Një histori denoncimeshNga TemaGazeta “TemA” risjell disa nga qëndrimet e saj editoriale, pas botimit të disa dosjeve investigative që hasën në veshin e shurdhër të qeverisë. Vetëm pak muaj pasi qeveria e re Berisha mori pushtetin në vitin 2005, na
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Një histori denoncimeshNga TemaGazeta “TemA” risjell disa nga qëndrimet e saj editoriale, pas botimit të disa dosjeve investigative që hasën në veshin e shurdhër të qeverisë.
Vetëm pak muaj pasi qeveria e re Berisha mori pushtetin në vitin 2005, na u desh të nisim një histori denoncimesh, që vetëm në fillim hasën në reagim, edhe pse qesharake, por më pas, për gjithçka raportonim, dëgjonim fyerje e etiketime. Kryeministri na quante mafiozë, ndërsa e gjithë fryma e administratës ishte kundër gazetës.
Këto materiale që botojmë sot tregojnë se përveç dosjeve të mëdha, ajo e Gërdecit, e rrugës Durrës- Kukës dhe ARMO-s, gazeta ka bërë një punë voluminoze për të denoncuar vjedhjet e administratës Berisha.
Ne e nisëm duke denoncuar të parin këshilltarin antikorrupsion të Berishës, duke e quajtur si ogur mjaft të keq që një njeri i tillë të merrte përsipër një rol të rëndësishëm në kabinetin e ndryshimeve antikorrupsion.
Më pas denoncuam emërimet dhe vjedhjet nëpër hipoteka, që bëheshin në emër të ministrit të ri të Drejtësisë, Aldo Bumçi, dolëm hapur kundër emërimit të Shkëlzen Berishës si drejtor në kompaninë Eagle, dhe nisëm një seri denoncimesh për drejtorët e ndërmarrjeve të mëdha të shtetit si Albtelekom, ISKSH, KESH etj.
Duhet të theksojmë se për të gjitha këto dosje është heshtur.
Autokritikë e redaksisë së gazetës “TemA”
8.02.2006
Redaksia e gazetës “TemA” dëgjoi me vëmendje sqarimin e kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berisha, lidhur me akuzat e ngritura ndaj këshilltarit të tij Fatbardh Kadilli, mbi deklarim të rremë të pasurisë, aksionet e tij në gazetën “Standard”, dy muaj pasi ishte bërë këshilltar i zotit Berisha, si dhe shkollimin e tij të nivelit më të ulët të mundshëm për nivelin e shoqërisë shqiptare. Pasi dëgjoi sqarimet e zotit Berisha, redaksia i kërkon ndjesë, së pari, zotit Kadilli, për akuzën që i ka ngritur se ai ka mashtruar kur ka blerë një apartament 213 metra katrorë me 3 milionë lekë në korrik të vitit 2003. Redaksia sqaron se nuk ishte në dijeni se pronarët që ndërtonin këtë pallat në krah të Ambasadës Amerikane në Tiranë, kishin një adhurim të veçantë për zotin Kadilli, ngaqë ai në atë kohë punonte në një projekt për luftën kundër korrupsionit, financuar nga USAID dhe për këtë shkak ia kanë falur pallatin me një çmim, i cili është gati sa gjysma e
kostos së një ndërtimi të keq në periferi të Tiranës, ose dhjetë herë më i lirë se çmimi normal në atë zonë.
Redaksia nuk ishte në dijeni se ndërtuesit ishin të gatshëm që të paguanin vetë taksat dhe tatimin mbi fitimin nga shitja, duke mos e rënduar zotin Kadilli, mjafton që ky i fundit të vazhdonte të luftonte korrupsionin me një pagë modeste. Duke mos qenë të informuar mbi ekzistencën e ndërtuesve kaq shpirtgjerë në Shqipëri, sidomos në adresë të njerëzve që luftojnë korrupsionin si zoti Kadilli, ne u nxituam dhe deklaruam se zoti Kadilli paska gënjyer, kur ka deklaruar se ka blerë 213 metra katrorë me 3 milionë lekë.
Gabimi ynë më i madh është kur e krahasuam zotin Kadilli me zonjën Nano. Ky krahasim, siç tha dhe zoti Berisha, është i pakrahasueshëm, pasi siç dihet, zoti Kadilli nuk ka qenë as në pushtet dhe as në opozitë kur ia kanë falur këtë pallat, por ka qenë i përfshirë në një projekt të luftës kundër korrupsionit në Shqipëri, që financohej nga USAID me 3 milionë dollarë. Ne e ngatërruam 10 përqindshin që merrej nën dorë nga zyrtarët socialistë të asaj kohe, me Kadillin, duke menduar që dhe ky mund të ketë përfituar 10 për qind të kësaj shume përmes korrupsionit në ndarjen e projekteve.
