E Diel, 1 Nëntor 2026

KLD, fushatë inspektimi në të gjitha gjykatat e vendit

Këshilli i Lartë i Drejtësisë
inspekton të gjitha
gjykatat shqiptare, në
lidhje me parregullsitë
e gjyqtarëve për masat e sigurisë.
Kanë mjaftuar disa vendime të
Gjykatës së Tiranës për "lirimin"
e tre mjekëve që inspektorët e
KLD-së të vizitojnë togat e zeza të
rretheve. Burime nga këshilli
thanë dje se ka informacione në
bazën e ankesave se ka pasur
disa parregullsi të gjyqtarëve për
masat e sigurisë. Madje, informacionet
kanë qenë se me ryshfet
të majmë ka ndryshuar masa nga
arrest në burg në arrest shtëpie.
"Inspektorët e KLD-së kanë nisur
‘vizitat‘ në Gjykatat e Rretheve
dhe të Apelit në të gjithë vendin,
për të verifikuar të gjitha vendimet
që janë dhënë gjatë muajit
të fundit", thanë burimet nga
këshilli. Sipas tyre, inspektorët
kanë filluar një verifikim të
masave të sigurisë në lidhje me
ligjshmërinë e vendimeve të
gjyqtarëve. Sipas burimeve nga
KLD-ja, nga verifikimet paraprake
janë vërejtur shumë parregullsi
dhe në ditët në vijim
pritet të propozohen masat
ndëshkimore ndaj tyre.
Masat ndëshkimore
Fushata "ndëshkimore" e KLDsë
ka filluar 30 ditë më parë, ku inspektorët
kanë ndërmarrë
"sekuestrimin" e të gjitha dosjeve
të gjyqtarëve që kanë dhënë
masa gjatë kësaj periudhe. Nga
verifikimet e para janë konstatuar
shumë parregullsi gjatë ligjshmërisë
së dhënies së vendimeve.
"Nga verifikimet paraprake kanë
rezultuar disa masa jo në përputhje
me ligjin. Janë mbledhur
të dhëna dhe gjatë ditëve në vijim
pritet të merren edhe opinioni i
gjyqtarëve përkatës për masat që
kanë shpallur. Nëse edhe opinioni
i tyre nuk do t‘i ‘mbushë‘ mendjen
inspektorëve, atëherë ndaj
gjyqtarit në fjalë do të propozohen
ndëshkime sipas ligjit" thanë
burimet nga KLD-ja.
Hetimi për mjekët
Këshilli i Lartë i Drejtësisë filloi
disa ditë më parë një hetim për
gjyqtarët që "liruan" nga qelia
mjekët e akuzuar për korrupsion.
KLD-ja tha se nën "akuzë" ndodhen
pesë gjyqtarë, dy nga Shkalla
e Parë dhe tre nga Gjykata e
Apelit, të cilët brenda pak javëve
kanë "liruar" tre mjekë, megjithëse
prokuroria dispononte prova
të pakundërshtueshme për arrestimin
e tyre. Rasti më flagrant
për inspektorët e KLD-së është
vendimi i Gjykatës së Tiranës për
mjekun Agim Karaj. Po kjo
gjykatë, me të njëjtat prova, vendosi
dy masa të ndryshme, arrest
në burg dhe arrest shtëpie, çka
cilësohet nga këshilli si precedent
i rrezikshëm i drejtësisë shqiptare.
Burimet thanë dje pasdite
se janë marrë të gjitha materialet
dhe po verifikohen. Nëse ka
parregullsi në dhënie vendimi
nga gjyqtarja Mariana Dedi,
atëherë mund të merren masa.
Gjithsesi, para këtij veprimi inspektorët
e KLD-së do të marrin edhe
mendimin e gjyqtares në fjalë në
lidhje me interpretimin e asaj që
ka vendosur.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›