E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skenat botërore “flasin” shqip

“L’elisir d’amor” do të ngjisë në skenën e madhe të Teatrit të Operas në Romë, nga mbrëmja e sotme e deri më 18 shkurt, tenorin shqiptar Saimir Pirgu. Një opera moderne, e cila mbështetet mbi tre personazhe, ku dy të rinj dashurohen e një i tretë mundohet të prishë lidhjen e tyre me lloj-lloj skenarësh. “Historitë më mëdha të dashurisë janë ato që na mungojnë” - shprehet regjisori i operas, Ruxhero Cappuçio, cili ka zgjedhur këngëtarët operistikë më të mirë të kohëve të fundit për të sjellë në skenë një version modern të “L’elisir d’amor”, sepse për të magjia që përcjell kjo melodramë te publiku qëndron pikërisht te muzika e mrekullueshme e Gaetano Donizetit dhe interpretimi. Prandaj ai ka zgjedhur në podin e drejtuesit mastero Bruno Campanella-n dhe një kast këngëtarësh lirikë të njohur në skenat botërore, si Adriana Kucerova, që do të interpretojë Adina-n, shqiptarin Saimir Pirgu në rolin e Nemorino-s, Fabio Maria Capitanuci në rolin e Belcore-s, Alex Esposito në rolin e Dulcamara-s. Protagonistët e Elisiri-it më 2011, ashtu siç shprehet dhe vetë drejtori Cappuçio, janë të gjithë të rinj, por që janë të mrekullueshëm në interpretimet e tyre. Adriana Kucerova, e cila përveç zërit të mrekullueshëm është cilësuar dhe si “sopranoja më e bukur në gjithë botën”. E nga Shqipëria ai ka zgjedhur Saimir Pirgun, i njohur tashmë për nga publikun italian që në vitin 2002. kur interpretoi në Rossini Opera Festival të Pesaros me “Il viaggio a Reims”. Kompozuar nga Gaetano Donizzeti dhe me libret të Felice Romani-t, debutimi roman i kësaj vepre i përket 29 nëntorit të vitit 1883 (51 vjet pas premierës në Teatrin Canobiana në Milano, më 12 maj 1832).

Jaho bën për vete kritikën e huaj

Sopranoja e famshme shqiptare Ermonela Jaho nuk resht së befasuari me zërin e saj. Kësaj radhe ajo ka bërë për vete kritikën me interpretimin e saj në hapjen e sezonit të operës në skenën e San Diegos, me operan e Xhiakomo Puçinit: “Turandot”.

“Me gjithë se protokolli kërkon që artisti i parë që paraqitet në skenë të jetë dhe në titullin e këtij shkrimi, por entuziazmi dhe ngrohtësia që i solli skenës sopranoja shqiptare Ermonela Jaho, nuk kishte se si të mos ndryshonte renditjen”, - kështu komentohet sopranoja Jaho në media dhe nga komentet e kritikës së huaj. Zëri dhe performanca e saj duket se ishte e parezistueshme për secilin që ndodhej në sallë. “U ndjeva në faj që kisha munguar në mbrëmjen e këtij eventi në vitin 2008, kur dhe Jaho debutoi në këtë skenë, me rolin kryesor në pjesën e Donicetit, Maria Stuarda”, - thuhej nga një tjetër kritik.

Prelocaj ‘çon’ Moxartin në Rusi

Teatri Marinski i Shën Petersburgut do të ngjisë në skenë një nga figurat e shquara të baletit botëror, shqiptarin Angjelin Prelocaj. Ndërsa Prelocaj ka përzgjedhur veprën e famshme të Moxartit, “Le Parc”, për ta gërshetuar me koreografinë e tij. Kjo vepër e përjetoi triumfin më të madh artistik në vitin 1994 dhe u konsiderua si baleti klasik më i famshëm jo vetëm në skenën franceze. Ai do ta sjellë muzikën e Moxartit përmes lëvizjeve të ideuara prej tij edhe në çelje të Festivalit të 11-të Ndërkombëtar të Baletit, që zhvillohet në Marinski. Koreografi shqiptar Angjelin Prelocaj jeton dhe punon në Francë. Ai tashmë ka kapërcyer dhe kufijtë e Francës, duke u bërë i njohur në gjithë botën. Pas suksesit që pati në Teatrin Balshoi, ai rikthehet sërish në Rusi, por këtë radhë në një tjetër skenë të madhe të këtij vendi, në Teatrin Marinski në Shën Petersburg. Këtë radhë ai vendosi që të përgatisë pjesën e famshme të Moxartit.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›