Vlora pret festivalistët e Mesdheut
Mbrëmjen e së hënës u hap në Vlorë edicioni i 6-të i Festivalit Folklorik Mesdhetar, “Vlora 2010”, me pjesëmarrjen e 10 shteteve mesdhetare si Turqia, Maqedonia, Mali i Zi, Bullgaria, etj. Festivali është organizuar nga bashkia e qytetit në bashkëpunim me Qendrën e Kulturës, Vlorë dhe me Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve e me Shoqatën “Alb-mediteran”.
Për këtë aktivitet ishin ngritur tri pika në sheshin përpara lulishtes, në skelë, pranë Sheshit të Flamurit si dhe në zonën e plazhit, pranë Akademisë së Marinës. Grupet pjesëmarrëse janë ndjekur nga qindra qytetarë dhe pushues. Festivalin e hapi Drejtori i Qendrës Kulturore “Labëria”, Vlorë, Istref Dobi, i cili është dhe drejtor i këtij festivali. Pasi u uroi mirëseardhjen grupeve pjesëmarrëse, i prezantoi ato para publikut. Kjo ngjarje e rëndësishme kulturore nisi rrugën e saj në verën e vitit 2005 e tashmë po kthehet në një traditë, në një ngjarje jo vetëm për qytetin e Vlorës, por për gjithë botën folklorike shqiptare, e cila ka mundësinë të përballet me folkun e vendeve që lagen nga ujërat e Mesdheut.