E Diel, 1 Nëntor 2026

Zhulio Baptista pranë zikaltërve, braziliani është zëvendësuesi i Shnajder

Masimo Morati është i gatshëm që të plotësojë çdo zgjedhje të Zhoze Murinjos, mjafton që të mos nxjerrë asnjë euro nga xhepi dhe të përmirësojë bilancet e klubit. Kjo ka bërë që tek Interi të fillojë epoka e merkatos “loë cost”, ku objektivi kryesor është përforcimi i skuadrës, pa i kërkuar presidentit të shpenzojë. Operacioni i parë në merkaton e janarit u realizua të hënën me afrimin në Pinetina të maqedonasit Goran Pandev.
Ndërkohë, tri ditë më parë nisi interesimi për Zhulio Baptistan: por pyetja e të gjithëve është se për çfarë i nevojitet braziliani kryesuesve të Serisë A, të cilin Roma po e largon për arsye teknike ose sepse ka rrogë shumë të lartë? Ideja për këtë manovër ishte e Marko Brankës, drejtuesit zikaltër, i cili është shumë i kujdesshëm që t’i bëjë qejfin Moratit. Kolegu i tij, Lele Oriali, e informoi se Roberto Mançini kërkon të blejë Vieiranë (mesfushori ka oferta edhe nga Lioni e Barcelona), ndërsa francezi ishte i gatshëm të transferohej te Mançester Siti.
Lojtari i kërkoi Interit prishjen e kontratës në mënyrë që të rikthehet në Premiership, një lajm i cili u prit mjaft mirë në ambientet e klubit, pasi Vieira përfiton 6 milionë euro në sezon. Murinjo dha “OK”-in për këtë largim, por vendosi një kusht: gjetjen e zëvendësuesit të Shnajder. Stankoviç nuk cilësohet i denjë që të luajë në këtë pozicion, ose më saktë mund të luajë pas shpinës së dy sulmuesve, por nuk ka të njëjtat karakteristika ofensive të holandezit.
Për këtë arsye sytë e personave përgjegjës për merkaton e Interit janë kthyer nga Baptista, “xholi” me kosto zero. Trajneri portugez nuk e ka kundërshtuar këtë lëvizje, ndërsa Roma mund të pranojë edhe një huazim falas. Interi i ofron brazilianit të njëjtën rrogë si te Roma: aktualisht Baptista përfiton 3 milionë euro në sezon (duke llogaritur edhe shpërblimet), pra gjysmën e Vieirasë. Nëse nuk do të marrë oferta më të kënaqshme, “Bisha” do të bëjë gati valixhet për t’u transferuar në Milano.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›