Berisha: “Heqja e vizave brenda vitit të parë të mandatit, progresi më i madh”
Menjëherë pas mbledhjes së djeshme në Komitetin Ndërministror për liberalizimin e vizave, kryeministri Sali Berisha informoi Grupin Parlamentar të Partisë Demokratike se kjo çështje po trajtohet me përgjegjësinë më të madhe. Berisha theksoi se çështja kryesore në axhendën e qeverisë dhe të Parlamentit është plotësimi i kërkesave të Udhërrëfyesit për heqjen e vizave. Kreu i Ekzekutivit u garantoi qytetarëve shqiptarë se brenda vitit të parë të këtij mandati, vendimi për heqjen e vizave për Shqipërinë do të merret dhe se kjo qeveri, dhe kjo maxhorancë do të bëjnë çdo përpjekje për ta bërë të mundur këtë vendim. Liberalizimin e vizave, kryeministri Berisha e ka konsideruar si progresin më të madh që do të kenë qytetarët shqiptarë.
Udhërrëfyesi
Në kuadrin e masave për liberalizimin e vizave, kreu i Ekzekutivit deklaroi se janë plotësuar dhe janë në plotësim e sipër një seri kushtesh që kanë të bëjnë me plotësimin e kërkesave të Udhërrëfyesit. Sipas tij, është përfunduar tërësisht sistemi i kontrollit të integruar të kufijve, por edhe sistemi i të dhënave për krimin e kriminalitetin në të gjitha qarqet e vendit dhe janë tashmë të lidhur me qendrën. Gjithashtu, kryeministri Berisha theksoi se janë një seri vendimesh dhe ligjesh që do të miratohen gjatë 2-3 javëve që vijnë, për t’u dhënë përgjigjet më përfundimtare këtij procesi. “Ligji për moratoriumin e skafeve, që ndodhet në Parlament, pret firmën tuaj, votën tuaj, për të dërguar mesazhin më të shkëlqyer të vendosmërisë së autoriteteve shqiptare për luftën me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar”, - u shpreh Berisha gjatë mbledhjes së Grupit të PD-së. Ai tha se ligji për konfiskimin e aseteve të krimit të organizuar hyn tani në fuqi. Ndërkohë, sipas tij, do të ngrihet një komitet i veçantë për të mbikëqyrur zbatimin e këtij ligji, zbatim i cili është jetik e vendimtar për çmontimin e mafies, konsolidimin e paqes, sigurisë e stabilitetit në vend.
Pronat
Kreu i Ekzekutivit deklaroi se maxhoranca do të bëjë të gjitha përpjekjet për t’i dhënë zgjidhje çështjes së pronave të paligjshme. Kryeministri Berisha deklaroi se numri i pronarëve të regjistruar në mënyrë të paligjshme mund ta tejkalojë qartë atë të pronarëve të vërtetë. “Përpjekje të mëdha po bëhen për të çmontuar, me forcën e ligjit, pasuritë e mëdha të përvetësuara nga pushtetarët e të gjitha niveleve gjatë këtyre 18 viteve, të cilët kanë bërë batërdinë mbi pronat publike të këtij vendi. Unë ju kam deklaruar se mali i Dajtit është më i vogël sesa falsifikimet e përbindshme që kanë bërë në zonat turistike më të çmuara, më të kushtueshme të vendit”, - tha Berisha, duke shtuar se “beteja është e vështirë, presionet janë të mëdha dhe të jashtëzakonshme, vullneti është i hekurt. Asgjë nuk mund ta pengojë këtë maxhorancë të nxjerrë në dritën e diellit të gjitha të vërtetat e makutërisë së pafundme të ushtruar, të abuzimit të jashtëzakonshëm që është bërë. Ky ligj, që hyn në fuqi këto 2 ditë, ligje të tjera që do të miratohen dhe vendime, do t’u mundësojnë agjencive të zbatimit të ligjit përgjigjen më të përshtatshme ligjore ndaj të gjithë atyre që, edhe në vitin 1952 sillnin të ndjerin Xhani Anjeli në Shqipëri, me dokumente të falsifikuara vetëm e vetëm për të vjedhur prona”. Kryeministri Berisha, gjatë mbledhjes me Grupin e PD-së tha se një qytetar nga Vlora i dërgoi një mesazh, ku shprehu shqetësimin e tij se i janë grabitur rreth 500 mijë metra katrorë sipërfaqe në pjesën më të bukur të bregut të këtij vendi. Berisha i ka garantuar qytetarit nga Vlora se qeveria do ta shpërblejë. “Dua t’i shpreh mirënjohjen këtij qytetari dhe ta garantoj atë se qeveria do të vendosë për shpërblimin e tij. Ftoj të gjithë qytetarët që disponojnë të dhëna, t’i dorëzojnë ato në interesin më të mirë të vendit. I garantoj se, në përputhje me ligjin, ata do të shpërblehen. Ju do thoni se përse unë ftoj qytetarët të dorëzojnë dëshmi me dokumente. Sepse ata që kanë grabitur e plaçkitur, kanë përdorur edhe pushtetin e tyre për të zhdukur, për të mykur, për të pluhurosur sa më shumë dokumentet”, - u shpreh kryeministri Berisha.
Mungesa e opozitës, shtyhet ligji për
legalizimin e gay-ve, kërkohen 84 vota
Komisioni Parlamentar i Punës ka shtyrë dje ligjin për martesat gay për shkak të mungesës së opozitës. Bojkoti i kësaj të fundit e ka detyruar maxhorancën të tërhiqet nga neni që parashikonte martesat brenda të njëjtit seks, kjo për faktin se për të ndryshuar Kodin e Familjes, ku përcaktohet dhe koncepti i martesës, duhen plot 84 vota. Pas më shumë se gjashtë muajsh nga koha kur kryeministri lajmëroi hartimin e një projektligji për martesën gay, drafti po shqyrtohet në Kuvend, por pa nenin që parashikonte këtë hap.
“Instituti i martesës është një institut që rregullohet nga Kodi i Familjes dhe kodet janë ligje të një rëndësie të veçantë që miratohen nga Kuvendi me një maxhorancë të cilësuar. Të prekësh Kodin e Procedurës, të prekësh Kodin Civil, Kodin Penal, nuk është kjo tryezë dhe nuk është detyrë e këtij ligji. Ky është një ligj i thjeshtë, që ka për qëllim vetëm kuptimin e diskriminimit", - tha Vjollca Meçaj, drejtuese ekzekutive e Komitetit të Helsinkit. Projekti që po shqyrtohet në Kuvend për mbrojtjen e personave të diskriminuar është hartuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit dhe mban firmën e 6 deputetëve të maxhorancës. Ai parashikon ngritjen e një institucioni të veçantë, Komisioneri për Mbrojtjen e Barazisë, i cili do të shqyrtojë të gjitha ankesat. Në bazë të draftit, gjobiten të gjithë ata që diskriminojnë këtë kategori. Kështu, gjoba për zyrtarët diskriminues të administratës shtetërore është 1 milion lekë, ndërsa për bizneset dhe institucionet joqeveritare, 10 milionë lekë.
26 Janar 2010