E Shtunë, 31 Tetor 2026

Sipas një studimi të revistës gjermane “Rivier Sport”, ai fiton 63% të dyluftimeve

Mërkim Mavraj është një siguri më shumë për të ardhmen e mbrojtjes së Kombëtares së Shqipërisë. Ky është përfundim në të cilin mund të arrijmë pas vazhdimit të një studimi të bërë nga gazeta gjermane “Rivier Sport”. Mbrojtësi kosovar, i cili zotëron për momentin pasaportën shqiptare dhe atë gjermane, është vlerësuar me nota pozitive për paraqitjet e tij gjatë fazës së parë me Bokumin në Bundesligën 1 gjermane. Sipas gazetës gjermane, Mavraj duhet të jetë krenar, pasi ka fituar 63 për qind të dyluftimeve. Mbrojtësi shtatlartë është aktivizuar në 13 ndeshje (nota mesatare 3.42) dhe ka dominuar sidomos në lojën në terren se sa në ajër, duke shkaktuar pak faulle, më pak se një faull për ndeshje (10 faulle në 13 aktivizime).
Mërgim Mavraj është kandidat potencial për të veshur fanellën e Kombëtares kuqezi. Trajneri kroat i kuqezinjve, Josip Kuzhe, i cili e ka ndjekur direkt lojtarin vetëm pak javë më parë në ndeshjen Bokum Hanover, ka konfirmuar faktin se ai do të thirret në miqësoren e parë ndërkombëtare të përfaqësueses për vitin 2010. Tekniku kroat nuk i kurseu elozhet për futbollistin e VFL Bokumit, i cili tashmë e ka thuajse të sigurt një vend në Kombëtaren kuqezi. Karrierën si futbollist Mavraj e ka nisur në 2003-shin, kohë kur filloi të luante për ekipin amator të SG Rozenhohe Ofenbah. Pas një sezoni në këtë skuadër, ai u mor nga SV Darmstadt 98, ekip për të cilin luajti deri në qershor të 2007-s. Pikërisht në këtë vit mbrojtësi u transferua te Bokumi në Bundesligën I, ku deri tani ka luajtur plot 38 ndeshje dhe ka shënuar një gol (sezonin e kaluar). Kontrata e tij me klubin gjerman skadon në qershor të këtij viti. Vlera e tij sipas faqes së specializuar “Transfermarkt.de” është 1 milion e gjysmë euro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›