E Shtunë, 31 Tetor 2026

Një kujtesë për katër kritere

Në pothuajse të gjitha bashkëbisedimet e lira ndërmjet qytetarëve dhe familjarëve të këtij vendi, pa dallim bindjesh politike, seksi apo vendbanimi, vendin kryesor e ka zënë shfaqja televizive këto ditë e Prokurores së Përgjithshme të Republikës së Shqipërisë, e cila realisht mbajti një qëndrim profesional dhe rigoroz në vendosmërinë e vet dhe të organit të drejtuar prej saj, për zbulimin dhe ndëshkimin e autorëve të disa prej krimeve më të rënda dhe të organizuara, që kanë tronditur mbarë opinionin publik vendas, madje edhe atë ndërkombëtar. Gjatë asaj interviste në një nga televizionet që mbështet haptazi Qeverinë e dështuar të këtij vendi, e sulmuar nga pyetje që, në kundërshtim me teorinë e stilistikës së gazetarisë, mund të konsiderohen etikisht jo intriguese, por provokuese, dhe politikisht jo gjeneroze, por tendencioze, Ina Ra-ma arriti të bindë një shumicë njerëzish që e ndoqën nga ekrani me interes të veçantë, se disa çështje kriminale, veçmas ajo e 21 janarit, nuk mund të mbeten pa u zbardhur.
Nuk mund të mbe-ten pa u zbardhur, me gjithë ndikimin dhe përpjekjet e disa pushtetarëve dhe funksionarëve të lartë të shtetit, për t'i vënë Prokurorisë, organit që kushtetutshmërisht ushtron ndjekjen penale dhe përfaqëson akuzën në gjyq në emër të shtetit, pengesa të gjithfarëllojshme, deri te shmangia e kufizimit ligjor të lirisë së disa të pandehurve kyç në hetimin e këtyre çështjeve. Duke mos flakur tutje feminilitetin individual dhe duke ruajtur përpara kamerave një vetëpërmbajtje të admirueshme, Prokurorja e Për-gjithshme arriti të bindë një shumicë njerëzish, gjithashtu, se hetimet e masakrës së kryer një vit më parë, nga brenda Kryeministrisë drejt Bulevardit qendror të Tiranës, nuk do të zvarriten për të mbetur në mes të rrugës, por do të intensifikohen për të dalë e vërteta në dritë të diellit, ashtu siç u kryen në mes të ditës ato katër vrasje dhe shtatë plagosje me plumba shpues atë datëzezë që mbetet e paharrueshme.
Nga kjo optikë, jo thjesht dhe as vetëm televizive, në pah del qartë tek e mbramja edhe mundësia e çalë e Qeverisë dhe e liderit të saj, për t'iu kundërvënë hetimeve të Prokurorisë me "sukses" dhe në mënyrë konstante në fshehje të përgjegjësive direkte të atyre që shtinë mbi popullin e pafajshëm dhe të atyre që urdhëruan atë batërdi kriminale. Ndonëse Qeveria dhe kreu i saj bëjnë ç'bëjnë dhe bubullitin me lutje dhe kërkesa për dëshirën e tyre që vendi të pranohet në familjen europiane (duke shpresuar kështu që të përjetësojnë pushtetin e pakufizuar të tyre), ata edhe në çështjen e 21 janarit çdo ditë kanë treguar dhe tregojnë kundërshti flagrante jo vetëm me normat e shtetit të së drejtës, si një nga tre opsionet kryesore të Paktit të Kopenhagenit, por edhe me disa standarde të gjithëpranuara për hetime efikase drejt ndëshkimit të merituar dhe parandalimit të mundësuar të gjithçkaje që i kundërvihet të drejtës së jetës, parashikuar si një e drejtë themelore dhe primare e njeriut nga Konventa Europiane dhe nga kushtetutat e çdo vendi anëtar ose jo të kontinentit tonë të vjetër.
Në këtë kuadër të gjerë vlen për të kujtuar edhe katër kriteret kryesore që ka përcaktuar Gjykata e Strasburgut gjatë shqyrtimit të disa dosjeve që i janë vënë përpara, për vlerësimin e hetimeve të kryera në rastet e vrasjeve të jashtëligjshme. Së pari, ata që kryejnë hetimet e vrasjeve të pretenduara duhet të jenë të pavarur nga personat e implikuar në ngjarjet konkrete. Kjo nënkupton që jo vetëm nuk duhet të ketë një rang hierarkik midis palëve të interesuara, aq më pak midis atyre të pozicionuara në sense të kundërta, por gjithashtu duhet të ketë pavarësi gjatë procesit të mbledhjes së fakteve (për shembull, çështja Gyleç kundër Turqisë - 1998 dhe çështja Ogur kundër Turqisë - 1999). Ndërsa, aktualisht në Shqipëri, nga ana e Qeverisë së saj nuk duken shenja për të respektuar dhe për t'iu përmbajtur këtij kriteri. Tashmë dihet se, qysh prej asaj dite të gjëmës së 21 janarit dhe vazhdimisht më pas, Ajo ka bërë çmos jo vetëm për mos identifikimin e agjentëve qeveritarë përgjegjës për vrasjet dhe plagosjet e jashtëligjshme, por edhe për t'i spostuar përgjegjësitë te krahu i turmës, i viktimave dhe i asaj force politike apo liderit të saj që i organizuan për të ndërmarrë së bashku një protestë legjitime. Madje, duke akuzuar që na paskan zhdukur provat me ndihmën e Prokurorisë.
