Një humbje në ndeshjen ndaj Parmës do të ishte fatale për trajnerin çiro Ferrara
Gus Hidink ka ende edhe një javë pushim. Menaxheri i tij pret të dielën, më 10 janar, në Amsterdam, pak a shumë në të njëjtën kohë me Juventus-Milan, një nga dy ndeshjet në të cilat çiro Ferrara luan pankinën bardhezi. Një koincidencë, që ushqen çdo lloj spekulimi gazetaresk ose jo. Por në realitet, burime pranë tij garantojnë se data e rikthimit të tij nga pushimet ekzotike është një pikë absolutisht thelbësore e axhendës së tij. Në kuptimin që nëse dikush e merr në telefon dhe ka nevojë urgjente për të, Gus mund të heqë dorë nga gjithçka edhe para së dielës në mbrëmje.
Telefonata - Në rastin konkret, ai që mund ta marrë në telefon me urgjencë është vetëm Juventusi, i cili e mban trajnerin holandez në alarm të parakohshëm, në pritje për të kuptuar nëse çiro Ferrara është në gjendje për të qeverisur skuadrën dhe dhomën e zhveshjes pa vënë në rrezik të paktën kualifikimin për në Champions League dhe, mundësisht, duke mundur të arrijë nga objektivat e mbetur. Gjatë këtyre ditëve të një studimi intensiv, Roberto Betega ka krijuar një ide precize në lidhje me situatën. Ka folur me disa lojtarë, pasi më parë kishte zhvilluar bisedime më të thella me senatorët. Beteja ka pasur edhe takim kokë më kokë dhe me vetë Ferrarën dhe, në këtë pikë, pret ndeshjen ndaj Parmës, në të cilën do të shihet me një vëmendje të veçantë mënyra e lojës së skuadrës.
Nëse humbet - Tashmë është e qartë që në rast se do të humbasë Juventusi, kjo do t’i kushtonte në mënyrë të menjëhershme largimin nga pankina të çiro Ferrarës, por ajo që vlen më shumë do të jetë mënyra se si skuadra do ta përballojë ndeshjen. Nëse drejtuesit (dhe pronarët) do të shikonin një tjetër sfidë të shëmtuar si ajo ndaj Katanias, Bajernit apo Kaljarit, përtej rezultatit, mundet të marrin masa drastike mbi të ardhmen e pankinës bardhezi.
Nëse fiton - Ekziston përshtypja se askush nuk dëshiron ta shkarkojë trajnerin napolitan, duke filluar që nga Roberto Betega. Kjo sepse ky nuk shihet si momenti i duhur, pasi nuk ka shumë kohë, dhe se një revolucion do të duhej të programohej me më shumë qetësi mes pranverës dhe verës. Këto janë synimet, por nëse në realitet do të duhet të ndryshonin letrat në tavolinë, Juventusi po mban nën mëngë një zgjidhje. Për ta marrë Hidinkun nga pushimet, mjafton vetëm një telefonatë dhe ai, i cili tashmë ka shprehur gatishmërinë për të marrë rrugën drejt skuadrës bardhezi, do të prezantohej në Torino duke mbajtur në dorë tarifën (pak a shumë 4 milionë në sezon) dhe në një letër ku janë disa ide për të ringjallur skuadrën. Por në atë pikë do të duhej të harrohej e kaluara, duke i bërë palët të firmosin një kontratë për dy vite e gjysmë, duke i besuar holandezit të ardhmen e Juventusit.
Ferrara – Ndërsa vetë Ferrara as nuk e çon ndërmend largimin: “Besoj se klubi ka të drejtë të kontrollojë punën e teknikut të saj dhe kjo nuk më shqetëson. Shikoj se ata kanë besim tek unë. E di që një trajner gjykohet në bazë të rezultateve. Hidink? Nuk është i vetmi emër që qarkullon, por kjo nuk më kushtëzon. Jam shumë i qetë në punën time dhe mendoj se po e bëj me ndershmëri.