"Parullat" e Xhuvanit shfaqen në Itali
Filmi i Gjergj Xhuvanit, "Parullat", do të shfaqet në Itali në kuadrin e një festivali që e sheh kinemanë si dialog mes kulturave. "CineMigrante" organizohet në Rajonin e Piemontes me pjesëmarrjen e tetë filmave nga Kina, Italia, Maroku, Franca, Argjentina, Shqipëria etj. Filmat do të shfaqen në gjuhën origjinale, por të subtitruar në italisht. Sipas organizatorëve, qëllimi i "CineMigrante" është që të krijojë mundësi takimi dhe shkëmbimi mes kulturës autoktone dhe atyre të emigrantëve. Emigrimi është një nga format më të përhapura të shkëmbit të kulturave e pikërisht nga kjo ka lindur ideja e një festivali që prezanton prodhime kinematografike nga vende të ndryshme. Nga Shqipëria është përzgjedhur filmi "Parullat" i Gjergj Xhuvanit. Ngjarjet vendosen në Shqipërinë komuniste. Regjimi krijon forma nga më të ndryshmet pune dhe edukimi, duke marrë edhe shembujt e Kinës Komuniste dhe Bashkimit Sovjetik, për të detyruar popullatën që, përmes parullave, të idealizojnë figurën e diktatorit Enver Hoxha dhe regjimit të tij! Në këtë bashkëprodhim franko-shqiptar, personazhet vijnë përmes interpretimit të aktorëve Artur Gorishti, Luiza Xhuvani, Agim Qirjaqi, Birçe Hasko, Niko Kanxheri, Festim Ndrenika, Rita Lati, Marko Bitraku, etj. Që në rreshtat e parë të skenarit të shkruar nga Ylljet Aliçka mund të ndjehet i njëjti tis komedie dramatike që shoqëronte mësuesit dhe nxënësit e shkollës që duhet të mirëmbanin parullat me gurë gëlqereje në male.