Një tjetër kriter i përcaktuar në këtë drejtim është, se hetimi ndaj disa personave për vrasje nuk e çliron qeverinë nga e drejta e vet për t'u marrë me agjentët e saj, ndërkohë që thelbi i pretendimit është që vrasjet janë kryer nën kujdesin e qeveritarëve, apo qoftë edhe me dijeninë e tyre (bie fjala, çështja Ansar kundër Turqisë - 2001 dhe çështja McShane kundër Mbretërisë së Bashkuar - 2002). Kështu, Gjykata e Strasburgut ka theksuar, se "Çdo mungesë gjatë hetimit që çon në pamundësinë e përcaktimit të arsyes së vdekjes ose të gjetjes së personit përgjegjës rrezikon të mos përputhet me këtë standard". Ndërsa, aktualisht në Shqipëri është vërtetuar që agjentët qeveritarë, gardistët dhe oficerë civilë të Policisë së Shtetit janë përpjekur që të zhdukin shumë gëzhoja brenda territorit të Kryeministrisë dhe jashtë tij, pikërisht atje ku rrezikohej edhe jeta e dhjetëra protestuesve të mbetur në fund të zhvillimit të protestës. Njëherazi, nuk mund të mos vihet në dukje zhdukja e pamjeve të regjistruara nga 11 kamerat e Kryeministrisë prej personelit të këtij institucioni.
Kriteri i tretë i efikasitetit në raste të tilla është shpejtësia e autoriteteve në hetimin e përdorimit të forcës vdekjeprurëse. Gjykata e Strasburgut, së paku në shqyrtimin e çështjeve të përmendura më lart ka vërejtur që veprimi me shpejtësi i autoriteteve është thelbësor për të fituar besimin e publikut te ndershmëria dhe drejtësia e shtetit të së drejtës, si edhe te parandalimi në të ardhmen i çdo veprimi tjetër të jashtëligjshëm dhe jo tolerant. Në këtë kuptim, pavarësisht ndërhyrjeve të Qeverisë për të fshehur të vërtetën dhe pavarësisht qëndrimit të një gjyqtari të shkallës së parë, apo me pak gjasa të ndonjë në Gjykatën e Apelit të Tiranës, për të mos vendosur rreth çështjes së 21 janarit një masë paraprake më të lehtë sesa ajo e arrestit me burg (që parashikon mbi vepra të tilla legjislacioni ynë penal) për të pandehur kyç të kësaj çështjeje, nuk mund të dekurajojnë grupin hetimor të prokurorëve dhe të asistentëve mbështetës të tyre nga SHBA, të cilët (siç dëshmoi Prokurorja e Përgjithshme) po intensifikojnë gjurmimet dhe ekspertimet e mëtejshme.
Së katërti, efikasiteti lidhet ngushtë edhe me mjaftueshmërinë e mundësive që mund të kenë familjarë të viktimave dhe bashkëprotestues të tyre për t'u përfshirë në procesin e hetimit, deri sa të garantohen interesat legjitime të tyre. Ky kriter është përcaktuar gjithashtu nga shqyrtimi i disa çështjeve të tjera në Gjykatën e Strasburgut. Por, aktualisht në Shqipëri dëshmitarëve të mundshëm u janë bërë dhe vazhdohet t'u bëhen presione nga segmente shtetërore, ndonjëherë nën emër apo me interesim edhe të Kryetarit të Qeverisë, për "të mbyllur gojën" ose për të përfituar ca mjeteve financiare gjatë kësaj periudhe krize të rëndë ekonomike dhe të korrupsionit të lulëzuar nën qeverisjen e pushtetarëve ekzekutivë të tashëm qysh prej shtatë vjetësh.
Sidoqoftë dhe pavarësisht shpresave që u shtuan për zbardhjen e të vërtetës, sidomos të 21 janarit, por edhe të dosjeve të tjera shqetësuese, nga ligjë-ratat e Prokurores së Përgjithshme gjatë asaj interviste tele-vizive, nëse nuk zbatohen këto kritere të cilësuara si standarde të një drejtimi specifik për forcimin e shtetit të së drejtës vështirë të përmirësohet edhe klima e besimit të publikut për mospërsëritje të ngjarjeve trishtuese dhe për mosvijim të kulturës së mosndëshkimit. Në këtë kuadër, roli i Qeverisë dhe i autoriteteve gjyqësore është mjaft i madh. Vërtet që drejtësia ndonjëherë vonon, por nuk harron, ama me qëndrimin e këtyre autoriteteve për çështje të tilla i hapet ose i mbyllet rruga Shqipërisë për marrjen e ndihmave dhe statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian. I hapet ose i mbyllet rruga një populli të tërë, që kërkon të jetojë realisht në Europë, me standardet dhe vlerat e saj, duke u penguar ose duke u çliruar nga mospërgjegjësinë proverbiale të një grushti njerëzish që kanë uzurpuar pushtetin, madje edhe të drejtën për jetën e bashkëqytetarëve të tyre.
(Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›