E Diel, 1 Nëntor 2026

Dekreti, presidenti Topi thërret Kuvendin e ri të mblidhet më 7 shtator



Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi dje ditën e nisjes së punimeve të legjislaturës së re të Kuvendit të ri të Shqipërisë. Data 7 shtator shënon mbledhjen e parë të Kuvendit të ri të dalë nga zgjedhjet e 28 qershorit. “Mbledhja e parë e Legjislaturës XVIII të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë thirret ditën e hënë, datë 07 shtator 2009, ora 18:00. Ky dekret hyn në fuqi menjëherë”, - shkruhet në Dekretin Nr. 6226. Ky dekret i hap rrugën administratës së Kuvendit që të marrë të gjitha masat dhe të njoftojë deputetët e rinj për seancën e parë të legjislaturës së re të Kuvendit të Shqipërisë. Seanca e parë e Kuvendit pritet të drejtohet nga Sali Berisha, i cili do të mbajë edhe për katër vitet në vazhdim postin e kryeministrit të vendit. Kjo është në zbatim të Rregullores së Kuvendit, e cila parashikon që deputeti më i madh në moshë të drejtojë seancën e parë të Kuvendit. Ndërkaq pritet që deputetët e Partisë Socialiste të mos marrin pjesë të paktën në dy seancat e para, duke bojkotuar nisjen e punimeve të Kuvendit të ri në shenjën e mosnjohjes së produktit të dalë nga zgjedhjet, sipas tyre, të manipuluara të 28 qershorit.
Legjislatura
Neni 67 i Kushtetutës së Shqipërisë përcakton mbledhjen e Kuvendit nga Presidenti i Republikës. “Presidenti i Republikës e mbledh Kuvendin e porsazgjedhur jo më parë se data e përfundimit të mandatit të Kuvendit paraardhës, por jo më vonë se 10 ditë pas mbarimit të këtij mandati”, - thuhet në këtë nen. Kufijtë e afatit kushtetues brenda së cilës kreu i shtetit kishte hapësirë për të dekretuar datën e fillimit të legjislaturës së re ishte data 2 shtator deri më 10 shtator. Por kreu i shtetit zgjodhi datën më të përshtatshme, që është data 7 shtator. Në seancën e parë të Kuvendit të ri, ku nuk lejohet të zhvillohen debate, ngrihet komisioni që do të verifikojë vlefshmërinë e mandateve të certifikuara nga KQZ-ja të 140 deputetëve. Në Nenin 2 të Rregullores thuhet saktësisht se “me hapjen e mbledhjes së parë të legjislaturës, drejtuesi i seancës i njofton Kuvendit emrat e personave të zgjedhur dhe kërkon verifikimin e mandateve të tyre”. Komisioni përbëhet nga 9 deputetë dhe pasqyron, për aq sa është e mundur, përbërjen politike të Kuvendit, siç del nga rezultati i zgjedhjeve. Propozimet për përbërjen dhe kryesinë e komisionit bëhen nga përfaqësuesit e grupimeve politike dhe miratohen nga Kuvendi me votim të hapur, me shumicën e votave të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të tij. Gjithashtu, në mbledhjen e parë, tre deputetë, ndër deputetët me moshën më të re, caktohen nga drejtuesi i seancës të kryejnë përkohësisht detyrën e ????????????????????????sekretarisë së Kuvendit deri në zgjedhjen e Byrosë së Kuvendit. Në seancën e dytë të Kuvendit të ri paraqitet raporti i Komisionit të Verifikimit të Mandateve të Deputetëve dhe nis procedura e zgjedhjes së kryetarit të Kuvendit. Kjo është e parashikuar në Rregulloren e Kuvendit, në pikën 2 të Nenit 3 të saj. Menjëherë pas verifikimit të mandateve deputetët ftohen të bëjnë betimin, duke lexuar tekstin e betimit, i cili lexohet nga drejtuesi i seancës. Deputetët që mungojnë në seancën kur kryhet betimi betohen në seancën më të parë që marrin pjesë. Menjëherë pas kryerjes së betimit nga deputetët procedohet me zgjedhjen e kryetarit dhe të Byrosë së Kuvendit. Në këtë mënyrë, edhe seanca e dytë, deri në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, do të drejtohet nga deputeti më i vjetër, kryeministri Berisha.
Verifikimi i deputetëve
Ndërkaq, mandatet e deputetëve do të verifikohen nga Gjykata Kushtetuese në ato raste kur Komisioni për Vlefshmërinë e Mandatit të Deputetëve vëren paligjshmëri në zgjedhje. Komisioni ia propozon Kuvendit dërgimin e çështjes në Kushtetuese. Kërkesa hartohet nga Komisioni dhe duhet të nënshkruhet nga jo më pak se një e pesta e të gjithë deputetëve brenda 3 ditëve nga leximi i raportit. Por, nëse në përfundim të kësaj periudhe kërkesa nuk është nënshkruar dhe dërguar në Gjykatën Kushtetuese, deputeti ftohet të kryejë betimin. Komisioni do të kalojë në sitën e tij procedurën e zgjedhjes deri në mandatimin nga KQZ-ja të 140 emrave. Detyra e tij është lakuar disa herë në KQZ nga përfaqësuesi i PS-së, i cili ka ngritur shqetësimin për shkelje të Kushtetutës nga disa kandidatë, që, edhe pse kishin kandiduar për deputetë, nuk kishin dhënë dorëheqjen nga postet e mëparshme.

