Një kalendar aktivitetesh për Kongresin
Ndonëse deri më tani ishte heshtur për përkujtimin e 100-vjetorit të Kongresit të Manastirit, së fundmi qeveria ka bërë të ditur një kalendar aktivitetesh. Zëvendëskryeministri z. Genc Pollo, duke e vlerësuar si një ngjarje themelore politike, arsimore e kulturore në historinë e shqiptarëve, theksoi se qeveria ka marrë masa për ta përkujtuar atë me solemnitetin që i takon. Nëntori do të shpallet si muaji i Kongresit të Manastirit. Pollo është kryetar i Komitetit Qeveritar për marrjen e masave për organizimin dhe bashkërendimin e veprimtarive në kuadër të këtij përvjetori. Ndër veprimtaritë e parashikuara për t‘u realizuar përfshihet "Ekspozita e alfabeteve". Një katalog me alfabetet e përdorura do të ekspozohet në Bibliotekën Kombëtare. Po ashtu, një ekspozitë e titulluar "Rruga e Alfabetit Kombëtar" është parashikuar më datën 16 në Muzeun Historik Kombëtar, ku do të bëhet edhe promovimi i botimit të dy librave; "Formula e pagëzimit" dhe "Pjetër Budi". Në të njëjtën datë, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve organizon koncertin solemn të Teatrit Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor. Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës do të zhvillojnë një konferencë të përbashkët shkencore njëditore më datën 17 nëntor, ndërkohë që bashkëpunimi është shtrirë edhe në Maqedoni, ku do të mbahet një tjetër konferencë shkencore. Një sërë veprimtarish janë parashikuar në Korçë. Në këtë kalendar aktivitetesh është përfshirë edhe Qendra e Studimeve Albanologjike, e cila do të organizojë simpoziumin ndërkombëtar "Vepra themelore e Albanologjisë", ku do të paraqiten vepra nga botimet më të rëndësishme në fushat e albanologjisë, nga autorë të vendit, bashkëkombës, si dhe autorë të huaj. Në fund do të ndahet çmimi i Albanologjisë për veprën më të arrirë, e cila sjell kontribut madhor në zhvillimin e albanologjisë. Ndërkohë, Posta Shqiptare do të emetojë pullën dhe zarfin për këtë rast, do të përgatisë postera dhe fletëpalosje që do t‘i shpërndajnë në shkollat e vendit, do të organizojë konkurse në shkolla për poezinë apo prozën më të bukur për këtë rast. MTKRS ka propozuar ngritjen e një obelisku për këtë rast për t‘u vendosur në një nga sheshet e kryeqytetit. Ministria e Arsimit dhe Shkencës, bashkë me Këshillin Bashkiak të Tiranës do të emërtojë një shkollë me emrin "Kongresi i Manastirit", si dhe do të organizojë aktivitete rreth kësaj teme në të gjitha shkollat tona. Aktivitetet përkujtimore të mbajtura në Shqipëri do të bashkërendohen me ato të Maqedonisë, ku në programin e mbështetur financiarisht nga kjo qeveri parashikohen një sërë veprimtarish në Shkup dhe Manastir, të cilat do të fillojnë më datën 18 nëntor dhe do të përfundojnë më 22 nëntor.