Kjo na futi në qorrsokak dhe krahasuam të pakrahasueshmen, duke njollosur figurën e këshilltarit të kryeministrit Berisha.
Po ashtu gabuam kur kërkuam të akuzojmë zotin Kadilli se ka blerë një vilë në Golem me 80 mijë euro, duke aluduar se aty një vilë kushton deri në 200 mijë euro.
Vila e zotit Kadilli është vërtet pak më e madhe se e secilit në atë fshat turistik, por ne nuk e dinim se zoti Kadilli ka marrë përsipër që pronarit të kësaj firme, zotit Agim Shëndella, t’i marrë përsipër heqjen e disa gjobave, që ai ka për shkelje të normave të ndërtimit në fshatrat turistikë dhe sidomos lejen e paligjshme që ka marrë në emër të firmës Dorjan në Ksamil të Sarandës. Kur u informuam se zoti Kadilli ka shkuar në KRRTSH dhe u ka bërë atyre presion që këtij ndërtuesi të mos i vihet gjobë dhe të mos pengohet, e kuptuam gabimin dhe tani e tutje i japim fjalën se nuk do t’i zëmë më në gojë vilën në Golem. Por gabimi ynë fatal ishte akuza që i bëmë si bashkëthemelues i gazetës së përditshme “Standard”, e cila ka filluar të botohet në muajin nëntor 2005, disa muaj pasi ai kishte filluar punë si këshilltar i zotit Berisha. Kjo akuzë duket që është krejt e pathemeltë.
Së pari, Kadilli nuk i ka vënë aksionet në emër të vet, po në emër të gruas së tij, e cila jeton dhe punon në Kinshasa të Kongos në një projekt ndërkombëtar. Megjithëse e zënë me punë në Kinshasa, gruaja i ka dhënë mbështetje të plotë për këtë investim, i cili shkon me rreth 50 mijë euro humbje në muaj. Ajo e ka siguruar se me rrogën e saj do t’i mbulojnë këtë humbje, mjaft që gazeta “Standard” të ecë përpara dhe të mos mbeten pa rroga gazetarët. Pasi ka marrë këto garanci, Kadilli ka filluar menjëherë sulmin në administratën shtetërore për të lidhur kontrata reklamash në emër të gazetës duke iu garantuar atyre se do t’i merrte deri në 30 mijë dollarë reklama në muaj nga administrata shtetërore.
Kjo do t’i quhej kontribut real dhe aksionet e tij në gazetë mund të rivlerësoheshin pas kësaj. Deri tani ka mundur të realizojë disa nga këto kontrata dhe ortakët e tij janë të kënaqur. Të vetmit që i prishin punë herë pas here janë drejtuesit e gazetës, disa djem të rinj liberalë, të cilët e adhurojnë Ben Blushin dhe Edi Ramën, më shumë se Lul Bashën dhe Bamir Topin dhe kanë krijuar përshtypjen në qeveri, sikur gazetën e ka blerë Edi Rama. Kjo i ka lëkundur disa herë pozitat e Kadillit, por ai ka mundur të triumfojë. Tashmë ne jemi të bindur se çelja e një biznesi në shtyp, kur je këshilltar i kryeministrit është një gjë e drejtë, e ligjshme dhe, sidomos, kur e vendos në emër të gruas, është fare e pakritikueshme.
