E Diel, 1 Nëntor 2026

Merita Halili këndon shqip në Kongresin Amerikan



Nga Nju Jorku, Beqir SINA
Raif Hyseni dhe Merita Halili dy artistët bashkëshortë janë të pranishëm në evenimentin më të rëndësishëm, në Kongresin Amerikan. Për herë të parë muzikë dhe këngë popullore shqiptare, në “Kenedy Center” Washington DC. Media e vlerësoi dhe i dha vend të veçantë këngëtares. Së bashku me mjeshtrin e fizarmonikës, Raif Hysenin, këngëtarja e njohur e muzikës popullore shqiptare, ka vite që punon e jeton në Amerikë. Me orkestrën e tij të vogël, ata marrin pjesë në çdo aktivitet që agjencia muzikore “Music World Institut”, zhvillon. Dy artistët bashkëshortë punojnë sëbashku dhe marrin pjesë në kocerte e evenimente kudo në SHBA-së, Shqipëri e Kosovë. Merita ka udhëtuar disa herë në drejtim të Tiranës e Prishtinës, e viseve shqiptare, me Raif Hysenin nga Mitrovica, i cili i bie fizarmonikës e gjithashtu është edhe kompozitor. Çifti tregon për gazetën se i pret një kalendar i ngjeur me aktivitete. Para pak kohësh ata kanë dhënë një koncert në “Hillo Ballroom” (Manhattan). Tashmë, çifti është i ftuar edhe nga “Qendra Kenedi” në Washington. Në Kongresin Amerikan, për herë të parë dy artistë do të interpretojnë drejpërsëdrejti për gati një orë në gjuhën shqipe. Si gjithnjë Merita Halili, do të jetë e shoqëruar nga Raifi në fizarmonikë dhe orkestra e tij. “Ndonëse këto aktivitete janë të rëndësishme, thonë ata, nuk bien për nga rëndësia udhëtimet drejt Shqipërisë dhe Kosovës. Një recital në Shqipëri e në Kosovë do t'i bënte të dy të ndiheshin edhe më të lumtur. Megjithatë, siç deklarojnë Merita me Raifin, “për realizimin e planeve duhet pak kohë, e ndërkaq, edhe shumë punë...” Merita tregon se sapo është kthyer nga një mbrëmje Gala, e cila u mbajt me rastin e 40-vjetorit të formimit të Qendres për Muzikë dhe Vallëzim Tradicional në Manhatan. “Na pritën si gjithmonë, jashtëzakonisht mirë, thotë Halili, me duartrokitje dhe deri te kërkesa për t'i rikënduar këngët, sa edhe vetë publiku ngadonjëherë i këndonte ato, duke na shoqëruar si një kor i përbërë nga adhuruesit e muzikës improvizuar me ne edhe pse nuk ishin shqiptarë, në disa raste vetëm adhurues të muzikës amerikanë. Edhe të tjerët(grupet që morën pjesë), u pritën shumë mirë. Dhe, pa dyshim grupi i njohur i David Oquendo dhe Havana 3, ishin grupet e përzgjedhura që luanin muzikë tradicionale kubaneze, si dhe e njohura amerikane DJ REKHA.” Këngëtarja shton se këto kohë ata janë në përgatitje intensive për dy koncertet e ardhshme, të cilat do të zhvillohen këtë muaj në Washington. Siç dihet, “Kennedy Center” është një ndër institucionet më me vlerë dhe më të rëndësishme jo vetem në kryeqytetin amerikan por edhe më gjerë. Çifti tregon gjithaq se më 12 korrik të këtij viti, në Manhattan, Nju Jork, Raifi do të garojë në Festivalin Ndërkombëtar të Fizarmonikave. Ata kanë pak kohë që janë kthyer nga Kosova, ku ishin të ftuar nga RTV-ja e Kosovës për të xhiruar disa klipe të Merita Halilit. Këngëtarja u ndal pak ditë edhe në Tiranë ku ishte e ftuar në dasmën e një mikut të vet. Merita shpreh dëshirën për të zhvilluar një tur që nga Tivari në Preshevë, Mitrovicë, Prishtinë, Tetovë, Dibër e Kumanovë, për ta mbyllur pastaj në Vlorë, Sarandë, Durrës dhe Shkodër. “Është një ide që do kohë dhe shumë punë të realizohet, pastaj le të jemi të ndërgjegjshëm, mungojnë fondet. Deri tani askush nuk është afruar të na e sponsorizojë projektin tonë” thonë Merita dhe Raifi.

Këngë të reja të Merita Halilit

1. Vallja dhe Kënga e Mitrovicës: Muzika, teksti dhe orkestrimi R.Hyseni.
2. O Tirana Jonë-muzika: Teksti dhe orkestrimi R.Hyseni.
3. Zoti Ty Të Vraftë: Muzika, teksti dhe orkestrimi R.Hyseni.
4. Ujë na iku Jeta: Muzika dhe orkestrimi R.Hyseni, teksti Jorgo Papingji.
5. E Jotja Jam: Muzika R.Hyseni, orkestroi Sh.Saraci, teksti Zhuliana Jorganxhi.

19 Qershor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›