Gjiknuri: Kodi, si do numërohen votat
TIRANË- Zv-Sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Damian Gjiknuri, i ka dhënë dje përgjigje akuzave të disa prej partive të vogla, sipas të cilave, procesi zgjedhor po monopolizohet nga dy partitë e mëdha për të vjedhur apo abuzuar me votat e shqiptarëve. Nën cilësinë edhe të ekspertit në hartimin e Kodit Zgjedhor, Gjiknuri ka shpjeguar dje procedurën e numërimit të votave, bazuar në formulën e përcaktuar tashmë nga komisioni për reformën zgjedhore. Gjinkuri ka shpjeguar fillimisht pretendimin e parë të bërë publik nga disa parti të vogla, lidhur me numërimin e votave, që sipas tyre, është në dorën e dy partive të mëdha.
Zonat e administrimit zgjedhor
Eksperti i Partisë Socialiste shpjegon se numërimi do të vazhdojë të jetë i përqendruar në nivel Zone Administrimi Zgjedhor, që do të thotë se për çdo qark do të ketë disa të tilla në varësi të numrit të zgjedhësve. Grupet e numërimit, sipas tij, do të jenë nga 5-10 për çdo Zonë të Administrimit Zgjedhor. Grupet do të përbëhen nga 4 persona dhe ku vetëm 2 i përkasin PD/PS ndërsa dy të tjerët do të caktohen me short nga përfaqësuesit e partive të mazhorancës dhe opozitës. “Pra, në rreth 60-70 ZAZ që do të jenë në rang vendi, do të hidhet shorti për çdo njërën prej tyre se cila parti a majtë apo e djathtë, do të përfaqësohet në Grupet e Numërimit. Gjithashtu, siç është theksuar edhe më parë, çdo tavolinë numërimi do të jetë e mbikëqyrur nga një kamera me rezolucion të lartë e cila në kohë reale do të transmetojë procesin e numërimit dhe fletën e votimit në ekran, si dhe do ta regjistrojë atë në media elektronike për çdo hetim të mëtejshëm”, -tha dje Gjiknuri. Në këtë kod, i jepet kompetencë vëshguesit të subjekteve të papërfaqësuara në numërim, që nëse nuk është dakord me vlerësimin e votes, do të kërkojë kontestimin e saj dhe kjo kërkesë automatikisht pranohet. Gjinkuri shpjegoi se nga sa më sipër, mund të thuhet se me zvogëlimin e numërit të anëtarëve të Grupit të Numërimit të Votave, me diversitetin politik të përfaqësimit me short, me përcaktimin e qartë të të drejtave që kanë vëshguesit në proces dhe sidomos me aplikimin e teknoligjisë së informacionit, procesi i numërimit do të bëjë hapa përpara dhe nuk e rezikon aspak votën e shqiptarëve.
Komisionet
Zvogëlimi i numrit të Komisionerëve ka qenë rekomandimi bazë i raportit të OSBE/ODHIR, për t'u adresuar nga një reformë e ardhshme zgjedhore. Gjinuri shpjegon se pyetja bazë që u shtrua edhe në komision, është se sa është numri optimal. “ Numri 7 i komisionerëve u mendua si një numër optimal që siguron mbarëvajtje të punës së komisioneve, si dhe ndikon në uljen e kostos e tensioneve në këto organe kolegjiale”, tha ai. Pikërisht për këtë arsye, është ndjekur e njëjta logjikë edhe për KQZ, ku numri 7 i së cilës ka qenë i parashikuar edhe në Kushtetutë deri në vitin 2006. “Të mos harrojmë që KQZ është një organ i përhershëm për administrimin e zgjedhjeve dhe jo thjesht një forum për përfaqësimin politik të partive. Pikërisht, nisur nga nevoja për profesionalizëm dhe për një numër efikas antarësh, u mendua që numri 7 është më i pranueshëm dhe siguron balancën më të mirë mes përfaqësimit dhe vendimmarrjes”,- tha ai. Çdo kërkesë alternative për rritjen e numrit të komisionerëve, sipas tij, do të të hapte pretendimet nga çdo parti që të kërkojë përfaqësim në Komision duke zhvlerësuar kështu rekomadimin bazë të OSBE/ODHIR për këtë çështje dhe duke hapur rrugën e përsëritjes së problemeve të mëparshme në lidhje me komisionet zgjedhore. E njëjta formulë do të ndiqet edhe për formimin e komisioneve të tjera në të githa nivelet, por me një dallim që vendi i partive të vogla i takon partisë që është e dyta në secilin grupim.
Ndarja e mandateve
Zv-Sekretari për Çështjet Ligjore në PS shpjegon se formula D'hondt për ndarjen e mandateve për koalicionet është metoda më e përhapur e llogaritjes që përdoret në vendet që aplikojnë sistemin aktual elektoral. “Kjo formulë me fjalë të tjera quhet formula e mesatares më të lartë të votës dhe siguron një raport të drejtë mes votës dhe përfaqësimit me mandate, por që i jep një avantazh të lehtë subjekteve të mëdha.Ndërsa formula tjetër Sainte Lague, është formula më afër propocionalitetit duke siguruar përfaqësim edhe për partitë e vogla brenda koalicioneve dhe duke korrigjuar avantazhin që jep D'hont për partitë e mëdha. Pra të dy formulat të kombinuara, sigurojnë përfaqësim të drejtë mes koalicioneve, dhe rezultat të drejtë mes partive brenda koalicioneve”,- tha dje Gjiknuri.