Së fundmi, redaksia e gazetës “TemA” kërkon ndjesë të thellë dhe për kërkesën e saj për të parë nga afër diplomën e zotit Kadilli. Të keqkuptuar nga deklaratat e Berishës se ka marrë në stafin e tij njerëz me kualitete të larta, gazeta mendoi se dhe zoti Kadilli duhet të ishte doemos një prej tyre. Por, siç na sqaroi një anëtar i kabinetit, këshilltari për luftën kundër korrupsionit, nuk duhet të jetë doemos njeri i shkolluar. Ai duhet të jetë njeri që ka përvojë jetësore, që e di si vidhet, e di si abuzohet me fondet dhe bizneset dhe për shkak të këtyre vetive, ai e di si të luftohet korrupsioni. Këtë e kuptuam fare
qartë kur u sqaruam nga Fakulteti i
Histori-Filologjisë se zoti Kadilli e kishte nisur shkollën pa shkëputje nga puna në vitin 1991; (Në atë kohë punonte si roje tek gazeta “Zëri i Popullit”), dhe e kishte mbaruar atë me sukses në vitin 1998, pra plot tetë vite, ose dy vjet - një klasë. Duke qenë se ka dashur të jetë i përpiktë me notat Kadilli ka pasur rezultate të mira sidomos në vitin 1997-1998, kur shumë pak pedagogë e kishin mendja tek shkolla. Dhe ka mundur të marrë një diplomë për gjuhë-letërsi pas tetë vitesh studimi pa shkëputje nga puna, duke dëshmuar se është këshilltari me më shumë vite shkolle se kushdo tjetër në stafin e Berishës. Gjithë të tjerët e kanë mbaruar shkollën shpejt e shpejt për katër vjet.
Pasi u sqaruam për gjithë këto cilësi me vlerë të zotit Kadilli dhe, kur u bindëm nga argumentet e sinqerta të kryeministrit për të mbrojtur atë nga sulmet e shtypit, vendosëm të tërhiqemi nga sulmet që i kemi bërë zotit Kadilli dhe qeverisë.
Shpresojmë që dhe qeveria të tërhiqet seriozisht nga deklaratat e nxituara për luftë kundër korrupsionit, për konflikt interesi dhe sidomos për vlerësimet e saj për cilësinë e lartë të shkollimit të stafit
qeverisës.
Elvana Hana, rasti ku bashkohet nepotizmi, korrupsioni dhe kapja e shtetit
23.07.2007
U bënë disa ditë që gazeta “TemA” boton fakte të përditshme që hedhin dritë mbi një institucion shtetëror që ilustron qartë nepotizmin, korrupsionin dhe kapjen e shtetit. Është rasti i Elvana Hanës, që drejton Institutin e Sigurimit dhe Kujdesit Shëndetësor. Kemi të paktën edhe për një muaj material që të vazhdojmë të botojmë përditë fakte të tilla. Por problemi është te reagimi ndaj këtyre fakteve. Ky reagim është dëshpërues dhe e vetmja alibi na mbetet hareja dhe hutimi që ka ngjallur zgjedhja e presidentit.
Kemi botuar një skemë të nepotizmit në këtë institucion, ku të gjitha vendimet merren nga kushërinj të parë apo miq të familjes së Elvana Hanës. Që kur është formuar shteti shqiptar, nuk besoj se do të ketë ndonjë rast të ngjashëm, kur një institucion shtetëror drejtohet në pikat kyçe nga një tufë grash dhe burrash, të gjithë kushërinj të parë. Lista është e botuar në gazetë dhe i vetmi reagim ishte i një drejtoreshe që u përpoq të më fyente në telefon.
Kemi botuar dhe do të vazhdojmë të botojmë për një muaj rresht dosjet e korrupsionit në tenderë dhe prokurimin e parave publike, derisa shqiptarëve t’iu ngulitet fytyra e kësaj drejtoreshe si simbol i korrupsionit në Shqipëri. Reagimi deri tani ishte një sms e zëdhënëses Etiola Kola për një gazetar të gazetës “TemA”, të cilin po e citoj: “Më kishin thënë që Meroja është njeri i zi, po s’ma merrte menja deri në këtë pikë. E rrafmja që ka hënger pas ka qenë pak. Qofsh ti që punon me të. Po një ditë do e hajë ta ketë të sigurt….” (Gabimet dialektore janë të autores dhe më duhet ta botoj pa e prekur). Logjika prej banditeje nuk është vetëm e saj, por, natyrisht, dhe e drejtoreshës që e trimëron. Natyrisht që nuk ndjehemi të kërcënuar nga sms vulgare femrash hajdute, por nuk ndjehem aspak i qetë që në një institucion shtetëror vjedhjet të mbulohen me reagime të tilla vulgare. Duke qenë të çoroditura sesi një gazetar iu ka prishur qetësinë, kanë filluar të hetojnë të gjithë jokushërinjtë e tyre në ISKSH dhe në fund kanë vënë gishtin mbi nëndrejtorin e këtij institucioni, Arben Runa, si “nxjerrësh informacionesh”, gjë që është banale, pasi deri tani ne po i referohemi vetëm raportit të Kontrollit të Shtetit dhe fakteve publike, për të cilat nuk ka nevojë të hetosh. Po të hetohet ISKSH, së paku disa nga kushërirat e drejtoreshës në mos dhe drejtoresha duhet të shkojnë në burg. Nëndrejtori Runa është po aq përgjegjës sa këto zonja në disa raste, kur iu ka hapur rrugë abuzimeve të tyre.
