Një kauboj si drejtor i Drejtorisë Arsimore në Burrel
Drejtoritë Arsimore janë një plaçkë e mirë lufte. Zakonisht ndahen me shumë sherr mes drejtuesve partiakë. Kur jeton në një rreth të vogël dhe je drejtuesi i një partie, shanset janë që të jesh ose drejtor i Drejtorisë Arsimore, ose drejtor i spitalit, ose drejtor i tatimeve.
Kështu ndodh në Burrel, ku kryetari i PD-së është edhe drejtor i Drejtorisë Arsimore, edhe kryetar i Këshillit Bashkiak.
Por Lefter Ballabani është nën akuzë se ka përdorur pistoletën për të kërcënuar një qytetar në një lokal të qytetit.
Sipas Panoramës, Xhemal Bruçi i ka kërkuar takim drejtorit të Drejtorisë Arsimore për të diskutuar në lidhje me transferimin e të shoqes nga mësuese në fshat, në mësuese në qytet. Pasi siç duket e ka bezdisur disa herë drejtorin për këtë çështje, ky i fundit e ka thirrur Bruçin në një lokal dhe aty i ka nxjerrë pistoletën. Tre- katër persona kanë ndërhyrë duke ia hequr pistoletën nga duart drejtorit, kurse Bruçi ka bërë një denoncim në polici dhe siç thotë ai në Panorama, ka nxituar të qetësojë fisin e tij të mos reagojnë ndaj drejtorit.