Lumturimi i Papa Gjon Palit II mbledh 1 milion vetë në Shën Pjetër në Vatikan
VATIKAN- Papa Gjon Pali II u shpall i lumturuar nga pasardhësi i tij, Benedikti XVI, përpara një turme me më shumë se një milion persona, në sheshin Shën Pjetër në Vatikan. Qindra mijëra pelegrinë nisen grumbullimin që në mëngjes herët dje në sheshin Shën Pjetër, për të qenë të pranishëm në lumturimin e Papa Gjon Palit II.
Një foto e Papa Gjon Palit II, është vendosur në proton e bazilikës së Shën Pjetrit dhe u zbulua nën duartrokitjet e turmës, ndërsa një kupë që mbante gjakun e Papa Gjon Palit u paraqit përpara Papa Benediktit XVI, ndërkohë që një vend të rëndësishëm zinte dhe Motër Marie Simon-Pierre, priftëresha franceze, shërimi i pashpjegueshëm i së cilës u njoh si një nga mrekullitë e lidhur me mrekullinë e Papa Gjon Palit II.
Ka qenë vetë Papa Benedikti XVI, i cili vendosi që të kalonte afatin prej 5 vjetësh, që pritet zakonisht para lumturimit, duke dhënë mundësi kështu që procesi i lumturimit të niste disa javë pas vdekjes së Papës polak. Papa aktual ka nënshkruar një kontratë, duke vërtetuar virtytet historike të paraardhësit të tij dhe ka njohur shërimin e Motër Marie Simon-Pierre, si një mrekulli e lidhur me lumturimin e tij.
Mëngjesin e djeshëm, Sheshi numëroi mbi një milion persona të pranishëm në Romë për lumturimin e Papa Gjon Palit II. Ceremonia u drejtua nga Papa Benedikti i XVI. Në orën 10:37 minuta Benedikti i XVI lexoi formulën e lumturimit. "Papa Gjon Pali II i ridha kristianizmit një orientim të rinovuar drejt së ardhmes, i ridha shpresë besimit të uzurpuar nga marksizmi”, deklaroi Papa Benedikti XVI, gjatë ceremonisë së lumturimit të Papa Gjon Palit II. “Shpresën drejt së ardhmes, që ishte uzurpuar nga marksizmi dhe ideologjia e progresit, Papa Gjon Pali II ia riktheu legjitimisht kristianizmit”, theksoi Papa Benedikti XVI. Plot Dymbëdhjetë gjuhë të botës u dëgjuan për lumturimin e Papa Gjon Palit II, Papës misionar, i cili udhëtoi në të gjitha kontinentet dhe takoi njerëz në të gjithë botën. Polonishtja, italishtja, spanjishtja, portugalishtja, anglishtja, tamilishtja dhe suahilishtja u përdoren gjatë përgatitjes së meshës së lumturimit. Spanjishtja, frëngjishtja, rusishtja, gjermanishtja dhe anglishtja u përdoren për lutjet e besimtarëve në meshë.
Polonishtja, anglishtja dhe latinishtja u përdoren për leximet biblike, kurse italishtja dhe latinishtja për ceremoninë festive.
Procesi i lumturimit
Lumturimi ka të bëjë me persona të rëndësishëm, të cilët Kisha katolike i përdor si simbole për të krishterët. Një gjë e tillë ndodh pas një procedure të menduar në detaje dhe që bëhet pas njohjes së një mrekullie. Për Papa Gjon Palin II, procedura nisi shumë shpejt. Sipas rregullave të çështjes së shenjtëve, një gjë e tillë nuk mund të fillojë më parë se sa të mbushen 5 vjet nga vdekja e personit. Por Papa Gjon Pali II kishte vendosur vetë që të zgjatej periudha e lumturimit, një gjë e tillë u ndoq gjatë mrekullimit të Nënë Terezës në vitin 2003, vetëm 6 vjet pas vdekjes së saj.
Duke ndjekur këtë rregull, procedura për Papa Gjon Palin II nisi 2 muaj pas vdekjes së tij, më 2 prill 2005. Procesi u nis nga Arqipeshkëvi i vendit, ku kishte dhënë shpirt kandidati, pra në rastin e Karol Vojtilës, Papa Benedikti XVI. Në fillim duhet të vendoset “reputacioni i shenjtërimit”. Kështu ngarkohet një person, i cili do të merret me hetimet dhe do të nisë mbledhjen e dëshmive gojore dhe me shkrim. Më pas, ai e dërgon dosjen e tij në Vatikan, në Kogregacionin që merret me çështjet e Shenjtëve dhe që merret me studimit teologjike dhe historike.
Dosja më pas kalon në duart e promotorit të besimit, që merret me studimin e dosjes, por me qëllimin e vetëm të zbardhë hijet që mund të kenë mbetur nga dosja dhe që mund të ishte kundër “kandidatit”. Nëse dosja është e vlefshme, shërbyesi i Zotit shpallet “i vlerësuar”. Mbetet që të tregohet se ky i fundit ka përmbushur një mrekulli. Kështu merr udhë një tjetër anketë mbi bazën e dosjes mjekësore të personit që deklaron se është shëruar, duke marrë mendimin e ekspertëve, mjekëve dhe teologëve. Më pas, me mendimin e Arqipeshkëve dhe kardinalëve, dosja i dërgohet papës i cili vendos të firmosë dekretin e shenjtërimit.
Mrekullia që i atribuohet Papa Gjon Palit II ka qenë shërimi i pashpjegueshëm, dy muaj pas vdekjes së papës polak, të një Motre franceze e cila ishte e prekur nga sëmundja e Parkinsonit, sëmundje nga e cila vuante dhe ai vetë. Gjatë ceremonisë mortore të Papës, shumë vetë thërrisnin “Shenjtë menjëherë!” Por për t’u shpallur Shenjt duhet një proces kanunizimi, i ngjashëm me këtë të mëparshmin, që parashikon një mrekulli të dytë.