Por, mbi të gjitha, për disa ditë rresht kemi folur për kapjen e shtetit. Në faqe të parë të gazetës kemi botuar një fakt tronditës. Zonja Elvana Hana ka devijuar shumicën e transaksioneve të klientëve të ISKSH me fondet e ISKSH drejt bankës “Credins”. Banka “Credins” është një bankë e respektuar, e cila ndoshta nuk meriton të ketë një fat të tillë si ky që i ka dalë me zonjën Hana, por zonja Hana nuk mund të jetë edhe drejtoreshë e ISKSH, edhe urdhëruese e kalimit të transaksioneve nga bankat e tjera si BKT apo “Raiffeisen” te “Credins”, edhe pronare e bankës “Credins”, siç është, edhe me burrin nëndrejtor të përgjithshëm të “Credins”. Zonja Hana mund të ikë nga ISKSH dhe pastaj banka “Credins”, nëse arrin ta kapë këtë treg, siç e ka kapur, me ndihmën dhe urdhrat e Elvanës, le ta kapë. Unë nuk dua ta publikoj sot shifrën këtu, se është tronditëse dhe e pabesueshme për një qytetar normal. Kam disa ditë që i kërkoj publikisht zonjës Hana të bëjë publike vlerën vjetore të transaksioneve që gjithë farmacitë, poliklinikat dhe punonjësit e tyre janë të detyruar jozyrtarisht të bëjnë me bankën “Credins”. I kam kërkuar po ashtu të japë shpjegime për kushtet e kontratës së saj me bankën “Credins”, se mos ndoshta i ka çuar ato miliona euro aty pa interes, ndërkohë që bankat e tjera ofrojnë interes. Unë i kam siguruar në rrugë private të gjitha të dhënat dhe po e theksoj që janë tronditëse. Kam kontaktuar me farmacistë që më kanë thënë, se kanë qenë të urdhëruar që, nëse donin rimbursim, duhet të hapnin llogarinë te “Credins”. Kam takuar infermiere që qajnë, se nuk marrin dot rrogat, pasi banka ka vetëm dy sportele në qytet. Kam takuar bankierë të bankave të tjera, të cilët më kanë shpjeguar një mekanizëm të frikshëm korrupsioni për përqindjet që marrin zyrtarët e Sali Berishës për të lëvizur fondet e shtetit sa nga një bankë në tjetrën dhe që në përgjithësi shkojnë te një ose dy banka që ofrojnë pará nën dorë për këtë veprim. Por, nuk po i botoj ende, pasi po pres që zonja Hana të japë shpjegime zyrtare për këtë. Ky është një rast tipik i kapjes së shtetit nga një zyrtare që flet gjithë ditën në emër të “xhaxhi Saliut” dhe gjithë natën numëron paratë që përfiton nga pushteti që iu jep ky zhargon.
Ndoshta, zonja Hana nuk e di se ç’ka ndodhur në këtë vend deri në vitin 2005, pasi ka qenë jashtë Shqipërisë për punët e veta. Ajo nuk e di se, unë dhe kolegë të mi gazetarë që kemi kritikuar qeveritë socialiste, i kemi akuzuar ministrat dhe drejtorët e Fatos Nanos për fakte, që po t’i krahasosh me këto të kësaj zonjës, dalin të gjithë hajdutë xhepash. Vetëm gruan e një ish-kolegut tonë gazetar, tashmë politikan i lartë socialist, e kemi akuzuar 5 vjet rresht për një tender kominoshesh, që në fakt e kishte bërë dhe ia kujtojmë ende dhe sot. Të mos ta gënjejë mendja (ose menja, siç thotë zëdhënësja e saj) se unë mund t’i ndahem për nja 4 vjet kësaj drejtoreshe në gazeta, televizione dhe debate publike, derisa të bindem se qeveria e Berishës nuk po përsërit ciklin e hajdutëve që vjedhin në emër të familjeve në pushtet. Deri tani ka shenja të tolerimit të plotë, por ka pasur një alibi, se nuk kemi pasur prokurorin. Të shpresojmë se tani kemi lirinë për t’i ndëshkuar hajdutët. Edhe sikur ta besoj zëdhënësen e saj që premton se “do ta pësoj një ditë”, jam më i qetë ta pësoj nga një betejë me hajdutë se nga ndonjë sëmundje prej ilaçeve të skaduara që rimburson zonja Hana.
