Gjykata vendos ti kërkojë Visho Ajazit informacion për Remzi Hoxhën
Gjykata e Krimeve të Rënda në Tiranë mori dje vendim që të kërkojë nga Shërbimi Informativ Shtetëror informacion në lidhje me Remzi Hoxhën.
Çështja e Hoxhës ka tronditur dhe mund të tronditë akoma më shumë SHIK-un e dikurshëm të Sali Berishës, pjesë aktive e të cilit ka qenë edhe Visho Ajazi Lika, aktualisht kryetar.
Gjykata kërkon informacion nga SHISH nëse ata e kanë mbajtur nën vëzhgim apo e kanë shoqëruar biznesmenin Remzi Hoxha, që dyshohet se është torturuar e më pas zhdukur nga SHIK. Nën akuzë janë aktualisht tre persona, Arben Sefgjini, Ilir Kumbaro dhe Avni Koldashi.
Po ashtu gjykata kërkon nga SHISH informacion nëse kanë shoqëruar, vëzhguar apo marrë në pyetje Ziso Kristopullin dhe Avdyl Loshajn, persona që pretendojnë se janë rrëmbyer dhe mbajtur peng në ambientet e strukturave sekrete në vitin 1995.