të veçanta mbrojtëse përballë fatkeqësive natyrore dhe shpirtrave të këqij. Ajo stolisej, në veçanti, në fund të dhjetorit, pasi në këtë kohë niste të vihej re zgjatja e orëve të ditës dhe kjo shënonte në besimin e popujve në fjalë mposhtjen e forcave negative të errësirës dhe të ftohtit dhe triumfin e dritës. Krishterimi e bëri të tijën edhe këtë traditë të hershme, por tashmë me një simbolikë të re. Pema e krishtlindjeve do të simbolizonte gjelbërimin e Parajsës, apo Kopshtit të Edenit. Përdorimi i pemës së Krishtlindjeve nga të krishterët ka nisur në fillimin e shekullit të 17-të në Strasburg, në Francë, për tu përhapur më pas në Gjermani, në Europën Veriore e Britaninë e Madhe dhe, së fundi, në Amerikë.
Pema e Krishtlindjeve më e shtrenjtë në botë
Argjendari Ginza Tanaka ka krijuar pemën e krishtlindjeve më të shtrenjtë në botë. E gjatë dy metër e gjysmë, e gjitha n ëar me një yll- kometë në majë, me vlerën e 65 mijë dollarëve, ndërsa e gjithë pema kap shifrën e 2 milion dollarëve. Për të parë këtë pemë kaq të shtrenjtë duhet të vizitohet dyqani i Tanaka Kikinzoku në zemër të Tokios.
Ushqimet që sjellin fat gjatë Krishtlindjeve
Soja
Prej kohësh soja është konsideruar si simbol i pasurisë dhe prosperitetit. Legjenda i ka fillesat në librin e Gjenezës.
Mishi i derrit
I shërbyer në formë proshute ka shije të mirë dhe simbolizon bollëkun
Rrushi
Prej shumë kohës simbol i bollëkut, rrushi ëhstë konsideruar dhe si një metaforë e të mirave që kemi dhe e dëshirave të realizuara.
Shega
Në antikitet ishte simbol i fekondimit dhe përveçse për ëmbëlsirat, përdorej dhe si uthull.
Arrat
Janë suqhim tipik i periudhës së Krishtlindjeve dhe e darkave familjare. Sipas një tradite antike janë me fat pë rata që duan të martohen, por nëse haen të shoqëruara me një fetë bukë.
Gështenjat
Lëkura e tyre simbolizon mbrojtjen dhe në antikitet përfaqësonte garancinë për mbijetesë gjatë dirmit.
