Një kosovar ekzekutohet tek Shkëmbi i Kavajës

Vendngjarja
Në orët e mesnatës së shkuar një vrasje ka shokuar banorët e zonës së shkëmbit të Kavajës. Një biznesmen kosovar 44-vjeçari Skënder Spahija është ekzekutuar në një pritë klasike kur ai po dilte nga mjeti i tij para banesës, të cilën e kishte blerë për pushime.
Të dy bashkëshortët sapo kishin darkuar së bashku dhe po ktheheshin në banesë, me makinën e tyre Citroen, me targa AA 635 CG, që i përkiste 44-vjeçarit. Ai është pritur nga dy persona të armatosur dhe është qëlluar njëherësh prej tyre në një distancë të afërt. Plumbat e kanë kapur në trup dhe nga plagët ka humbur jetën menjëherë.
Pasi e kanë qëlluar ata kanë hipur me shpejtësi në një mjet të ndezur që i priste në afërsi. Duke u nisur nga kjo mënyre ekzekutimi, policia mendon se në ekzekutimin e tij ka pasur edhe bashkëpunëtore të tjerë. Policia ka konfirmuar se vrasja e babait të dy fëmijëve ka ndodhur në orët e mesnatës dhe se ai kishte marrë katër plagë plumbash, të nxjerra nga armë të kalibrit 7.62 mm.
Nisur nga saktësia e goditjeve ndonëse në një mjedis të errët për shkak të natës, ka dyshime se ekzekutorët mund të kenë qenë persona të specilizuar dhe të aftësuar si vrasës me pagesë.
Dëshmitare okulare ka qenë gruaja e tij, e cila është shokuar dhe gjatë pyetjeve të bëra mbi identitetin e vrasësve, ajo nuk ka mundur të japë detaje të sakta. Pasi kanë dëgjuar krismat disa banore kanë dalë në ballkone dhe nga ata janë marrë disa të dhëna për makinën e mundshme që është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
Rreth dyshimeve, pas vrasjes policia ka marrë informacion të plotë mbi lëvizjet e mjeteve që kanë kapërcyer kufirin në Morinë, Qafë-Thanë si dhe Muriqan e Han i Hotit. Kjo duke dyshuar edhe në origjinën e vrasësve, për shkak se konflikti mund te ketë qenë i importuar nga Kosova.
Sipas dëshmisë së gruas, që është dëshmitarja kryesore, makinës i janë afruar në errësirë dy persona dhe në momentin që viktima ka hapur derën i kanë qëlluar disa herë me armë zjarri pa pasur asnjë debat mes tyre. Policia ka vijuar hetimet dhe sipas dyshimeve ka bërë disa shoqërime por deri në orët e pasdites nuk është bërë e mundur që të gjendet identiteti i autoreve të vrasjes. /.M.Brunga/