E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poetika e Sabri Hamitit çmim edhe në Kosovë

“Poetika shqipe” e akademikut Sabri Hamiti, e vlerësuar si vepra më e mirë e vitit 2010 në Shqipëri, ka fituar edhe çmimin kombëtar “Azem Shkreli” në Kosovë. Çmimi, që ashtu si dhe në Shqipëri, jepet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve të Kosovës për veprën më të mirë letrare të botuar gjatë vitit 2010, nga fusha e poezisë, e prozës, e studimit të letërsisë dhe e përkthimit letrar, çmim ky për të cilin, ndër të tjerë, është propozuar edhe libri i akademikut Hamiti. Disa javë më parë e ka bojkotuar këtë çmim shkrimtari Rexhep Qosja dhe pas tij edhe disa shkrimtarë të tjerë kosovarë. Përveç çmimit të madh që ka shkuar për librin e Sabri Hamitit, janë ndarë edhe disa çmime të tjera. Çmimi letrar për librin më të mirë të vitit 2010 në prozë i është dhënë shkrimtarit Ardian Haxhaj, për romanin “Kujtimet e një çifuti’’; ndërsa për librin më të mirë në poezi ka shkuar për Ndue Ukajn, për veprën “Godo nuk vjen”. Gjithashtu me çmim është vlerësuar edhe Anton Berisha për librin më të mirë për kritikë dhe eseistikë, “Letërsia per-formative”. Juria po ashtu ka ndarë edhe çmimin për librin më të mirë të përkthyer, që këtë vit e ka fituar përkthyesi Avdi Visoka për veprën “Njeriu i revoltuar”, të autorit Albert Kamy.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›