Një këshillë e artë e ambasadorit gjerman Helmut Hoffman
“Qeveria e re të minimizojë polarizimin politik”. Duket se ambasadori i ri gjerman nuk është edhe aq ‘i ri’ nga njohja e problemeve shqiptare. Ai këtë këshillë ia jep ‘Qeverisë së re’, e cila do të bëhet efektive pas 9 shtatorit, kur do të miratohet në Parlament. Por E. Rama, si i ngutur, i paduruar dhe amator i sensacioneve për të qenë i bujshëm, na sajoi një absurd të ri, në varganin e ‘nonsenseve’ të tij të njëpasnjëshme. Një person, që e njihte mirë, i kishte pas dhënë një mendim të dobishëm: “Këshillohu me persona që dinë më shumë se ti”. Demek, ti édhe me penelin s’ke bërë hair… Mendjemadhi ia mori për ters. Sepse ai këshillohet vetëm me… veten e vet! Për hakmarrje, e përjashtoi nga partia. I vuri edhe militantët t’i ulërinin me sharje e me kërcënime, por edhe me pankarta fyerjesh familjare, (në oborrin e pallatit të banimit të personit që u nis për mirë dhe e pësoi keq!), gjë që s’ka bërë vakí në vendet pluraliste. Këto veprime banditeske kanë një emër, me origjinë rus: pogrom!
E ai tjetri, kryeministri i ardhshëm, duke menduar natën se me ç’origjinalitet të ri do të dilte ditën, sajoi togfjalëshin “qeveri në kujdestari (!)”. Pra, qeverisja në vazhdim, para se të dilte zyrtarisht në opozitë, hë për hë u dashka të jetë nën kujdestari! Nën kujdestari të kujt? Pse s’e tha edhe këtë? Për... modesti? Ndonëse narciz, vetëm këtë, modestinë, e dinte se s’ia besonte askush. Nuk i pritej? Po. Si çdo personi që përfiton një privilegj të pamerituar. Historia ka shembuj të tillë! Kaligula hyri me kalin e tij brenda në Senat! Dhe ia hoqi kokën një skulpture të famshme, për të vënë kokën e vet, të përgatitur qysh më parë në mermer nga lakenjtë që nuk i mungonin! Që të mos përmendim edhe huqet e Rasputinit në pallatin perandorak të Nikollës II. Për Ramën, një analist ka shkruar, në një gazetë të datës 14.08. 2013, se Edvinit “sa më i largët i duket shtatori, aq më i madh i bëhet padurimi!”. Harruam pa thënë edhe diçka tjetër për atë muhabetin e “kujdestarisë”: Ku e ka parë? Në Kushtetutë? Në rregulloren e KQZ-ve zgjedhore? Në përvojën parlamentare, të cilën e kishte bojkotuar prej vitesh, sa revoltoi edhe deputetët e vet?
I urojmë mirëseardhjen ambasadorit gjerman Helmut Hoffman, që shfaq, që në fillim, mendimin se “i përket Qeverisë së re, tanimë, që të minimizojë polarizimin politik”. Me siguri z. ambasador do të ketë rastin të dijë edhe hollësitë e asaj që ai e shprehu si ‘polarizim politik’ në vendin tonë. Në të gjitha debatet zgjedhore kryeministri Berisha e cilësonte emrin e E. Ramës, me një ‘zoti’ përpara. Ndërsa ky i fundit, e cilësonte vazhdimisht e kurdoherë, me ‘zoti’ jo se jo, por edhe me emrin “Saliu”. Çfarë shakaxhiu pa kripë! Me një humor vulgarësh, edhe zotin Lulzim Basha e cilësonte Lulzim Saliu! –për të kënaqur injorantët e tij të pashkollë, por me xhepat plot, amà! Dhe e pa, pastaj, si e shpërbleu elektorati, me një +10 kauçuku përkundrejt një +100 e kusur Vullneti, paçka se me një vetëshpallje ‘triumfale’, pa e pasur ai prerogativën për një detyrë të tillë, (vetëshpalljeje!). Dihet, pra, se humbja e tij, në të gjitha rastet, ishte konsideruar ‘fitore’ nga ai vetë. Por ja që Komisioni i Venecies e quajti ‘humbje’ të ashtuquajturën fitore të kutiçkave, duke i dhënë prioritet vullnetit të zgjedhësit!
