Opozita: Homazhe më 21 janar, Prokuroria të zbardhë vrasjet
Kreu i PS-së, Edi Rama ka mbledhur sot në një takim aleatët. Takimi është zhvilluar në selinë rozë ku kanë qënë të pranishëm të gjithë aleatët e Partisë Socialiste përveç kreut të PBDNJ-it Vangjel Dule.
Mësohet se në qendër të takimit ka qënë aktiviteti homazh i planifikuar nga opozita për nder të viktimave të 21 janarit. Në një prononcim për mediat përfaqësuesi i “Opozitës së bashkuar” Preç Zogaj ka deklaruar se opozita kërkon zbardhjen e plotë të ngjarjes së 21 janarit ndërsa ka ftuar të gjithë qytetarët të marrin pjesë në homazhin për nder të 4 të vrarëve në demonstratë.
"Sot partitë aleate u mblodhën për të diskutuar për organizimin e një homazhi për të përkujtuar 4 protestuesit Ziver Veizi, Hekuran Deda, Faik Myrtaj e Aleks Nika në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Ftojmë të gjithë qytetarët e Tiranës por edhe të gjtihë Shqipërisë të marrin pjesë në këtë homazh në mënyrë që të nisim prokurorinë për zbardhjen e tragjedisë, vendosjen e drejtësisë dhe për shlyerjen e kësaj njolle historike për demokracinë. ” ka theksuar Zogaj.
Gjithashtu opozita përshëndet edhe qëndrimin e trojkës së ambasadorëve të akredituar në Tiranë të cilët sipas Zogajt i kanë konsideruar si të pafajshëm 4 viktimat e 21 janarit. “Përshëndes qëndrimin e trojkës që i konsideroi të pafajshëm të vrarët në këtë demonstratë dhe ashtu është. Të pafajshëm qenë. I vetmi faj i tyre ishte se morën pjesë në një demonstratë të thirrur nga opozita legale për të protestuar kundër varfërisë dhe papunësisë” ka shtuar Zogaj.