Deputetët mund të propozojnë deri në 9 kandidatë për postin e kryetarit të Kuvendit

Ligjvënësit e rinj kanë të drejtë të propozojnë deri në 9 kandidatë për postin e kryetarit të Kuvendit. Sipas Rregullores së Kuvendit, kandidati propozohet nga të paktën 15 deputetë, të cilët nuk mund të mbështesin më shumë se një kandidat. Propozimi bëhet me shkrim, përmban nënshkrimet përkatëse dhe paraqitet në Sekretarinë e Përkohshme të Kuvendit. Kryetari i Kuvendit zgjidhet pa debat dhe me votim të fshehtë, me shumicën e votave, në prani të më shumë se gjysmës së të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në rast se asnjë nga kandidatët nuk ka fituar shumicën e kërkuar, vijohet me një raund të dytë, ku votohet për dy kandidaturat që kanë marrë më shumë vota. Votimi organizohet publikisht dhe drejtohet nga një komision votimi i përbërë nga 5 deputetë, që pasqyron përbërjen politike të Kuvendit. Anëtari më i vjetër në moshë kryen detyrën e kryetarit të komisionit dhe shpall rezultatin e votimit.

Nisja e punimeve të Kuvendit i hap rrugën miratimit të qeverisë së re

Fill pas nisjes së punimeve të Kuvendit të ri, Presidenti i Republikës, në bazë të Kushtetutës, emëron kryeministrin e vendit nga partia apo koalicioni që ka shumicën e mandateve në Kuvend. Emri i kryeministrit propozohet nga koalicioni fitues i zgjedhjeve dhe Presidenti e mandaton atë për të krijuar qeverinë e re. Kryeministri i emëruar i paraqet për miratim Kuvendit brenda 10 ditëve nga zgjedhja e tij programin politik të Këshillit të Ministrave së bashku me përbërjen e tij. Para fillimit të detyrës, kryeministri, zëvendëskryeministri dhe ministrat betohen para Presidentit të Republikës. Sipas një vendimi të Gjykatës Kushtetuese, përbërja e qeverisë votohet e plotë dhe jo e ndarë. Pra, si ministrat, ashtu dhe kryeministri, do të votohen në të njëjtën seancë, ku secili duhet të marrë shumicën e votave nga Kuvendi që të miratohet.

Partitë politike që bojkotuan në vite seancat parlamentare

Bojkoti i parë i Kuvendit të Shqipërisë është shënuar në vitin 1996 nga Partia Socialiste. Zgjedhjet e 26 majit të vitit 1996 u mbajtën pas katër vitesh, ku në pushtet qëndronte PD-ja dhe në këto zgjedhje doli sërish fituese PD-ja, duke fituar 122 vende në Kuvendin e ri. Tri partitë opozitare në atë kohë, PS, PSD dhe PAD, u tërhoqën nga zgjedhjet në orën 17:00 duke pretenduar parregullsi dhe duke kërkuar përsëritjen e tyre. Opozita bojkotoi seancën e parë të Legjislaturës së 14-të, e cila u mbajt më 2.7.1996. Një vit më vonë, më 29 qershor 1997, u zhvilluan zgjedhjet e parakohshme parlamentare, të cilat i fitoi Partia Socialiste. Seanca e parë e Legjislaturës së 15-të u mbajt më 23.7.1997. Opozita e re, ku bënte pjesë Partia Demokratike, bojkotoi punimet e Kuvendit të ri me pretendimin se zgjedhjet u manipuluan. Më 24 qershor të vitit 2001 u zhvilluan zgjedhjet e reja parlamentare ku fituese doli sërish Partia Socialiste. Seanca e parë e Legjislaturës së 16-të u zhvillua më 2 shtator të vitit 2001 dhe u bojkotua nga opozita e atëhershme, Partia Demokratike.
Zgjedhjet parlamentare të vitit 2009 u mbajtën më 28 qershor. Fituese me një rezultat në ngushtë, sipas KQZ-së, rezulton koalicioni i djathtë, i kryesuar nga PD-ja. Seanca e parë parlamentare do të mbahet me 7 shtator 2009. Partia Socialiste pritet të bojkotojë sërish punimet e Kuvendit, pasi pretendon se zgjedhjet u karakterizuan nga shumë parregullsi që dëmtojnë produktin final të tyre.

Partia Socialiste
26 maj 1996: Zgjedhjet u mbajtën pas katër vjetësh dhe Partia Demokratike i fitoi ato. Seanca e parë e Legjislaturës së 14-të të Kuvendit Popullor u hap më 2.7.1996. Opozita socialiste bojkotoi punimet e Kuvendit me pretendimin se zgjedhjet u manipuluan nga PD-ja.

Partia Demokratike
29 qershor 1997: Zgjedhjet e parakohshme parlamentare u fituan nga Partia Socialiste. Seanca e parë e Legjislaturës së 15-të të Kuvendit Popullor u hap më 23.7.1997. PD-ja bojkotoi Kuvendin me pretendimin se zgjedhjet u manipuluan nga Partia Socialiste, e cila ishte në opozitë.

Partia Demokratike
24 qershor 2001: Zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme të Kuvendit të Shqipërisë. Partia Socialiste me aleatët e saj rifitojnë një mandat 4-vjeçar. Seanca e parë e legjislaturës së 16-të u zhvillua më 2 shtator 2001. Kuvendi u bojkotua nga deputetët e Partisë Demokratike.

Partia Socialiste
28 qershor 2009: Zhvillohen zgjedhjet e përgjithshme parlamentare. Partia Demokratike me aleatët e saj rifitojnë një mandat të dytë qeverisës. Seanca e parë e Legjislaturës së 18-të do të nisë më 7 shtator 2009. Partia Socialiste pritet të bojkotojë Kuvendin.

1 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›