Meta: “Shqipëria do të hapë Ambasadën në Bosnjë-Hercegovinë”
Shqipëria së shpejti do të zgjerojë prezencën diplomatike në Bosnjë-Hercegovinë, duke hapur Ambasadën Shqiptare në Sarajevë. Lajmi është bërë i ditur dje nga ministri i Punëve të Jashtme, Ilir Meta, gjatë një takimi me ministrin e Sllovakisë, Miroslav Lajçak. “Duke marrë në konsideratë se Shqipëria do të rrisë rolin e saj në Ballkanin Perëndimor, qeveria jonë ka vendosur që së shpejti të hapë Ambasadën Shqiptare në Sarajevë. Ky hap është një shenjë e pastër e vëmendjes që Shqipëria u kushton marrëdhënieve me fqinjët dhe perspektivës së saj në rajon. Jam i sigurt se ky informacion do ta bëjë të lumtur zotin Lajçak duke pasur parasysh kontributin e tij të veçantë në sfidat që ka përballuar Bosnja-Hercegovina”, - është shprehur Meta. Ministri Meta nënvizoi se Shqipëria ka luajtur një rol konstruktiv dhe thelbësor në të kaluarën e Ballkanit, rol i cili është planifikuar të zgjerohet në të ardhmen, si një nevojë e anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE. “Ndaj, për këtë arsye, është e rëndësishme për ne dhe për të gjithë rajonin që ne të zgjerojmë bashkëpunimin bilateral dhe multilateral me Bosnjë-Hercegovinën. Sa më shumë të punojmë së bashku në Ballkan, aq më shpejt i gjithë rajoni ynë do të anëtarësohet në BE”, - është shprehur Meta.
26 Janar 2010