E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gjinushi mbështet Ramën për bojkotin, Solis i PBDNJ-së, kundër



Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Skënder Gjinushi, ka mbështetur qëndrimin e kryetarit në detyrë të PS-së, Edi Rama, për të mos njohur legjitimitetin e Parlamentit dhe të qeverisë për shkak të manipulimeve të ndodhura në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Gjinushi tha se ky qëndrim është i drejtë, pasi kryeministri Berisha organizoi një masakër të vërtetë elektorale, duke grabitur votat e shqiptarëve, duke përsëritur eksperiencën negative të zgjedhjeve të vitit 1996. Gjinushi deklaroi se Parlamenti nuk është legjitim, pasi legjitimiteti i tij është cenuar për shkak të këtyre manipulimeve të ndodhura. Qëndrimi i PS-së për të kontestuar dhe mosnjohur rezultatin zgjedhor është kundërshtuar nga aleatët e PBDNJ-së. Madje, sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Leonard Solis, akuzoi ditën e zgjedhjeve Partinë Socialiste dhe kryetarin e saj Edi Rama se janë bërë palë në krimin e vjedhjes së votave të PBDNJ-së. Solis deklaroi dje se përpara se Rama të kërkojë llogari për zgjedhjet, pikësëpari duhet të japë llogari se përse PS-ja vodhi votat e PBDNJ-së. “Përpara se Rama të bërtasë për vjedhje nga koalicioni tjetër fitues i zgjedhjeve, duhet të sqarohen partitë brenda koalicionit me PS-në për vjedhjen e votave të tyre, siç është dhe PBDNJ-ja. Dy standarde nuk mund të ketë, kur e grabisin, bërtet dhe kur grabit, hesht", - ka thënë Solis.

1 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›