E Diel, 1 Nëntor 2026

Shembet tuneli i Thirrës në Kalimash, firma ndërtuese dhe qeveria fshehin ngjarjenNga TemaTuneli i Thirrës në Kalimash është shembur sërish. Por këtë herë shembja ka qenë masive dhe për pasojë ka vënë në rrezik jetën e punëtorëve. Ngjarja e rëndë ka

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Shembet tuneli i Thirrës në Kalimash, firma ndërtuese dhe qeveria fshehin ngjarjenNga Tema

Tuneli i Thirrës në Kalimash është shembur sërish. Por këtë herë shembja ka qenë masive dhe për pasojë ka vënë në rrezik jetën e punëtorëve. Ngjarja e rëndë ka ndodhur mbrëmjen e së enjtes dhe mësohet se më shumë se 100 metra të tunelit janë bllokuar nga dherat dhe inertet e shumta. Shembja e tunelit është mbajtur e fshehtë nga ana e firmës që kryen punimet, por dhe nga Ministria e Transporteve, që e kanë kaluar në heshtje këtë ngjarje të rëndë. Kanë qenë punëtorët ata që në konfidencë kanë treguar për shembjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes. Shkak për shembjet e herëpashershme në këtë tunel, sipas punëtorëve, është hapja e tij para kohe. Tuneli i Thirrës u hap në maj të këtij viti nga kryeministri, Sali Berisha, në kohën kur fushata elektorale e zgjedhjeve parlamentare ishte në kulmin e vet. Berisha e konsideroi si të përfunduar ndërtimin e këtij tuneli dhe u shpreh entuziast për kalimin në Kosovë nëpërmjet tij, por, që prej hapjes së tij, tuneli më së shumti po qëndron mbyllur, për shkak të shembjeve dhe frikës së ndodhjes së një gjëje të tillë.

Shembja

Personat që punojnë në tunelin e Thirrës thonë se shembja e tij ka ndodhur gjatë mbrëmjes së të enjtes, rreth orës 20:00. Ata thonë se kanë qenë duke punuar në brendësi të tunelit, kur një masiv dheu është shembur në pjesën veriore të tunelit. Për pasojë, një pjesë e tij është shembur dhe është bllokuar. Punëtorët thonë se shembja është e konsiderueshme dhe shtrihet në një gjatësi lineare prej 100 metrash. Në këtë hapësirë ata thonë se tashmë nuk ka dritë dhe është bërë shumë e vështirë për ta pastruar. Banorët e zonës, të cilët kanë qenë dëshmitarë të shembjes, janë shprehur se në fillim të saj është dëgjuar një zhurmë dhe tronditje e madhe, e cila ngjasonte me një tërmet disa ballësh. Por, pavarësisht se shembja e tunelit ka qenë masive, punëtorët që kanë qenë duke punuar në të nuk kanë pësuar dëmtime.

Edhe pse tuneli është shembur që gjatë mbrëmjes së të enjtes, ngjarja është mbajtur e fshehtë nga ana e firmës ndërtuese të tunelit. Lajmi është bërë i ditur nga vetë punëtorët e tunelit, të cilët janë shprehur në konfidencë për këtë ngjarje. Kompania që kryen punimet në këtë tunel nuk ka bërë asnjë reagim për ngjarjen e rëndë, duke e kaluar në heshtje atë. Ndërkohë, të njëjtën gjë ka bërë edhe Ministria e Transporteve, e cila nuk ka reaguar dhe nuk është shprehur në lidhje me shembjen e ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Thirrë, që për pak u ka kushtuar jetën edhe punëtorëve të tunelit. Kjo nuk është hera e parë që ndodhin shembje në tunelin e Thirrës. Shembjet fillojnë që një vit më parë, kur tuneli nuk ishte përfunduar ende, kur dy punëtorë, një turk dhe një shqiptar, mbetën të dëmtuar rëndë.

Tuneli i Kalimashit, nyja kryesore e rrugës Durrës-Kukës, i gjatë 5.6 kilometra, u konsiderua i përfunduar në maj të këtij viti, kur kryeministri, Sali Berisha, preu shiritin. Por punëtorët dhe specialistë shprehen se tuneli është hapur përpara kohe dhe kjo ka bërë që të ndodhin edhe shembje në tunel. Madje, Ministria e Transporteve ka urdhëruar kufizimin e qarkullimit në këtë tunel, për shkak të rrezikut nga shembja. Punëtorët e këtij tuneli thonë se tashmë shembjet dhe tronditjet po bëhen të shpeshta dhe ata kanë frikë të hyjnë në të.

Opozita ka hedhur akuza të shumta ndaj qeverisë lidhur me këtë tunel, i cili u përurua përpara përfundimit të tij. Sipas opozitës, kryeministri e përdori atë për fushatë politike, duke qenë se e inauguroi atë pikërisht në momentin më të nxehtë të fushatës së zgjedhjeve të 28 qershorit. Berisha nuk i dha shumë rëndësi këshillës së specialistëve dhe ekspertëve, të cilët ishin kundër hapjes së tunelit të Thirrës në muajin maj, pasi ai ende nuk kishte përfunduar plotësisht dhe nuk ishte i sigurt për kalimtarët. Pasojat e këtij veprimi tashmë po ndihen, teksa tuneli, që ka kushtuar qindra milionë euro, më shumë rri i mbyllur sesa i hapur. Madje, në një moment u fol që ai mund të mbyllet përfundimisht, për shkak të rrezikshmërisë.

Rama: Tuneli i Kalimashit po u kushton shqiptarëve edhe 100 milionë USD

“Tuneli i Kalimashit u mbyll për të ashtuquajtura riparime që kapërcejnë shumën 100 milionë euro dhe në fakt i shtohen malit të abuzimit kriminal me Rrugën e Kombit, ndërkohë që përgjegjësit janë gjithashtu të strehuar në qeveri. Madje, jo vetëm nuk dënohen, por vazhdojnë të grabisin në emër të kombit.”

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›