Heshtja e shtetit ndaj mashtruesve të shtetit
17.10.2007
Prej disa ditësh, gazeta “TemA” botoi disa dokumente investigative mbi abuzimet në “Albtelecom” dhe të shkuarën e drejtorit të kësaj kompanie shtetërore, prej vitit 2005. Nuk dua të ndalem tek abuzimet prej miliona dollarësh që janë shkaktuar nga keqmenaxhimi i qëllimshëm për përfitime të palëve të treta, pasi ato mund të jenë objekt hetimi zyrtar. Ajo që m`u duk skandaloze në gjithë këtë histori, është se qeveria shqiptare ka emëruar në krye të “Albtelecom”-it një njeri, i cili në momentin e emërimit ishte borxhli në kërkim nga shteti shqiptar. Sipas hetimit tonë, na rezulton se personi në fjalë ka marrë një kredi në vitin 1993 me hipotekë false dhe, pasi ka krijuar dhe një miniskemë piramidale, duke marrë lekë qytetarësh me përqindje, është larguar nga Shqipëria, për t`u rikthyer pas 11 vjetësh si drejtor i “Albtelecom”. Largimi i tij ka futur në konflikt bankën që ka dhënë kredi me të zotin e një shtëpie, të cilit i ishte lënë shtëpia peng me dokumente të rreme. Ky skandal është një fenomen i zakonshëm në botën e mashtruesve dhe hajdutëve ordinerë. Problemi është se, kur qeveria emëron në një post kaq të lartë dhe kaq të rëndësishëm një zyrtar të lartë, duhet minimalisht të bëjë një kërkim në institucionet e saj për biografinë e këtij njeriu. Rasti i Ilir Kukos është ekstrem për nga papërgjegjësia, me të cilën janë emëruar emigrantë të kthyer në atdhe si njerëz të shkolluar. Legjendat rreth shkollimit dhe punësimit të tyre duket se janë servirur nga një rrjet tërësisht mafioz që e ka pasur të qartë objektivin e emërimit. I njëjti person mësojmë se i është paraqitur si kandidat për drejtor “Albtelecom”-i në vitin 2003, kryeministrit Fatos Nano dhe ka qenë në prag të emërimit. Por, administrata e tij ka bërë një kërkim formal dhe ka refuzuar ta pranojë si pjesëtar të administratës. Këtë skandal që nuk e bëri Fatos Nano në vitin 2003, e bëri nën këshilla për qëllime të dyshimta kryeministri Berisha në vitin 2005. Përveç Kukos, disa zyrtarë të tjerë të lartë të shtetit shqiptar, mes të cilëve dhe një zëvendësministër Bujqësie, rezulton se kanë detyrime të pashlyera ndaj shtetit shqiptar dhe bëjnë qetësisht karrierë në politikë. Në këto kushte, papërgjegjësia shtetërore është e keqja më e vogël. E keqja më e madhe është se një zyrtar i tillë borxhli ndaj shtetit, që kërkon poste të larta në shtet, e ka të qartë objektivin e vet, ai thjesht do të vjedhë për të larë borxhet. Ilir Kuko, pasi është emëruar, nga person në kërkim, në krye të “Albtelecom”-it, nuk ka sesi mos të ketë menduar natë e ditë si të bëjë shpejt e shpejt gjysmë milioni euro që të lajë borxhet. Duke manipuluar mediat përmes politikës së shpërndarjes së reklamave, ai ka arritur të mbijetojë dy vjet pa i hyrë gjemb në këmbë, bilé dhe duke arritur rekorde në manipulimin e të dhënave të “Albtelecom”-it pranë kryeministrit, deri në atë shkallë sa janë bërë dy raporte auditi që kundërshtojnë njëri-tjetrin për abuzimet në “Telecom”. Naiviteti, me të cilin Berisha pranonte rekomandime emërimesh në vitin 2005 dhe qartësia, me të cilën afroheshin gjahtarët e rinj të korrupsionit në administratën e tij, shihen qartë pas dy vjetësh, kur ata thuajse kanë mbaruar misionin e tyre për të zhvatur ç’të mundin. Por ky bilanc tashmë rëndon mbi qeverisjen e Partisë Demokratike. Ilir Kuko, Andi Beli dhe kolegë të tjerë të tyre në ndërmarrjet publike si “ARMO” apo “Albpetrol”, do të tregojnë gjatë barsoleta nëpër hotelet luksoze në perëndim sesi janë tallur me pushtetin e PD në vitin 2005, por PD dhe ekipi qeverisës i saj do ta paguajnë gjatë këtë papërgjegjësi, nëse së paku nuk hapin hetime serioze për ta dhe së paku t’i nxjerrin para drejtësisë. Është gjysma e së keqes të pranojmë, se këta njerëz ia kanë hedhur Sali Berishës në vitin 2005, kur i ka emëruar, por, nëse ndaj tyre heshtet në vitin 2007, atëherë rrethi i bashkëfajësisë rritet dhe serioziteti i shtetit merr një goditje të rëndë. Në këtë vend, ku të kërkojnë vërtetim gjykate dhe përmbarimi sa herë merr vizë dhe sa herë shkon në një tender, është e pafalshme të mos kërkohet një biografi e verifikuar për ata zyrtarë, të cilëve iu beson pasuritë publike kombëtare. Dhe e keqja mbi të keqen është se këta njerëz, që kanë mashtruar me vetëdije, mbeten të pacenuar.
