Një ekspozitë dhe një album për Helidon Halitin
Përurohet sot në muzeun "Mezuraj" në Tiranë ekspozita e piktorit Helidon Haliti. Veprat janë pjesë e koleksionit të muzeut. Ato do të shoqërohen me një album ku janë të përmbledhura pjesa më e madhe e veprave që do të ekspozohen për publikun. Albumi vjen si një pasqyrim i veprave më të mira të tij. Do të ekspozohen aty, njësoj si në album, një pjesë e rëndësishme dhe përfaqësuese e krijimtarisë së tij ndër vite. "Eksperimental", "Portrete", "Kostandini dhe Doruntina", "Legjenda e Rozafës", "Nudo", "Peizazh", "Dialog", "Luna Park", "Ngujimi", "Vizatime akuarele", janë ciklet të cilat prezantohen në albumin dhe ekspozitën me veprat e Halitit. Për piktorin, kjo është ekspozita e tij e dytë personale që çel në Shqipëri. Më parë ka marrë pjesë në ekspozita në bashkëpunim edhe me autorë të tjerë. Helidon Haliti, ka ekspozuar për herë të parë në Tiranë në vitin 1984, në një ekspozitë kombëtare, si dhe në ekspozitën e të rinjve në Oslo në Norvegji në vitin 1985 ku është vlerësuar me dy çmime për akuarelet e paraqitura prej tij. Haliti ka qenë vazhdimisht i pranishëm në ekspozita të ndryshme në Shqipëri, por edhe në Greqi ku jeton dhe krijon aktualisht. Ai realizon vepra në gjini dhe teknika të ndryshme.