Rama: PS-ja nuk e njeh qeverinë dhe Parlamentin që lindi nga bashkëpunimi me krimin
Shaban Sulçe
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka vijuar edhe dje të denoncojë dhe të kundërshtojë ashpërsisht maskaradën elektorale të zgjedhjeve parlamentare të 28 qershorit. Rama tha se Partia Socialiste nuk mund të tolerojë grabitjen masive që kryeministri Berisha u bëri votave të shqiptarëve. Kreu i PS-së tha se kryeministri Berisha nuk mund t’i shpëtojë dot transparencës së plotë lidhur me zgjedhjet. Rama theksoi se Partia Socialiste nuk mund të pranojë dot krijimin e një qeverie që do të dalë nga një Parlament që lindi në bashkëpunim me krimin. Rama akuzoi qeverinë se gjatë fushatës elektorale nxori nga burgu dhjetëra kriminelë të rrezikshëm, me të cilët bashkëpunoi për të grabitur votat e shqiptarëve. “Ne nuk mund të pranojmë që Shqipëria të jetë vendi ku Parlamenti dhe qeveria lindin nga bashkëpunimi me autoritetet e krimit, nga bashkëpunimi me ata që janë kyçur nëpër burgje si rrezik publik, pasi me keqbërjen e tyre kanë marrë jetë njerëzish të pafajshëm apo janë përfshirë në aktivitete kriminale, nga ato që shqetësojnë jo vetëm një vend, por shqetësojnë një rajon dhe Europën mbarë. Lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar është një prioritet i prioriteteve për çdo vend të BE-së dhe për çdo vend që troket në BE. Nuk mundet dot që në një vend i cili troket sot në dyert e BE-së të krijohet një qeveri e dalë nga një parlament që lind jo vetëm prej deformimit të vullnetit dhe gjithfarë formash, por edhe si një aleancë e organizuar me kriminelë të damkosur dhe të gjykuar si të tillë me vite të tëra burgu dhe të nxjerrë pastaj jashtë çdo lloj konteksti dhe procedure ligjore”, - u shpreh kryesocialisti.
Kongresi
Rama shpjegoi edhe qëndrimin e Kongresit të Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste ndaj procesit zgjedhor të 28 qershorit. Sipas tij, Kongresi është shprehur shumë qartë, duke i konsideruar me legjitimitet të cunguar Parlamentin dhe qeverinë, për shkak të manipulimit të zgjedhjeve. “Kongresi ka qenë absolutisht i qartë dhe absolutisht i vendosur në konsideratën e legjitimitetit thellësisht të cunguar të çdo produkti institucional dhe politik të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për t’i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Parlamentit dhe mandat politikisht legjitim qeverisë së vendit. Duke shprehur këtë, Kongresi e ka përcaktuar shumë qartë Parlamentin e Shqipërisë si një institucion me legjitimitet thellësisht të cunguar, çka do të thotë se ky Parlament nuk mund të jetë teatri i një farse demokratike. Me këtë Parlament PS-ja duhet dhe do të ketë raporte të kushtëzuara nga fillimi deri në fund. Askush nuk mund ta kthejë PS-në në një zgjatim të dekorit pseudodemokratik të këtij Parlamenti. Thënë kjo, është fare e qartë edhe autoriteti që Kongresi i ka lënë Grupit Parlamentar dhe forumeve të PS-së për të ushtruar sovranitetin e vet”, - vijoi kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama.
Largimet nga puna
Rama tha gjithashtu se Partia Socialiste do të vijonte betejën e saj në mbrojtje të të gjithë atyre personave, të cilët u hoqën padrejtësisht nga puna, si shenjë e hakmarrjes politike vetëm sepse nuk kishin votuar për Partinë Demokratike. Ai tha se Partia Socialiste nuk mund ta pranojë një gjë të tillë, ndërkohë që denoncoi gjithashtu edhe presionet që po i bëhen medias nga organet e pushtetit. “Siç kanë dalë në dritë ato emra dhe siç ka dalë në dritë ai aspekt kriminal i këtyre zgjedhjeve pas 28 qershorit, çdo ditë vijon persekucioni politik ndaj njerëzve të afishuar si qytetarë opozitarë në të gjitha nivelet, duke i larguar masivisht nga puna. Ne kemi emra, kemi mbiemra njerëzish që janë qytetarë të kësaj Republike, që gëzojnë njësoj të njëjtat liri e të drejta kushtetuese si Sali Berisha, Ilir Meta, njësoj si Fatos Nano. Ne nuk mund të pranojmë që në këtë vend njerëzit të detyrohen të jenë shërbëtorë të nënshtruar të pushtetit për të pasur qoftë edhe një vend pune”, - tha kreu i PS-së, Edi Rama.
Rama i paraqet presidentit Topi dosjen e lejeve abuzuese
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka deklaruar se do t’i paraqesë Presidentit të Republikës dhe njëkohësisht kryetarit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, Bamir Topi, dosjen që përmban provat e lejeve abuzuese që autoritetet e larta të Ministrisë së Drejtësisë kanë dhënë për të burgosurit e rrezikshëm, të cilët kanë kontribuuar për qëllimet manipuluese të Partisë Demokratike. Rama tha se do të takohej me presidentin Topi brenda javës në lidhje me këtë çështje. “Por, një aspekt të fundit për sot të këtij procesi të deformuar forcërisht dua ta nënvizoj me forcë. Lidhet me faktin ndoshta më tronditës, jo thjesht për zgjedhjet, por për sigurinë publike në këtë shtet-pushtet, i cili bëri më 28 qershor edhe një aleancë vendimtare me një lukuni individësh të kyçur burgjeve të Shqipërisë për krimet e rënda të vrasjes, trafikut të drogës, përdhunimit e të tjera tmerreve që u dokumentuan hapur sot për publikun në hapjen e Kongresit. Në rrugë kryekëput të paligjshme, këtyre personave, shoqërisht të rrezikshëm, u janë hapur dyert e burgut gjatë fushatës elektorale me lejen e autoriteteve të larta shtetërore për të kontribuuar me autoritetin e tyre mafioz, sidomos në zonat rurale, ku kanë ushtruar trysni konstante ndaj votuesve të opozitës. Çdo autoritet të lartë shtetëror që ka marrë pjesë në organizimin e kësaj hapjeje të paligjshme të burgjeve për përfitime elektorale të partisë në pushtet, ne do ta kërkojmë përpara drejtësisë me të gjitha format. Javën e ardhshme do t’i dorëzoj zyrtarisht e publikisht Presidentit të Republikës dokumentacionin tronditës të këtij bashkëpunimi mes qeverisë së vendit dhe skalionit elektoral të kriminelëve aleatë të kësaj qeverie. Shpresoj që kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë nuk do t’i fshihet përgjegjësisë së drejtpërdrejtë që ka në kushtet kur vetë ministri i Drejtësisë është drejtpërdrejt i përfshirë në këtë operacion kriminal të paimagjinueshëm për një shtet normal demokratik, jo më për një vend anëtar të NATO-s”, - deklaroi Rama në Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë Socialiste.
1 Shtator 2009