E Diel, 1 Nëntor 2026

Shqiptari, alternativa e Vieira. Sandërlendi nuk pranon të hapë bisedimet

Gjigantët francezë të Olimpik Lionit kanë hedhur sytë nga kapiteni i Sandërlendit, Lorik Cana, pasi kanë pranuar se është shumë e vështirë të blejnë Patrik Vieira. Mesfushori shqiptar shihet si alternativa më e mirë e francezit të Interit, i cili po mendon të rikthehet në Premiership në radhët e Mançester Sitit. 33-vjeçari shpreson që me largimin nga zikaltrit të fitojë një vend në radhët e “gjelave” në Botërorin 2010, ndërsa për të interesohet edhe Barcelona. Kjo do të thotë se Lioni duhet të studiojë pista të tjera për përforcimin e mesit të fushës dhe Cana shihet si zgjidhja ideale për të luajtur përkrah Xheremi Tulalan. “Kemi biseduar në telefon me Vieira. Ai është një lojtar i jashtëzakonshëm, por afrimi i tij është i vështirë, pasi të interesuara janë edhe Mançester Siti dhe Barça. Për më tepër që lojtari i Interit nuk mund të luajë me ne në Champions”, deklaroi presidenti i Lionit, Bernard Lakomb. Këtu kanë filluar edhe spekulimet rreth Lorik Canës. Sipas tabloidit britanik, “News of the World”, drejtuesit e klubit francez po mendojnë seriozisht t’i paraqesin Sandërlendit një ofertë konkrete. 26-vjeçari është përforcimi ideal për luftën në Ligën 1, por edhe për të shpresuar kualifikimin e mëtejshëm në Champions League. Në raundin e 1/8-ave, Lioni do të ndeshet me Realin e Madridit, sfida në të cilat Cana do të luante pa problem, duke qenë se gjatë këtij sezoni nuk është aktivizuar në kupat europiane. Në “Stade Gerland” e njohin mirë potencialin e lojtarit kuqezi, që ka luajtur për shumë vite në elitën e futbollit transalpin me PSG-në dhe Olimpikun e Marsejës.
Megjithatë, pengesa e parë për t’u kaluar është Sandërlendi. Cana ka shkëlqyer në këtë pjesë të parë të kampionatit me “macet e zeza”, ku mban shiritin e kapitenit dhe cilësohet edhe si një prej pikave të forta të skuadrës. Drejtuesit e klubit anglez nuk kanë pranuar të hapin asnjë lloj negociate me Lionin, të paktën jo gjatë merkatos së dimrit. Me impaktin e jashtëzakonshëm në Premiership, vlera e kartonit të mesfushorit është rritur dukshëm në krahasim me 5.5 milionë eurot që u paguan për blerjen e tij gjatë verës. Një tjetër problem përbën edhe dëshira e vetë shqiptarit: Cana e sheh kampionatin anglez si vitrinën ideale për kualitetin që zotëron dhe vështirë se mund të bindet të kthehet në Francë. Mbi të gjitha, në një kohë kur me paraqitjet e jashtëzakonshme te Sandërlendi, ai ka konfirmuar se është i denjë për një klub të madh (Arsenali dhe Liverpuli vazhdojnë ta vëzhgojnë me kujdes). E vetmja arsye për të cilën 26-vjeçari do të pranonte të transferohej te Lioni është Liga e Kampioneve, aktiviteti më prestigjioz për klube në kontinent.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›