E Diel, 1 Nëntor 2026

Një konspekt i fjalimit të Ramës

HENRI ÇILI 

Në kushtet e mungesës së lajmit, pasi gjithçka ishte e parashikueshme me rikandidimin e Ramës, në kongresin e pardjeshëm të PS-së, e vetmja gjë me interes ishte fjalimi i tij në fund të kongresit, i cili në një farë mënyre projekton llojin e opozitës që Rama do të bëjë në të ardhmen e afërt. Fjalimi ishte i tipit populist, ishte një lojë me emocionet e një salle dhe të një partie, e cila e gjendur në kushtet e humbjes e ka më të lehtë të besojë atë që është sot nevoja kryesore e Ramës: eksportimi i 28 qershorit te të gjithë të tjerët, përveç vetes. Fjalimi kishte një kryefjalë: projektimi i një problemi real mbi zgjedhjet në Shqipëri, si “barka e shpëtimit” për t’i dhënë një farë koherencë “Edi Ramës” se djeshëm dhe atij të sotmit. E gjitha kjo për të përligjur shkeljen e precedentit dhe parimit të statutit të PS-së, propozuar nga ai vetë dikur, për largimin e kryetarit humbës në zgjedhjet politike. Duke konspektuar fjalimin e Ramës në përpjekje për të parë se si do të jetë opozita e afërt e Shqipërisë mund të mbajmë disa gjëra shënim:
 
Së pari, nga pardje praktikisht Edi Rama është duke projektuar një aksion politik me tipare radikale, gjë që do të thotë se do të kemi tashmë një profil tjetër të kreut të opozitës, atë të radikalit, të cilin Rama e kthen tek vetja, pas këtij mandati të një “opozite ndryshe” sikurse ai e ka quajtur vetë opozitën e 2005-2009. Çdo lider ka shans të aplikojë secilin profil: radikalin apo të moderuarin, e rëndësishme që këtë ta bëjë në përputhje me rrethanat. Duket se veç nevojës së tij të brendshme për ta vendosur partinë socialiste në kushtet e radikalitetit për të mbytur e vështirësuar jetën e zërave alternativë brenda partisë, shoqëria shqiptare nuk gjendet në kushte radikaliteti. Përkundrazi një proces normalizimi ka një inerci të fortë në këtë vend në kushtet kur po ecim drejt integrimit evropian dhe kur në tërësi kemi një rajon që po qetësohet e integrohet gjithnjë e më shumë.

Së dyti, Rama përpiqet të bindë Partinë Socialiste dhe shoqërinë shqiptare se zgjedhjet ishin të papranueshme dhe se “nuk mund të tolerohet më vjedhja e votës”, e gjitha kjo krijon shansin që Rama të vijojë në krye të PS-së pasi sipas tij “nuk ka humbur me zgjedhje të lira”. Zgjedhjet në Shqipëri janë një proces ku marrin pjesë të paktën nja 50 mijë veta dhe nuk ka nevojë për një fjalim, qoftë ky dhe i Edi Ramës, për të bindur shoqërinë shqiptare se “zgjedhjet janë vjedhur dhe fitorja është grabitur opozitës”. As nuk ka mjaftojnë 5 apo 7 analistë që t’i mbushë mendjen që zgjedhjet ishin të lira dhe të ndershme dhe të pranueshme, nëse vetë perceptimi i publikut nuk do të shkonte dhe ai në këtë drejtim. Pa asnjë kompleks dhe me plot bindje sot mund të thuhet se këto zgjedhje ishin të lira dhe të ndershme në kuptimin e paritetit pozitë-opozitë, ose më saktë PD-PS, një paritet i plotë, kushte të barabarta financiare, kushte të barabarta të aksesit në media, procedurë zgjedhore bipartizane PD- PS nga votimi i Kodit Zgjedhor e deri tek votimi 7 me 0 i Kolegjit Zgjedhor për rezultatin final. Viktima në këto zgjedhje ka, por janë partitë e vogla me LSI-në në krye, por bashkë- agresori i tyre është 50 për qind Edi Rama dhe 50 për qind Sali Berisha. Ndaj mbetet vetëm të korrigjojmë gjëra për zgjedhjet e tjera, nga sistemi elektoral e deri tek numërimi optik i votave.
Së treti, Edi Rama, në përputhje me të gjithë këto shpreson të ndërtojë në Shqipëri metaforën politike të ish-republikave Sovjetike, gjë që e përmendi shpesh në fjalimin e tij dje. Paralelja me Shqipërisë dhe këtyre vendeve nuk qëndron fare, për shkak se Shqipëria është plotësisht një vend nën influencën perëndimore dhe jo në atë ruse, është një vend në proces integrimi evropian. Përpjekja për paralele mes Berishës dhe Shervenxes se Gjeorgjisë, apo mes Berishës dhe Leonid Kucmanit të Ukrainës, nuk kanë ku të rrinë, pasi “Shërvenaxet” dhe “Kucmanët” e Shqipërisë, PD dhe Berisha i përmbysën me zgjedhje në 1992. Ka paralele të pjesshme të Berishës me lider të vendeve të Evropës Lindore, por ato nuk kanë farë të bëjnë më paralelen e ish-republikave Sovjetike.
Bashkë me mosnjohjen e legjitimitetit të zgjedhjeve, bashkë me kthimin tek modeli i opozitës radikale e bashkë me metaforën e republikave sovjetike përpjekja për të potencuar si figurën më të nderuar të socialistëve më 2009 Gramoz Ruçin, sikurse bëri Rama dje dukshëm në fjalimin e tij, është një nga manifestimet e asaj që fjalimi i Ramës dhe në përgjithësi linja zyrtare e kongresit ra në autizëm, pra i foli vetvetes dhe jo shoqërisë shqiptare. Me një konflikt të hapur në parti Rama, ku ka humbur mbështetjen e një pjese të mirë të figurave të partisë, në vend që të kërkojë konsesus më të gjerë me shoqërinë, në fakt po ngushton bazën e konsensusit dhe të mbështetjes së tij në parti. Ku deri dje qe i padiskutueshëm, kurse nga 29 qershori e këtij, është vënë politikisht në diskutim. Dhe kjo sapo ka filluar. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›