Saimir Shehri dhe kërcënimi ndaj gazetës “TemA”
31.10.2007
Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Saimir Shehri, ka dërguar dje një copë letër në redaksinë e gazetës “TemA”, ku kërkon që redaksia të përgënjeshtrojë raportin e botuar në numrin e djeshëm mbi skandalin me tenderin e makinave në këtë dikaster.
Lexuam me vëmendje tekstin e letrës dhe në të nuk thuhej asgjë se çfarë të përgënjeshtronim.
Redaksia ka një dosje me 40 faqe, ku faktet janë shumë të qarta dhe ku shihet që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka shpallur një herë fituese kompaninë “ANAS”, duke pasur dokumentacionin të mangët dhe po e njëjta drejtori, pas një muaji e ka shpallur humbëse, po me të njëjtat dokumente. Redaksia ka theksuar dhe faktin që prokuroria ka pushuar çështjen penale ndaj këtij skandali dhe këtu është dhe shqetësimi ynë.
Tani, nuk jemi të qartë se çfarë duhet të përgënjeshtrojmë, pasi letra idiote e Saimir Shehrit nuk thotë asgjë konkrete.
Të përgënjeshtrojmë faktin që Saimir Shehri nuk është hajdut, s’kemi si e bëjmë, se nuk kemi fakte.
Të përgënjeshtrojmë faktin që javën e tretë të shtatorit, 4 femra janë transferuar nga burgu i grave në burgun 313 “për të rregulluar dhëmballët”, nuk e bëjmë dot, se është regjistri i burgut që s’na lë.
Të përgënjeshtrojmë faktin që vitin e kaluar 60 për qind e të burgosurve kanë lëvizur nga një burg në tjetrin, nuk e bëjmë dot, se s’na lënë shkresat e Saimirit.
Të përgënjeshtrojmë faktin që Saimir Shehri përdor policët e burgjeve për roje private, nuk e bëjmë dot, se e ka bërë me shkresa.
Të përgënjeshtrojmë që vartësi i zotit Shehri, një komandant i policëve të burgut në Burrel, sillet si xhandar primitiv dhe ka masakruar magazinierin e burgut në mes të ditës, nuk e përgënjeshtrojmë dot, se kemi raportin e spitalit.
Të përgënjeshtrojmë faktin që zoti Shehri pas kësaj nuk e ka ndëshkuar policin, por ka transferuar nga Burreli në Tepelenë viktimën, nuk e bëjmë dot, se s’na lënë shkresat e tij.
Të përgënjeshtrojmë pastaj me radhë gjithë thashethemet për çdo tender të bërë në këtë dikaster që nga viti 2005, s`e bëjmë dot, se ka shumë dëshmitarë kundër.
E vetmja gjë që mund të përgënjeshtrojmë, është fakti që kryeministri, Sali Berisha, ka urdhëruar zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar, që kur ka ardhur në pushtet, që të mos padisin gazetarët.
Ne, natyrisht, nuk duam të përfitojmë nga kjo lehtësi e kryeministrit Berisha dhe jemi gati të shkojmë në gjyq me zotin Shehri. Dhe, do t’i lutemi zotit Berisha mos ta heqë nga detyra, sa të mbarojmë gjyqin me të. Pastaj, kësmet kush ta ketë vendin në burg.