E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përgjakja e rrugëve, policia pranon dështimin

Nëse në vitin 2008 kanë ndodhur 1096 aksidente, një vit më vonë numri i tyre shkoi mbi 1300. Është dy vjet më parë kishim një bilanc vjetor prej 270 viktimash, 2009-a u mbyll me mbi 330, ose përafërsisht, një i vdekur çdo ditë. Këto të dhëna janë të mjaftueshme për të thënë se siguria në rrugë është ende në nivele të ulëta, gjë që e detyroi edhe kreun e qeverisë shqiptare që të lëshojë kritika, të cilat vijnë pas një morie sinjalizimesh nga krerët e të gjitha strukturave të shtetit shqiptar. Sikur të mos mjaftojnë edhe aksidentet e shumta që po përgjakin çdo moment rrugët e vendit tonë, duke shënuar statistika të frikshme, një tjetër detaj është ai që ka të bëjë me sigurinë e qytetarëve nga grabitjet. Numri i rasteve të vjedhjeve të dhunshme, me armë ose mjete të tjera është rritur ndjeshëm, gjë që e tregon edhe raportimi i shifrave të Policisë së Shtetit. Gjatë analizës së djeshme janë publikuar të dhëna që flasin ende për nivel të lart të krimit në vend, ndonëse numri i veprave penale është ulur paksa krahasuar me dy vjet më parë, ndonëse zbulueshmëria e krimeve, nuk ka regjistruar rritje gjatë 2009-s.

Analiza
Sipas statistikave të Policisë, gjatë vitit 2009 kanë ndodhur 13 100 vepra penale nga të cilat janë zbuluar autorët për 9865 prej tyre ose 75%. Krahasuar me një vit më parë ka një ulje të numrit të krimeve, por nuk ka rritje të zbulueshmërisë krahasuar me 2008-n, krejt ndryshe nga një vit më parë. Këto të dhëna dolën në bilancin vjetor të punës së Policisë së Shtetit. Por, shqetësimi thelbësor, i cili bazohet në gjendjen konkrete në terren, por edhe në reagimin e drejtuesve të qeverisë, është numri i lartë i aksidenteve, i cili është rritur krahasuar me një vit më parë. Duke iu referuar të dhënave zyrtare, flitet për një shtim të numrit të aksidenteve dhe viktimave në masën 15-20 për qind. Gjatë 2009-s gjetën vdekjen 334 persona në mbi 1315 aksidente automobilistike. Pra, thuajse një viktimë në ditë. Ndërsa në vitin 2008 nuk kishte më shumë se 1100 aksidente, apo 270 viktima. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit pohoj se “nisur nga të dhënat e sipërme dilet në përfundimin se strukturat e policisë rrugore nuk i kanë realizuar objektivat e parashikuara për këtë vit”. Duke iu referuar të dhënave të publikuara dje, ka një ulje të ndjeshme të personave të arrestuar për korrupsion, sidomos punonjësit shtetërorë dhe zyrtarët publik. Problem mbetet numri i lartë i vjedhjeve, gjë që tregohet edhe në numrin e personave të arrestuar.

Ndryshimi
Gjatë vitit 2009 Policia e Shtetit ndryshoi kreun e saj. Po ashtu, me krijimin e qeverisë së re, ndryshoi edhe ministri i Brendshëm, gjë që u pasua edhe me transferime të shumë prej titullarëve të policive nëpër qarqe. Po ashtu, viti i kaluar ishte vit zgjedhor, i cili u shoqërua me disa krime të rënda gjatë fushatës zgjedhore. Ndër momentet kyçe ishte edhe vrasja e deputetit Fatmir Xhindi, e cila nuk u përmend në analizën e bërë dje nga Policia e Shtetit, ndonëse titullarët e Ministrisë së Brendshme janë shprehur prej disa muajsh se janë fare pranë gjetjes së autorëve të krimit. Po ashtu, viti 2010 është vendimtar për reformat në strukturat e menaxhimit të kufijve, pasi janë të lidhura me procesin e liberalizimit të vizave me zonën “Shengen”. Titullarët e Policisë së Shtetit, por edhe ministri Basha nxorën në pah përmirësimin e kuadrit ligjor, rregulloret, trajnimin e policisë dhe bashkëpunimin me strukturat e huaja në luftën kundër krimit. Por, prioritet kryesor i strukturave policore mbetet modernizimi i pikave të kalimit kufitar dhe pikat e tjera që kërkohen në kuadër të procesit të heqjes së vizave mes Shqipërisë dhe vendeve të zonës “Shengen”. (Për më shumë shih krahasimin e të dhënave për gjendjen kriminale mes viteve 2008 dhe 2009, të publikuara zyrtarisht nga Policia e Shtetit.)