Meqë jemi te marrëdhëniet e çoroditura ‘humbje-fitore’ në mendësinë halucinante të E. Ramës, na duhet të harxhojmë edhe një apo dy rreshta për një tipar interesant të zgjedhjeve të 23 qershorit. Ndërsa z, Berisha e jetësoi premtimin për zgjedhje të lira e të ndershme (në fakt, nuk pati kontestime nga fituesit përkundrejt PD-së), E. Rama doli me rezultatet e votave të viteve të mëparshme. Pra, doli blof ajo “na i vodhën votat”, që nuk do të ishte përsëritur kaq shpesh, sa nga të gjithë papagajtë e vendit tonë, së bashku! Madje ishte pikërisht ai manipulator, për të nxjerrë deputetë édhe jo nga PD-ja, por prej individësh ndaj të cilëve e ndjente veten të detyruar... Kaq, për këtë digresion. Si një person i sherreve brenda gardhit të vet, sapo ‘zyrtarizoi’ emrat e kabinetit të tij, shpërtheu pakënaqësia që u asfiksua me një “gjetje”, karakteristikë e njerëzve që e kanë bërë zanat mos mbajtjen e fjalës. “Parole d’honneur” thonë francezët, veçse për njerëzit që e mbajnë fjalën. Sapo përmendëm një ‘gjetje’ të tijën: “Mjaft u lodhëm! Tani jemi në piskun e vapës. Pushim!”- E harroi edhe atë shpikjen e qeverisë nën kujdestari! Por flashku, njëherësh edhe përplasjen që po përftohej ‘brenda radhëve, tani’ me shkeljet e premtimeve të tij, si pasojë e të cilave ishte cilësuar se s’kishte staturën e një politikani serioz. Tanimë kishte lënë të pakënaqur jo vetëm kryetarët e partive mikroskopike, si P. Milon, S. Gjinushin, S. Ngjelën e të tjerë, por edhe persona të rëndësishëm pranë tij, si G. Ruçin, P. Majkon, B. Blushin...Ka gjasa që këta do t’ia thoshin troç se nuk ishte njeriu i fjalës së mbajtur. Këtij të fundit duket se ia kishte mbajtur vath në vesh se i kishte kërkuar dorëheqjen për humbjen e zgjedhjeve, në 2009-n. Blushi, madje, kishte pika takimi edhe me Lëvizjen për Mendimin Ndryshe (LMN-në), por iu shmang shpejt kësaj, për t’iu përngjitur sërish kryetarit, me joshje e me premtime si ato të tijat!
Sa për Spartakun, atë e kishte mbajtur me gëlë-gële, duke ia vënë emrin në listë, në ofiq të ministrit të Drejtësisë. Pastaj – në atë të ‘zyrtarizuarën’ - Taku ishte bërë prush, se s’i kishte dalë emri fare. Për ta ngushëlluar, i kishte premtuar një vend tjetër, dytësor, të cilin i premtuari e kishte hedhur poshtë, prerazi... “S’e mbajti fjalën, i doli fjalës...” kishte shprehur zemërimin e tij të hapur S. Ngjela, që kujtonte se ishte gjithmonë më pranë ‘Shefit’ me disa shprehje radikalizmi që e kishin përcaktuar edhe si anarkist, me ato mufkat se ’do të vinin në fuqi për katër ditë’ (me grusht shteti?). Duket se nuk pati parasysh kur, në një pyetje gazetarësh, S. Ngjelës i rrëshqiti një fjali e rrezikshme që, në ballafaqim me Ramën për kryesinë e Bashkisë së Tiranës, kishte pas dalë fitues Spartaku, por “Rama ia kishte vjedhur votat”! Cili? Bash ai që ankohej natë-ditë, se ia vidhnin atij votat, kurse ai e dinte më mirë se gjithkush këtë zanat! Pavarësisht se këtë thënie Ngjela nuk e përsëriti më, asnjëherë, kujtoi mbase se kjo ishte harruar. (“Të shkuara, të harruara!). Por ata që e kanë në gjak shpirtin e hakmarrjes, bëjnë sikur harrojnë...
***
Me që në këtë rast u bë edhe portreti i një njeriu konfliktual, qoftë edhe brenda radhëve, ia vlen të flasim edhe për “Kurbanin”, që u dashka përkthyer edhe në turqisht! Së pari, turqit duhet të marrin vesh se ky pason librin “Refleksione”, të cilin vetë autori e nxori jashtë qarkullimit, pas një piruete 180 °-sh. Në gjuhën e matematikës vektoriale, kjo do të thotë se na del një vektor i ri, i kundërt me atë të mëparshmin. Dhe dihet se shuma e këtyre dy vektorëve është e barabartë me vektorin zero! Në të parin, autori është ekstremisht antienverist, e cilëson luftën n. çlirimtare si luftë civile, është përbuzës i veteranëve të kësaj lufte, kërkon nxjerrjen jashtë ligjit të PS-së (të prejardhur nga PP-ja). Kjo që u dashka përkthyer në turqisht, është mbushur tërësisht me të pavërteta, në rolin e ri të ekzaltimit të diktatorit E. Hoxha në Pezë dhe në ortakërinë e katër partive komuniste, që i futi në koalicionin e tij. Njëri prej kryetarëve të këtyre e akuzoi publikisht për mungesë luajaliteti, se i kishte grabitur votat! Nuk po e zgjatim më tepër, se është një temë që duhet trajtuar më vete. Por edhe nga këto radhë del qartësisht se personazhi ynë i fut duart edhe në pjesën e aleatëve, të cilëve ua bie në majë të hundës, - që të kuptohet se edhe këtu jemi në temë...