E Diel, 1 Nëntor 2026

Një italian, kuratori i artistëve shqiptarë në Bienalen e Venecias

Shqipëria do të marrë pjesë në Bienalen e 54-t të Venecias për Artin Pamor. Pas mungesës në Bienalen e vitit 2009, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve ka mbështetur pjesëmarrjen e artistëve shqiptarë në Venecia, duke i caktuar rolin e koordinatorit për këtë aktivitet Galerisë Kombëtare të Arteve, e cila ka emëruar ekipin që do të organizojë pavijonin shqiptar në këtë aktivitet. Ky ekip përbëhet nga komisioneri i emëruar Parid Teferiçi dhe kuratori artistik Riçardo Caldura nga Italia. Të dy emërimet u propozuan nga Galeria Kombëtare e Arteve, në bazë të cilësive individuale dhe përvojës së tyre në këtë fushë. Komisioneri është përfaqësues ligjor i Shtetit Shqiptar dhe ka për detyrë të organizojë gjithë pjesën administrative të pavijonit, ndërsa kuratori do të përzgjedhë artistët që do të përfaqësojnë vendin në këtë aktivitet dhe do të evidentojë cilësitë e tyre artistike brenda kontekstit teorik të ekspozitës përfaqësuese. Kuratori Caldura është përzgjedhur nga bordi i Galerisë Kombëtare të Arteve, pasi, sipas tyre, ai ka cilësi të larta profesionale në fushën e teorisë dhe kritikës së artit dhe në të njëjtën kohë konsiderohet si një njohës i mirë i skenës së artit bashkëkohor shqiptar, ku ka organizuar disa aktivitete me artistë shqiptarë, ndër të cilat duhen përmendur: ekspozita “Nuk ka si shtëpia/ There is no place like home” në Galerinë Contemporanea, Mestre 2007; ekspozita fotografike “Atelier Albania” në Centro Candiani, Mestre 2007; ndërsa në vitin 2008 ai ka kuruar në Galerinë Kombëtare ekspozitën “Onufri ‘08”, me titull “A e dini vendin ku lulëzojnë paradokset?”. Kuratori Caldura ka mbërritur në Shqipëri për të parë nga afër punën e artistëve shqiptarë dhe zhvillimet më të reja të skenës së artit tonë pamor, për të përzgjedhur në fund artistët që do të jenë pjesë e pavijonit shqiptar në Bienalen e Venecias.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›