E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një jetë për Zotin dhe njerëzit

Papa Gjon Pali II fliste butë për vdekjen. Pa e zbukuruar “nuk është e mundur ta jetosh në mënyrë ‘natyrore’, pasi ajo është kundër çdo instiktit më të fortë të njeriut”, shkruante ai në një nga letrat dërguar personave të moshuar në tetot 1999, duke pohuar se dhe Jezusi vetë “kishte njohur frikën para vdekjes”. Por ai shtonte gjithashtu se “te Krishti ky realitet dramatik dhe tronditës është e transformuar, gati duket si një “motër” që na shoqëron në krahët e Babait. Besimi ndriçon misterin e vdekjes dhe i jep qetësi plakjes. Është një periudhë që duhet ta mbushësh, duke thelluar jetën shpirtërore, duke u lutur më shumë dhe duke u betuar për bamirësi”.

E kështu i jetoi ditët e tij të fundit të jetës. Deri në fund të ditëve, deri në fund të forcës, derisa nuk kishte fuqi ai donte të ushtronte misionin e tij. I tradhtuar nga trupi, ai nuk mungonte në takimet me besimtarët. Kështu ndodhi edhe gjatë së dielës së fundit të Pashkëve, ku nuk mundi t’i shqiptonte të gjitha fjalët e lutjes.

Por forca e tij vitale e ndihmoi që të kalonte pengesat. Jeta nuk kishte qenë e lehtë për të. Ishte vetëm 9 vjeç kur nëna e tij vdiq. Në moshën 12-vjeçare do të humbiste vëllain e vetëm. Më pas në shkurt 1941, vdekja e të atit do ta linte pa familjes. Në një Poloni të shtypur nga çizmja naziste, i riu mund të kishte rënë në depresion. Por ai bëri të kundërtën duke i dhënë jetën Zotit dhe Vëllezërve, duke hyrë në vjeshtën e vitit 1942 në seminarin klandestin të Krakovisë. Pa dyshim që vitaliteti i tij e ndihmoi të tejkalonte veten për të marrë përgjegjësitë e pastorit, më pas si prift e si ipeshkv në një vend të nënshtruar nga akullnaja komuniste. Në mënyrë të ndërgjegjshme, më 16 tetor 1978, kardinalët do të zgjidhnin këtë njeri të fortë për t’iu përgjigjur pyetjes së tmerrshme të lënë pas nga vdekja e Papa Gjon Palit I, i cili humbi jetën 33 ditë pasi ishte bërë Papë, i shtypur sipas gjasave nga pesha e detyrës. Por Papa Gjon Pali II nuk do të dorëzohet. Edhe ndaj plumbave të 13 majit 1981, në sheshin Shën Pjetër. Këta plumba vetëm do të ngadalësonin vrapin e këtij sportist të Zotit.

Në fillim të viteve 1990 nis dhe rruga e dhimbjes për të. Në korrik 1992, ai shtrohet në spital nga një tumor, në 1993 pëson shembje në shpatull nga një rënie, në vitin 1994 nga një tjetër rënie dëmtohet në pjesën e legenit, në tetor 1996 heq apandesitin. Pikërisht në këtë kohë nisin dhe problemet e parkinsonit që do të pakësonin ditët e tij.

Gjon Pali II jetoi Luftën II Botërore, u rezistoi dy totalitarizmave, nazizmit dhe stalinizmit, dhe kontribuoi në dhe rënien e Murit të Berlinit, duke shënuar rënien e komunizmit në Kontinentin e Vjetër. Marksizmi, por edhe kapitalizmi i egër, ishin kuajt e tij të betejës. Njeri i Zotit dhe i paqes, angazhimet e tij nuk u kurorëzuan të gjitha me sukses. Ai pa Ballkanin dhe Lindjen e Mesme të zhytej në luftëra. Atij iu desh të luftonte me islamin ekstrem, sektet evangjelike dhe terrorizmin fetar. Ai nuk mundi të pengojë Afrikën të humbasë në konflikte si në Ruanda dhe nuk diti të ndihmonte kundër katastrofës së SIDA-s. Ai është i paklasifikueshëm, pasi, nëse gjithnjë është dukur si i hapur ndaj problemeve të botës, dialogut me islamin, hebraizmin dhe besime të tjera jo të krishtera, ai ruajti një linjë tepër konservatore për çështje të familjes dhe moralit.

Për një pjesë të opinionit, zona kryesore e errët do të mbetet dënimi i kontraceptivëve nga ana e tij, në një botë ku SIDA shkakton miliona të vdekur, ka thelluar një hendek pakuptimësie dhe largoi nga Kisha shumë katolikë. Zëra ngrihen kundër tij edhe për të kritikuar mungesën e vendosmërisë dhe transparencës përballë abuzimeve pedofile nga anëtarët e Kishës. Vitet e fundit të jetës ishin kthyer në një dhimbje, pasi i dëmtuar nga artroza e kishte të pamundur lëvizjen. Një dhimbje kjo edhe për shumë besimtarë. Por ai ishte i pazotë të hiqte dorë. Ai mendonte vetëm për një gjë, siç shkruante në “Letra për të moshuarit”: është bukur që deri në fund të japësh jetën për çështjen e Mbretërisë së Zotit.

Përgatiti: Aida Harka

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›