E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një kombëtare me yje... stoli

/* */

Dash FRASHËRI - Ndeshje me pikatore. Minuta të pakta aktivizimi. Kjo është tabloja e fazës zë parë për legjionarët tanë në kampionatet europiane, pavarësisht nëse bëhet fjalë për kapitenin e aktuale të Kombëtares shqiptare, Lorik Canën te Lacio (vetëm 250 minuta lojë nga 1440 të mundshmet), apo ish-kapitenin Altin Lala të Hanoverit (100 minuta nga 17 ndeshje kampionat në Gjermani). Edhe golat janë tepër të rrallë: Edgar Çani, 8 gola në Poloni; Ahmed Januzi, 5 në Ukrainë; Hamdi Salihi, 3 në Austri, Admir Teli, 2 në Azerbajxhan; Jahmir Hyka, 2 në Zvicër, por kemi dhe Bogdani, 0 në Itali dhe Edmond Kapllani, 1 në Gjermani.

CANA
Në Itali, e konsideruan si një nga tre blerjet më të bujshme të Lacios, së bashku edhe me gjermanin Miroslav Kloze dhe francezin Xhibril Sise. Në fakt, për shkak edhe të disa dëmtimeve, Loriku nuk arriti të ambientohet shpejt me klubin italian dhe mentalitetin e Serisë A, ku luhet një lojë më shumë taktike se force. Gjithsesi, është një fakt interesant, është mesfushori-mbrojtës Lorik Cana, ai që ka shënuar këtë sezon, dhe jo sulmuesi Erjon Bogdani. Loriku shënoi në fitoren 3-2 të Lacios në Leçe. Cana është një nga tre mesfushorët e skuadrës që ka shënuar për Lacion. Gjithsesi, në Ligën e Europës, kapiteni i Shqipërisë është aktivizuar më shumë.

BOGDANI
Sulmuesi 34-vjeçar i Çezenës, sezonin e kaluar u shndërrua në një hero, pasi me tëtë golat e tij i siguroi mbijetësën skuadrës së tij në Serinë A. Këtë vit është aktivizuar në 13 nga 16 ndeshjet, por që në total bëjnë vetëm 476 minuta, ose diçka më shumë së 5 ndeshje të plota. Nuk ka shënuar ende në të këtë pjesë të parë të sezonit në Serinë A, por ka ndihmuar skuadrën të fitojë një penallti në fitoren 2-0 kundër Xhenoas, dhe të realizuar nga Adrian Mutu. Me Kombëtaren shqiptare, këtë vit Bogu realizoi 3 gola.

UJKANI
Portieri i Komëtares mbetet një titullar i padiskutueshëm te Novara, por për fatin e tij të keq, pësoi një goditje në fytyrë pas përplasjes me një shokun e tij të skuadrës, e ku pësoi një thyerje të nofullës dhe të katër dhëmbëve në një ndeshje kundër Bolonjës. Pas një ndërhyrjeje kirurgjikale dhe një rehabilitimi dymujor, tani kosovari 23-vjeçar luan me maskë në fytyrë, duke u bërë kështu lojtari i tretë shqiptar pas Bogdanit dhe Gjergji Muzakës së Skënderbeut. Dhjetë nga 16 ndeshje për Ujkanin, me një total prej 849 minutash. Ky vit shënon edhe marrjen përfundimisht të Ujkanit të portës së Kombëtares, pas varjes të dorezave në gozhdë nga ana e Arjan Beqajt.
SALIHI
Hamdi Salihi është duke përjetuar një “ferr” të vërtetë të Rapidi i Vjenës. Bomberi i Kombëtares (3 gola në vitin 2011), ka shënuar po 3 gola në kampionatin austriak, në vëtëm 471 minuta lojë, pavarësisht se ai është aktivizuar në 12 ndeshje nga 19 të tilla të zhvilluara në Bundesligën austriake, por vetëm 4 ndeshje nga minuta e parë. Kjo dhe për shkak të politikës “raciste” të trajnerit Petër Shëtel, por dhe të klubit që dëshiron ta nxjerrë në shitje e të përfitojë në merkaton e janarit. Nga ana tjetër, sulmuesi tjetër shqiptar, por me pasaportë austriake, Atdhe Nuhiu, ka realizuar 6 gola në 16 ndeshje, duke qenë kosovari golashënuesi më i miri i Rapidit të Vjenës, që kryeson dhe kampionatin. Gjithsesi, Salihi do të mbahet mend si lojtari që shënoi pesë gola në një ndeshje në Kupën e Austrisë, kundër amatorëve të Lask Lincit.

LALA
Ish-kapiteni i Kombëtares shqitpare është një veteran i thekur, 36 vjeç. Praktikisht, në vitin e fundit të tij futbollistik. Besniku i Hanoverit – luan me atë skuadër nga viti 1998 – këtë sezon është aktivizuar në vetëm 2 ndeshje, ose 100 minuta në total, përfshirë dhe disa aktivizime jo me minuta të plota në Ligën e Europës. Gjithsesi, Lala, i cili dha fund me kombëtaren (pritet të luajë vetëm një ndeshje lamtumire), mbetet një figurë karizmatike, jo vetëm për batutat e tij, por dhe për përvojën që transmeton... edhe nga bankina.

KAPLLANI
Sulmuesi shqiptar i Augsburgut, pavarësisht se ka luajtur jashtëzakonisht pak, madje në total nuk i kalon 45 minutat, ka mundur paradoksalisht të futet në një listë të veçantë, si lojtari që shënon më shumë në raport me minutat që luan, duke mundur madje dy nga emrat më të mëdhenj të botës, Lionel Mesin dhe Kristiano Ronaldon. Në klub e aktivizojnë shumë pak, ndërkohë që edhe te Kombëtarja shqiptare ka qenë i pafat. Herë i paaktivizuar për arsye të konkurrencës (me Bogdanin, Salihin), herë për motive taktike (kur kemi luajtur me një sulmues), por dhe herë për arsye dëmtimi. Vetëm 2 ndeshje nga 10 të mundshmet, ose 55 minuta në total.  

ROSHI
Zbulimi i Kombëtares shqiptare – në dy ndeshjet më Francën dhe Rumaninë – pati dhe një vit të mbarë përsa i përket titullit nënkampion me Flamurtarin, e që u finalizua me transferimin e tij te Këlni i Bundesligës 1 gjermane. Asnjë ndeshje si titullar, por në 8 takime të aktivizuara (197 minuta), përkrah një emri të madh si sulmuesi i Kombëtares gjermane, Lukas Podolski. Mbetet një shpresë, kjo dhe për shkak të moshës (20 vjeç), por dhe të shpejtësisë që zotëron: “Raketa” është nofka e tij në mediat gjermane.

BAKAJ
Mesfushori i avancuar i Dinamos së Bukureshtit, Elis Bakaj, nuk luan nga 5 nëntori me skuadrën e tij (kundër CFR Kluzhit), ndërkohë që me Kombëtaren ndeshjen e fundit e ka zhvilluar më 15 nëntor (kundër Maqedonisë), kjo dhe për shkak të një dëmtimi. Vetëm 11 ndeshje të aktivizuara nga 18 të mundshmet, ose 260 minuta në total, gjatë të cilave ka mundur të shënojë edhe një gol (kundër Konkordia Kiajna). Me Kombëtaren u aktivizua në 6 ndeshje (187 minuta). E ardhmja e tij, duket larg Bukureshtit, më së shumti flitet në huazim në Korçë apo dhe në ndonjë skuadër të Rumanisë. Pistë tjetër mbetet dhe Gjermania.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›