Berisha: “Policia, përgjegjësi për aksidentet”

Kryeministri shqiptar Sali Berisha kritikoi ashpër Policinë Rrugore dhe e quajti përgjegjëse për aksidentet e ndodhura gjatë verës së kaluar. Kreu i qeverisë shfrytëzoi analizën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Tiranës për të vlerësuar si shkaktare të shtimit të numrit të aksidenteve qëndrimin “indiferent dhe të papërshtatshëm të policisë ndaj ligjit”. “Absolutisht, shkaku numër një i aksidenteve është qëndrimi i papërshtatshëm i policisë ndaj ligjit, mirëpo ato janë jetë njerëzish. Nuk mund të pranoj situatën e krijuar në verë kur aksidentet kalonin si top futbolli nga një komisariat në tjetrin. Jo e ka ky, jo e ka ai. Situata të tilla nuk mund të përsëriten më”, - tha zoti Berisha para drejtuesve të lartë të Policisë. Sipas tij, Drejtoria e Policisë duhet të marrë të gjitha përgjegjësitë për një numër katastrofal aksidentesh që ndodhën në verë në një autostradë 30 km gjithsej”. Zoti Berisha i kërkoj policisë hartimin e një plani të qarta masash për parandalimin e aksidenteve. “Kërkoj nga ju një shqyrtim shumë serioz, plan të qartë masash sepse historia provon se numri i aksidenteve mund të ulet dhe se ka një seri ndërhyrjesh me impakt pozitiv në aksidentet rrugore”.

KRAHASIMI NE DY VITET E FUNDIT
Të dhëna 2008 2009
Numri total i veprave penale 13426 13100
Numri i krimeve të zbuluara 10858 9865
Grupet kriminale të goditura 40 24
Të arrestuarit me qëllim ekstradimi 134 86
Vepra penale për trafik droge 646 651
Të arrestuarit për trafik droge 352 419
Grupet e drogës së goditura 40 31
Rastet e zyrtarëve shtetërorë 276 110
Numri i aksidenteve automobilistike 1096 1316
Numri i të vdekurve 270 334
Numri i të plagosurve 1144 1309
Veprat penale të krimit kufitar(raste) 821 372
Numri i autorëve për krimin kufitar 893 425
Falsifikimi i pasaportave (raste) 227 92
Dhënie ndihme kalim kufiri (raste) 92 49
Trafik narkotikesh në kufi (raste) 15 24
Persona në kërkim, kapur në kufi 194 284

PS: Berisha të sqarojë lidhjet e krimit me zgjedhjet

TIRANË – Partia Socialiste kërkoi edhe një herë që të hetohen lidhjet mes krimit dhe zgjedhjeve të 28 qershorit. Pikërisht në ditën e analizës së Policisë së Shtetit, ku ishte i pranishëm edhe kryeministri Berisha, deputeti i PS-së, Taulant Balla, përsëriti kërkesën, duke këmbëngulur në kërkesën për hetimin e plotë të procesit zgjedhor. “Ne kemi bërë publike listën e atyre dhjetëra kriminelëve të liruar nga burgjet me urdhër të Sali Berishës në maj dhe qershor 2009, ndaj ngritja e komisionit hetimor parlamentar që do të hetojë masakrën elektorale, është e domosdoshme dhe për të zbardhur sa e përfshirë dhe bashkëpunuese ka qenë qeverisja dhe administrata e Sali Berishës me kriminelë, të cilët u lëshuan si kope nga burgjet për të cenuar votat e shqiptarëve”, - tha Balla dje në një konferencë për mediat. “Sali Berisha duhet të lejojë hetimin e zgjedhjeve duke u nisur nga hapja e kutive të 28 qershorit, ky do të ishte shërbimi më i madh i tij për vendin, që t’i lërë shqiptarët të udhëtojnë pa viza në BE njësoj si fqinjët”, - përfundon deklaratën deputeti socialist. PS-ja përgatiti një raport për shkeljet që u bënë në zgjedhjet e 28 qershorit, ku një pjesë e tij i kushtohej edhe përfshirjes së elementëve kriminalë dhe lirimi i të dënuarve, të cilët, sipas saj, - morën pjesë gjatë fushatës zgjedhore dhe ditën e votimit. Madje, opozita ka publikuar edhe emrat e personave me të kaluar kriminale. Në raportin përfundimtar të OSBE/ODIHR-it, Policia e Shtetit mori vlerësime për punën e saj.

Prokurorët e 7 shteteve, memorandum bashkëpunimi kundër krimit rajonal

ROMË – Nevoja për të shkëmbyer informacione të shpjeta dhe në kohë, ka detyruar prokurorët e vendeve të Europës Juglindore që të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi. Burime zyrtare të Prokurorisë së Përgjithshme bëjnë të ditur se dje është realizuar një takim në Romë, në kuadër të projektit “PRESECO”, i mbështetur nga Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës, ku ishte e pranishme edhe kryeprokurorja Ina Rama. Sipas tyre, të pranishëm në këtë forum ishin edhe krerët e prokurorive të Serbisë, Bosnjës, Kroacisë, Kosovës, Maqedonisë dhe Malit të Zi.
Prokurorja e Përgjithshme Zonja Ina Rama ka firmosur memorandumin e bashkëpunimit mes institucioneve të akuzës, ku sipas burimeve zyrtare, thuhet se kjo pritet të shmangë vështirësitë procedurale që mund të ekzistojnë në hetime mes vendeve.
“Objekti i memorandumit është bashkëpunimi rajonal në luftën kundër krimit të organizuar dhe formave të tjera të krimeve të rënda”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme. Ky dokument përcakton edhe mënyrat e bashkëpunimit mes këtyre strukturave në nivelin rajonal si; lehtësimi i shkëmbimit të informacionit në mënyrë të drejtpërdrejtë mes prokurorive dhe zhvillimi i hetimeve të përbashkëta.
Kjo nismë formalizon raportet mes prokurorive të shtatë vendeve në hetimet e përbashkëta kundër krimit të organizuar dhe veprave penale të rënda.

26 Janar 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›